TheAlbaniaTime

Presidentja Osmani shpërndan Kuvendin, Kosova shkon në zgjedhje të reja

2026-03-06 - 10:04

Kosova po shkon sërish në zgjedhje të reja parlamentare, pasi presidentja Vjosa Osmani ka shpërndarë Kuvendi i Republikës së Kosovës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të premten. Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se dështimi i të enjtes mbrëma i deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ka shtyrë Kosovën në zgjedhje të reja. “Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata përfaqësues nuk zgjodhën interesin e popullit”, ka theksuar ajo. Presidentja e ka quajtur papërgjegjësi që Kuvendi nuk ka arritur ta zgjedhë presidentin e ri, derisa ka thënë se situatën e sollën njerëz “me qëllime të rrezikshme”. “Askush nuk do duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”. Sipas Osmanit, Kushtetuta e thotë qartë se afati për president ka përfunduar mesnatën e së enjtes. “Procedura për zgjedhjen e presidentit edhe pse mund të fillojë deri 60 ditë para afati të fundit, nuk mund të shtyhet më tej por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Afati përfundimtar është i qartë, ka qenë mbrëmë në mesnatë dhe presidenti nuk mund të zgjidhet pas këtij momenti”, ka shtuar ajo. “Deputetët kanë pasur në dispozicion 23 ditë për ta kryer këtë detyrë kushtetuese, ata vendosën të mos e bëjnë këtë. Fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë ditët, nuk e ndryshon Kushtetutën tonë dhe nuk e zhbën detyrën time që ta shpërndaj këtë Kuvend i cili dështoi”. Ajo ka thënë se neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe mandati i saj përfundon më 4 prill. “Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një debat publik. Kemi të bëjmë me një fakt të qartë kushtetues. Kushtetuta nuk është shkruar për interpretime që relativizojnë peshën e saj. Ajo është shkruar për të garantuar funksionimin e shtetit, jo zvarritjen dhe mosfunksionimin”. Në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes vonë, të mbajtur veç pak orë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi e ka ndalur procesin e zgjedhjes, si pasojë e mungesës së kuorumit të nevojshëm. Për zgjedhjen e presidentit, në dy raundet e para të votimit duhet të jenë në kuti 80 vota e në të tretin, të paktën 61. Në sallë, të enjten kanë qenë të pranishëm 66 deputetë të koalicionit qeverisës, ndërsa kanë munguar ata të opozitës. Për mungesë kuorumi ka dështuar edhe seanca e mëparshme e thirrur për shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese, të përcjella nga presidentja Vjosa Osmani për votimin e presidentit nga populli. E pas mbylljes së seancës së dytë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Share this post: