Prezantohet ministri i ri i MIE, Karakaçi: I qartë për vizionin që duan qytetarët
2026-03-06 - 15:04
Pas ceremonisë së betimit këtë të premte në Presidencë, është bërë edhe prezantimi zyrtar i Ministrit të ri të Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi. Në fjalën e tij para stafit të MIE ai nënvizoi qasjen dhe objektivat që do të ketë në krye të këtij institucioni. “Kam hyrë në këtë ministri për herë të parë si specialist në vitin 2011, kam bërë rrugëtimin tim në disa pozicione dhe së fundmi si drejtor i OSHEE. Pikërisht për shkak të këtij rrugëtimi unë jam shumë i qartë sa i takon vizionit qasjes, objektivave dhe çfarë kërkohet nga Kryeministri dhe qytetarë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë” do të nënvizonte Karakaçi pas prezantimit që u hap si fillim nga ish-Zv.Kryeministrja ish-Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Gjatë dorëzimit të stafetës, Balluku vlerësoi Karakaçin për punën që ka bërë në disa pozicione që ka mbuluar. “Në krahun tim unë sot kam ministrin e ri, që sapo ka nisur një rrugëtim shumë të rëndësishëm. Dua të them dy fjalë për Enean, pasi kam dëgjuar 3-4 ditët e fundit, ashtu siç kam dëgjuar muajit e fundit të pavërteta, gjysmë të vërteta, edhe gënjeshtra. Enea Karakaçin e kam njohur në këtë ministri, e kam gjetur këtu në dhjetor të vitit 2018 edhe pavarësisht se kishim punuar edhe më parë bashkë, për shkak të detyrës sime të mëparshme si drejtuese e Navigimit Ajror Shqiptar”, tha Balluku. “Enea është rritur në këtë ministri, ka kaluar nivele të ndryshme, duke u kthyer kështu në një provë të gjallë të zhvillimit të aseteve të administratës publike, dhe se si vizioni i Edi Ramës sot ka arritur aty ku duhet të arrijë një administratë europiane për të nxjerrë drejtuesit politik, siç janë ministrat, nga vet radhët e kësaj administrate” tha Balluku.