TheAlbaniaTime

Pse po braktisen lopët për plastmasën

2026-02-16 - 11:06

Opinion i pavarur / Nga Fatos Fico, ekonomist Në fushat e Shqipërisë po ndodh një rotacion i shpejtë e brutal, i kapitalit dhe punës. Aty ku dikur ishin fushat me drithëra, perime, jonxhë bashkë me tufat e vogla të bagëtive e lopëve, sot shkëlqen një “det” plastmase. Për shikuesin nga jashtë, ky duket thjesht si një ndryshim peizazhi. Por kjo është në realitet një përgjigje racionale ndaj tregut dhe kërkesave të tij. Bazuar në një analizë me 10 faktorë të riskut strukturor – një lloj sonde a termometri i treguesve të biznesit blegtoral – diferenca në kompleksitet apo vështirësi të të bërit biznes midis prodhimit të qumështit me prodhimin e serrave është zgjeruar në nivele të papara më parë dhe në favor të këtyre të fundit. Analiza tregon se blegtoria në Shqipëri nuk është më thjesht një biznes kompleks dhe i vështirë; ajo është bërë, edhe në terma financiarë, një “aktiv i bllokuar” (stranded asset), ashtu si puset e vjetra të naftës bashkëshoqëruese në këtë peizazh fushor, që nuk nxjerrin dot më naftë nga shtresat e lodhura të nëntokës, dhe fermerët e kanë gjithmonë e më të vështirë të mjelin qumësht me fitim. Divergjenca e madhe: 87 vs. 34 Thelbi i krizës qëndron në vështirësinë e të bërit biznes me një fermë që prodhon qumësht. Në një shkallë vështirësie nga 1 (e ulët) në 100 (e pamundur), ferma e lopëve të qumështit në Shqipëri vlerësohet me 87 pikë – një pikavarazh për të cilin bankat ose kreditorët do ta klasifikonin këtë aktivitet si “të painvestueshëm”. Në kontrast me këtë, serrat diellore, detet apo pika e plastmasës tashmë kudo në territor, vlerësohen vetëm 34 pikë. Arsyeja është llogaria ekonomike. Një fermer qumështi në Shqipëri humbet para në çdo veprim që bën. Ai blen inpute të shtrenjta misër, sojë, grurë, të importuar me çmimet e tregut global (në shumicën e rasteve i blen dhe me çmim pakice), për të prodhuar një mall të lirë, qumësht të papërpunuar, për një treg lokal me fuqi të ulët blerëse. Ai është i ekspozuar ndaj të gjitha luhatjeve të tregut, luftërave, thatësirave, krizave të ndryshme, kur blen me çmimet e bursës së Çikagos (CBOT), por i bllokuar në shitje vetëm në tregun e “Lushnjës”, ose fabrikat dhe tregun lokal. Fermeri i serrave përdor një avantazh gjeografik falas – rrezatimin diellor – për të prodhuar produkte eksporti, perime të cilat shiten me valutë të fortë në tregjet e huaja, edhe pse Leku i fortë në kursin e këmbimit krijon disavantazhe. Hija e Serbisë dhe “deficiti i fushës, tokës arë” Pse rënia e qumështit është strukturore dhe jo ciklike? Përgjigjja gjendet më lehtë jashtë kufijve dhe sidomos te fqinji verior. Konkurrenti rajonal, Serbia, gëzon atë që njihet si “ekonomi e shkallës”. Fermerët në Vojvodinë operojnë me kosto minimale për ushqimin e bagëtive, pasi e rritin vetë misrin në sipërfaqe të mëdha dhe në fusha. Fermeri shqiptar jo vetëm është i penalizuar nga fragmentimi i tokës e nuk mund të arrijë efikasitetin e fqinjit, por ajo pak tokë fushe në Shqipëri kërkohet me çmime shumë më të larta nga ndërtimi, turizmi, ekonomi të tjera të shërbimeve, si dhe nga aktivitete të tjera bujqësore jo blegtorale. Kur qumështi serb ose hungarez hyn në Tiranë me çmime më të ulëta se kostoja e prodhimit në Shqipëri, fermeri shqiptar nuk po konkurron vetëm me punën dhe investimin e një fermeri tjetër; ai po konkurron me gjeografinë dhe subvencionet shtetërore të Beogradit (1000 € mbështetje/lopë/qumësht vs. 100 €/krerë në Shqipëri). Por, sidoqoftë, si fermerët serbë dhe ata shqiptarë janë në konkurrencë me fermerët europianë: serbët më shpesh me hungarezët, polakët etj., shqiptarët së pari me italianët. Italia është vendi nga ku hyn më së shumti qumështi i lëngshëm dhe djathëra cilësorë, por dhe djathëra të tjerë, si dhe me Gjermaninë dhe Holandën për djathërat masivë, të lirë në çmim, të cilët përdoren kryesisht nga HoReCa (restorantet, hotelet, katering). Kjo është dhe fare shkurt përgjigjja pse dhe miliona turistë nuk arrijnë të rrisin prodhimin vendas, i cili zëvendësohet fare lehtë me import. Pse “Plastmasa” është strehë e sigurt Në këtë mjedis ku toka e pakët duhet të ndahet mes ndërtimit, aktiviteteve të shërbimeve, tani së fundmi dhe energjisë (paneleve diellore) e aktiviteteve bujqësore, serrat diellore përfaqësojnë një strehë të sigurt (safe haven) për kapitalin e vogël shqiptar dhe punë për fermerët. Shpenzime kapitali të ulëta:Hyrja në treg kërkon pak kapital, plastmasë dhe hekur, ndryshe nga betoni dhe inoksi i nevojshëm sipas standardeve të BE-së për blegtorinë. Likuiditeti, paratë:Domatet, kastravecët janë “dollarë jeshilë”. Vilen, ambalazhohen dhe dërgohen në Beograd, Berlin apo Bukuresht brenda 48 orëve. Qumështi, për shkak të standardeve të ulëta të prodhimit, si rrjedhojë edhe e ruajtjes dhe cilësisë së ushqimit blegtoral, standardeve të stallave, mungesës së ciklit ftohës, transportit të shtrenjtë, si dhe një pjesë të mirë të standardeve të përpunimit, është i burgosur brenda kufijve. Faktori rregullator:Brukseli kërkon standarde drakoniane higjiene për qumështin, duke i rritur përtej mundësive të fermerëve shqiptarë kostot e investimit dhe prodhimit. Për perimet, barrierat janë minimale. Demografia si “Goditja përfundimtare” Megjithatë, rreziku më i madh nuk është biologjik ose financiar, por demografik. Blegtoria kërkon angazhim 365-ditor, një stil jetese që demografia e re e Shqipërisë e ka refuzuar kategorikisht tashmë prej dekadash. Të investosh në një fermë lopësh sot në Shqipëri do të thotë të gjesh punëtorë për një punë që askush nuk dëshiron ta bëjë, ndërsa serrat, me natyrën e tyre sezonale, përshtaten më mirë me tregun e punës. Verdikti i tregut Mesazhi nga tregu është i qartë dhe i pamëshirshëm. Shqipëria po kalon një “de-industrializim blegtoral”, nëse ka pasur blegtori mjaftueshëm ndonjëherë. Për shkak të natyrës së aktivitetit blegtoral, kompleksitetit dhe ndërlidhjes me aktivitetet e tjera bujqësore, shkallës së investimit, sasinë e punës dhe njohurive që kërkon, vlerës së shtuar që gjeneron, po blegtoria, mund të konsiderohet si industria e rëndë e bujqësisë. Puna dhe kapitali po largohen nga zona e kuqe (87 pikë) – përpjekja jonë për të prodhuar proteinë shtazore në male, kodra, e pak fushë të copëtuar mes pronësisë e aktiviteteve të tjera – dhe po shkojnë drejt zonës së gjelbër (34 pikë) – shfrytëzimit të diellit mesdhetar. Për investitorët dhe politikëbërësit, leksioni është i thjeshtë: Mos luftoni gjeografinë. Në Shqipëri, e tashmja u përket atyre që shesin perime në Europë, jo atyre që përpiqen të ushqejnë lopët me misër e premikse të importuara. Të ardhmen nuk e dimë. Sidoqoftë, vështirë se do të ketë politika që lopët, si në Zvicër, të jenë pjesë dhe krijuese të peizazhit, kulturës, traditave, prodhimeve cilësore me vlerë të lartë lokale. Të dhënat kryesore: Vështirësia e qumështit: 87/100 (mision i pamundur) Vështirësia e serrave: 34/100 (biznes i zgjuar) Diferenca e subvencionit (Serbia vs. Shqipëria): 10x Përjashtimi: Mjellma e zezë, stalla me 1400 lopë Pse një “katallan” prej 1,400 krerësh në zonën e falimentit? Në mes të “zonës së braktisjes”, atje ku termometri shënon 87/100, ekziston një anomali prodhuese dhe ekonomike që sfidon logjikën e tregut shqiptar: Ferma “Vjen” në Divjakë. Me mbi 1,400 krerë lopësh qumështi, kjo nuk është thjesht një fermë; është një fabrikë qumështi. Në stilin e analizës së riskut, ajo është një “Black Swan”, “Mjellma e Zezë” – një përjashtim që thyen rregullat, statistikisht një ndodhi e pamundur, por që ndodh. “Klubi i 0.4%” –Për të kuptuar shkallën, duhet të shikojmë edhe numrat e Bashkimit Europian: Mesatarja shqiptare: ~1.7 lopë për fermë (mbijetesë). Mesatarja gjermane: ~70 lopë për fermë. Ferma “Vjen”: 1,400+ lopë. Në Europë, më pak se 0.4% e fermave i kalojnë 1,000 krerët. Në termat e ndërtimit, siç i njohim mirë në kullat në Shqipëri, kjo fermë është njëlloj me ndërtimin e një rrokaqielli “alla Dubai” në mes të një fshati me shtëpi prej balte. Si u ul termometri, nga 87 në 35 pikë?Si mbijeton ky gjigant kur të vegjlit falimentojnë? Ata kanë ndryshuar rregullat e lojës të realitetit shqiptar përmes investimit të kapitalit masiv. Ata nuk luajnë lojën e fermerit të vogël: Sipërfaqja e tokës së punueshme, Fragmentimi:nga 10 ➔ 2 (10 shumë e lartë, 1 mungon). Ndërsa fermeri i vogël vuan nga copëzimi i tokës, kjo fermë ka konsoliduar qindra hektarë, kryesisht ish-kënetë e bonifikuar, e kthyer në toka mjaft pjellore. Ata prodhojnë vetë silazhin dhe misrin, duke eliminuar koston e importit dhe çmimet e bursës së Çikagos. Në çdo rast, nuk kanë të papritura. Kapja e tregut, Fuqia negociuese:nga 10 ➔ 3 (10 e shumë e ulët, 1 shumë e fortë). Kur ke 1,400 lopë, nuk i lutesh fabrikës së përpunimit të qumështit. Përkundrazi, fabrika varet nga ty. Me prodhim 30-40 tonë qumësht në ditë, ata diktojnë çmimin. Ata janë furnizues strategjikë, jo “lypsarë”. Investimi në Teknologji, njohuritë:nga 8 ➔ 2 (10 fare pak njohuri, 1 njohuri profesionale). Stalla nuk përdor metoda tradicionale, p.sh. siç na kanë thënë të parët tanë, apo ndjek këshillat e një veterineri publik që një herë në tre muaj i bie rruga në stallë. Kanë teknologji menaxhimi bashkëkohore holandeze ose tjetër, sensorë biometrikë për çdo lopë dhe nutricionistë e zooteknikë të përgatitur në nivel europian dhe të tyret. Mirëqenia e kafshëve, si standard dhe rendiment:nga 10 ➔ 2 (10 e ulët, 1 shumë e mirë). Stalla, në ndryshim nga shumica e stallave të tjera, ka një pikë dhe personel për rregullimin e thundrave të lopëve. Ky është gjerësisht një problem i patrajtuar në blegtorinë shqiptare; mungojnë njohuritë, njerëzit e trajnuar dhe mjetet për thundrat. Qëndrimi për kohë të gjatë pa lëvizur në dysheme të forta shkakton deformime dhe plagë në thundër, të cilat përveç vuajtjes fizike shkaktojnë mastite, kërkojnë antibiotikë për trajtim (qumështi nuk shitet, së paku teorikisht), ulin sasinë e prodhimit dhe çojnë deri në humbje para kohe të kafshës. Përjashtimi që vërteton rregullin –Ekzistenca e kësaj ferme nuk është shpresë për fermerin e vogël; është prova e pamundësisë së tij. Ajo tregon se për të pasur sukses me qumështin në Shqipëri, duhet të jesh një korporatë industriale me 5-10 milionë euro investim fillestar. Nëse nuk i ke këto para, termometri mbetet i pandryshuar: Mos hyni në zonën e kuqe.

Share this post: