TheAlbaniaTime

Presioni në tregun e punës, bizneset rrisin pagat, por sakrifikojnë shpërblimet dhe trajnimet

2026-03-26 - 13:11

Tregu i punës në vendin tonë po kalon një fazë, ku mungesa e krahut të punës po detyron sipërmarrjet të ndryshojnë politikat për pagat. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT për treguesit ekonomike të ndërmarrjeve me 2024 bizneset po fokusohen te rritja e pagës, po janë duke lënë pas dore stimujt e tjerë për burimet njerëzore si shpërblimet apo paketat e trajnimeve. Gjatë vitit 2024, shpenzimet për paga të bizneseve aktive arritën në 348 miliardë lekë , duke shënuar një rritje prej 9% krahasuar me vitin paraprak. Ky zgjerim vjen pas një rritjeje të vazhdueshme që nga viti 2021, kur ky zë kapte vlerën e 232 miliardë lekëve. Ky trend tregon se për të mbajtur punonjësit ekzistues nga vala e emigrimit bizneset kanë zhvendosur peshën kryesore të buxheteve drejt pagave mujore. Megjithatë, kjo rritje duket se po vjen me kosto të tjera që kanë prekur trajnimet dhe shpërblimet. Shpenzimet për ketë zë kanë pësuar një rënie vjetore me 18% gjatë vitit 2024, duke zbritur në 2,2 miliardë lekë nga 2,7 miliardë lekë në 2023. Bizneset, të ndodhura nën presionin e kostove të larta operacionale, po zgjedhin të rrisin pagesën fikse duke sakrifikuar bonuset dhe programet e rritjes profesionale. Kjo tendencë rrezikon të zbehë motivimin afatgjatë dhe rritjen e produktivitetit që vjen përmes trajnimeve të vazhdueshme. Shpenzimet për trajnime dhe shpërblime kanë pësuar rënie sistematike në vlerë absolute, sidomos në vitet e fundit. Në vitin 2013 këto shpenzime arritën kulmin prej 4,4 miliardë lekë dhe 10 vite më pas janë përgjysmuar, duke zbritur në vetëm 2,187 në vitin 2024. Shpërblimet dhe trajnimet zunë vetëm 0.6 % të shpenzimeve të personelit me 2024 nga 0.8 që ishin në vitin 2023. Pesha e shpërblimeve dhe trajnimeve nga 3.9 % të shpenzimeve të personelit më 2013 pësuan rënie sistematike më pas për të rënë poshtë 1 % pas pandemisë. Në kohën kur teknologjia po përparon me shpejtësi dhe po dikton të gjitha procesit e punës, trajnimet e stafeve janë jetike për përshtatjen me risitë. Në Europë shpenzimet për trajnimin e punonjësve dhe bonuset janë shumë më të larta, por ndryshojnë ndjeshëm sipas vendit dhe industrisë. Sipas të dhënave të Eurostat buxhetet e trajnimit shpesh zënë rreth 2–2.5% të buxhetit total të kompanisë, ndërsa bonuset e performancës mund të variojnë nga 15-20% e pagës vjetore bruto në sektorë si financa ose konsulenca./ B.Hoxha Burimi: INSTAT

Share this post: