TheAlbaniaTime

Problematika e mosadresimit të sfidave në tregun e shërbimit të kujdesit për fëmijët

2026-03-13 - 21:24

Flet sociologu Gëzim Tushi Për sociologun Gëzim Tushi në Shqipëri mbetet ende sfidë shërbimi i kujdesit për fëmijët, i cili po ndikon në diversitetin e ofertës. Ai shpjegon se rritja e kërkesës për kujdestarë të huaj për fëmijë lidhet me nivelin më të lartë të profesionalizmit të shërbimit, por edhe me faktin se shumë institucione private parashkollore janë më të shtrenjta se kujdestaria shtëpiake, pavarësisht se ofrojnë shërbim kolektiv. Sipas jush, pse ka rritje për dado të shtetësisë së huaj për fëmijët dhe si sociolog si e shihni këtë tendencë? Si ndikon te një fëmijë në Shqipëri të rritet nga një dado filipinase? Tregu i plotësimit të nevojave për shërbime sociale dhe kujdestari për fëmijët në Shqipëri në mënyrë të natyrshme do të bëhet më i hapur dhe më i diversifikuar lidhur me ofertën për plotësimin e kërkesave në rritje. Shërbimi i kujdestarisë së besuar për fëmijët tanë duket se nuk do të jetë më as monopol e as ekskluzivitet social i punonjësve të shërbimit nga vendi. Tregu i shërbimit edhe tek ne po bëhet me oferta të globalizuara, për dy arsye. Së pari është në rritje numri i familjeve që kërkojnë shërbime të posaçme e profesionalisht të përkushtuara për kujdesin ndaj fëmijëve të tyre. Së dyti, me sa duket, “tregu” i shërbimeve sociale në Shqipëri është bërë magnet tërheqës për punonjëse sociale me nivel profesional apo njohuri empirike, për shkak të konkurrencës dhe nivelit të kënaqshëm të pagesës për këtë shërbim. Nuk mendoj se ka ndonjë shqetësim nacionaliteti i punonjësve që do të merren me kujdesin, trajtimin dhe zhvillimin e fëmijëve tanë. Duke qenë të huaj, në pamje të parë duket se procesi i sjelljes dhe specifikës së kujdestarisë do të jetë i vështirë për shkak të gjuhës, traditës, zakoneve dhe paradigmave sociale të edukimit. Besoj se të huajt deri tani e kanë treguar veten se janë konkurrues e të parapëlqyer nga familjet shqiptare, për të pranuar kujdestarinë e tyre të besuar për kujdesin ndaj fëmijëve. Janë të dalluar për zellin, korrektësinë dhe durimin në plotësimin e kërkesave të fëmijëve që marrin përsipër për të ofruar kujdestari. Sipas opinionit tuaj, pse shumë nëna po rendin sot të mbajnë fëmijët në shtëpi, t’i rrisin me kujdestare, dhe jo në çerdhe, janë pagesat e shtrenjta, mungesa e kushteve etj., çfarë i privon? Arsyet pse shumë nëna parapëlqejnë më shumë kujdestarinë shtëpiake të fëmijëve në raport me shërbimin e institucionalizuar janë të shumta. Së pari, është problemi i mungesës së kapaciteteve optimale për të ofruar shërbime për fëmijët. Mungesa e ofertës nga kopshtet dhe çerdhet publike e private është njëra prej tyre. Së dyti është koha e kufizuar e ofrimit të shërbimeve, gjë që nuk favorizon dhe pengon kohën e dedikuar punës apo specifikave të profesioneve të prindërve të fëmijëve. Së treti, është problem i diskutueshëm i cilësisë dhe standardeve të shërbimeve specifike për fëmijë dhe cilësia e diskutueshme e ekipeve multidisiplinare që ofrojnë shërbime në këto institucione. Problem është edhe kostoja e lartë e disa institucioneve specifike private, e cila, shpeshherë edhe pse është shërbim kolektiv, është më e shtrenjtë se pagesa për “dadot” e huaja, kërkesat e të cilave janë më modeste. Lexoni edhe: Një dado filipinase për fëmijën shqiptar

Share this post: