TheAlbaniaTime

Prezantohet platforma për eksportet, Rama: Bizneset do mbështeten në transformim

2026-01-28 - 14:31

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me sipërmarrësit prezantoi ExportON një platformë të re për eksportuesit, e cila do të matë indikatorë të ndryshëm nga aktiviteti i përditshëm i kompanive dhe lëvizjet vjetore të eksporteve, duke ndihmuar sipërmarrësit dhe qeverinë të marrë vendime më të informuara për politikat e sektorit të eksportit. Gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e transformimit në sektorin e manifakturës. “Në sektorin e manifakturës, shndërrimi i disa kompanive nga fosoneria e thjeshtë në cikël të mbyllur na ka dhënë një provë të qartë që kush nuk pret që vazhdimësia e sipërmarrjes t’i garantohet nga oksigjeni i shtetit, por beson vetë transformim vetë, fiton. Fokus janë kompanitë që krijojnë vlerë të shtuar dhe që pranojnë sfidën e transformimit. Një prioritet tjetër janë agropërpunuesit: sa më shumë produkte të përpunohen dhe të futen në kanalet e eksportit, aq më shumë rritet vlera e shtuar. Shqipëria ka një rrjet të konsoliduar për grumbullimin e produkteve bujqësore, duke lehtësuar procesin e përpunimit. Rënia e barrierave dhe procedurave ka ulur kostot, por disa çështje kërkojnë kohë për t’u diskutuar”. Kryeministri Edi Rama u ndal edhe në ecurinë e kreditimit të bizneseve nëpërmjet Garancisë Sovrane. “Ka një çështje që do të duhet kohë më e gjatë për t’u diskutuar, pasi kemi vendosur instrumente të rinj financiare për eksportuesit, duke ulur riskun përballa bankave. Thithja e këtyre fondeve është shumë e ulët nga çfarë do të donim të ishte. Qoftë me linjën e kreditimit të Bankës së Shqipërisë dhe me atë të Bankës Shqiptare së Zhvillimit do të fillojmë të adresojmë Linja e kreditimit të Bankës së Shqipërisë është pa limit, por jemi larg thithjes së fondeve të para të vëna në dispozicion”. Kryeministri Rama foli edhe për rëndësinë e investimeve të sipërmarrjes te burimet njerëzore. “Përpara disa vitesh u publikua një listë e kompanive më të mëdha globale dhe ecja e tyre në 10 vite. Ishte një pasqyrë e jashtëzakonshme për të parë investimet në burimet njerëzore. Të gjitha kompanitë që në fillim të 10 viteve kishin investuar më pak në burime kishin ardhur me rënie, sesa ato që kishin investuar më shumë. Në fillim duket sikur jep, por ai të kthen atë që fiton disafish”, pohoi Rama.

Share this post: