Projekti 80 mln euro për ujin, BB: Progres mesatarisht i kënaqshëm, u disbursuan 28.68 mln euro
2026-02-13 - 10:06
Banka Botërore bëri një vlerësim të fundit për Programin i Modernizimit të Sektorit të Ujit dhe Kanalizimeve në Shqipëri i financuar nga kjo e fundit me rreth 80.1 milionë euro përmes IBRD dhe një granti shtesë prej 6.3 milionë dollarësh. Në raportin e publikuar progresi tërësor vlerësohet si mesatarisht i kënaqshëm duke vënë theksin tek aspektet që kanë pasur ecuri të mirë dhe ato që paraqesin nevojë për përmirësim. Referuar statusit të zbatimit të hartuar nga ekipi i Bankës disa prej komponentëve kanë shënuar nivel të mirë disbursimi teksa për të tjerët përqendrimi do të jetë në dy vitet e ardhshme. Kështu DLI 1 është arritur plotësisht dhe është disbursuar e gjithë shuma prej 9 milionë eurosh, pas miratimit të instrumenteve të financimit sektorial dhe udhëzimeve të bazuara në performancë. DLI 2 është pjesërisht i arritur, me 6.26 milionë euro të disbursuara (28% e alokimit), ndërsa disbursimet kryesore priten në vitet fiskale 2026–2028. DLI 3, që lidhet me përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare të sektorit, është gjithashtu pjesërisht i arritur, me 5.85 milionë euro të disbursuara (65%), ndërsa arritja e plotë pritet gjatë vitit 2026. DLI 4, që mat vazhdimësinë e furnizimit me ujë (minimumi 18 orë në zona urbane), nuk ka gjeneruar ende disbursime për shkak të mungesës së verifikimit të të dhënave të presionit të ujit. Prokurimi i pajisjeve matëse është planifikuar për fillim të vitit 2026, me disbursime të parashikuara në 2027–2028. DLI 5, që lidhet me lidhjet e reja funksionale për familjet, ka disbursuar 2.8 milionë euro (16%), ndërsa pjesa më e madhe e fondeve pritet të lëvrohet në dy vitet e fundit të programit. Raporti thekson se komponenti i grantit/IPF po ecën më ngadalë se parashikimi, ndonëse disa aktivitete janë përfunduar, përfshirë angazhimin e agjencisë së verifikimit të pavarur dhe auditimet e eficiencës së energjisë në disa njësi rajonale. Projekti, i miratuar në maj 2022 dhe me afat përfundimi në dhjetor 2027, synon përmirësimin e performancës operacionale dhe financiare të ujësjellësve, si dhe rritjen e aksesit në shërbime të sigurta të furnizimit me ujë./ N.Maho