TheAlbaniaTime

Plazhet, si do t’i përdorin “strategjikët”, projektvendimi për marrëveshjen me shtetin

2026-02-24 - 09:04

Investitorët strategjikë do të kenë prioritet për përdorimin e plazheve në raport me pjesën tjetër, të paktën sipas një rregulloreje që u miratua vetëm pak javë më parë por taksmë qeveria ka gati draft-marrëveshjen që do të nënshkruhet me këtë palë. Në një projektvendim që po konsultohet me grupet e interesit parashikohet që e drejta mbi plazhin lind nga momenti kur investitori strategjik vë në funksion strukturën akomoduese. Në nenin 4 të marrëveshjes thuhet specifikisht se duke filluar nga data e vënies në funksion të strukturës akomoduese, Përfituesi gëzon të drejtën e përfitimit të pagesës vjetore për përdorimin e brigjeve të deteve, liqeneve, lumenjve si stacione plazhi, objekt i kësaj marrëveshje. Pagesa vjetore e tarifës për përdorimin e brigjeve të deteve, liqeneve, lumenjve si stacione plazhi, për të gjithë periudhën gjatë së cilës brigjet vihen në dispozicion të Përdoruesit, është e barabartë me tarifën e përcaktuar nga Këshilli Bashkiak i Përfituesit për vënien në dispozicion të brigjeve, e cila është në fuqi në datën e nënshkrimit të kësaj marrëveshje dhe mund të pësojë ndryshime sipas rishikimit periodik të tarifave nga ky Këshill. Ndërkohë pika dy e të njëjtit nen sanksionon se brenda muajit Tetor të çdo viti, Përfituesi i dërgon Përdoruesit faturën për arkëtim. Përdoruesi bën pagesën e tarifës, brenda 30 ditëve nga marrja e faturës për arkëtim. Marrëveshja përfshin të drejtat dhe detyrimet e dhënësit, të drejtat dhe detyrimet e përdoruesit si dhe penalitetet apo mënyrën sesi zgjidhen mosmarrëveshjet mes palëve. Në rastet kur pagesa nuk kryhet në kohë neni 9 parashikon se dhënësi, me anë të një njoftimi me shkrim, informon Përdoruesin për detyrimin e tij për të korrigjuar mos përmbushjen e konstatuar brenda një afati jo më të shkurtër se tridhjetë (30) ditë kalendarike nga data e marrjes së njoftimit. « Në rast se, pas përfundimit të afatit të përcaktuar më sipër, konstatohet se Përdoruesi nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për përmbushjen e detyrimit të tij për të paguar tarifën, Dhënësi ka të drejtë të zgjidhë menjëherë këtë marrëveshje me përdoruesin, për shkak të mos përmbushjes së detyrimeve të përcaktuara në këtë marrëveshje nga ana e Përdoruesit » thuhet në këtë nen. Marrëveshja përfshin edhe disa shtojca ku ndër të tjera vendosjen e kullave të vrojtimit në plazh dhe anën materiale që duhet të kenë ato në çdo rast.

Share this post: