TheAlbaniaTime

Plani 2026/ Shqipëria do të masë shkencën dhe inovacionin, por të dhënat vijnë me një cikël prapa

2026-03-03 - 12:44

Këtë vit Instituti i Statistikave do të mbledhë, përpunojë dhe dërgojë në Eurostat një seri treguesish mbi shkencën, inovacionin dhe teknologjinë në Shqipëri. Në letër, është një paketë e plotë statistikore që mbulon fondet publike për kërkimin shkencor, aktivitetin kërkimor në universitete, biznese dhe organizata jofitimprurëse, si edhe përdorimin e teknologjisë së informacionit nga ndërmarrjet dhe familjet. Në praktikë, mbetet e paqartë se sa nga këto të dhëna do të kthehen në politikë publike dhe sa do të mbeten ushtrim formal për përputhshmëri me rregulloret europiane. Në fushën e shkencës dhe teknologjisë, INSTAT do të përpunojë të dhënat mbi fondet buxhetore për kërkimin shkencor për vitin 2025 dhe do t’i transmetojë ato në Eurostat gjatë vitit 2026. Paralelisht, janë mbledhur të dhëna nga katër sektorë kyç, bizneset private, organizatat jofitimprurëse, institucionet qeveritare dhe arsimi i lartë. Por edhe këtu, prodhimi i treguesve kryesorë shtyhet për vitin pasardhës, duke e lënë debatin publik pa informacion të përditësuar mbi shpenzimet reale dhe kapacitetet njerëzore në kërkim shkencor. Edhe statistikat e inovacionit vijnë me vonesë strukturore. Treguesit që do të publikohen në qershor 2026 bazohen në një vrojtim të realizuar në fund të vitit 2024 dhe mbulojnë periudhën 2022–2024. Në një ekonomi që ndryshon shpejt, kjo do të thotë se politikat për inovacionin mbështeten mbi të dhëna që, në momentin e publikimit, janë tashmë të vjetra. Në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, tabloja është më e gjerë, por jo domosdoshmërisht më e thellë. INSTAT parashikon vrojtime vjetore për përdorimin e TIK nga ndërmarrjet me mbi 10 të punësuar dhe nga familjet dhe individët e moshës 16–74 vjeç. Treguesit do të tregojnë se sa përdoret interneti, teknologjia digjitale dhe shërbimet online, por jo domosdoshmërisht si ndikojnë ato në produktivitet, konkurrueshmëri apo transformim ekonomik. Një element që bie në sy është përputhshmëria e pjesshme me acquis të Bashkimit Europian. Vetë dokumenti pranon se statistikat e shkencës kanë përputhshmëri të ulët me rregulloret europiane, ndërsa inovacioni dhe TIK janë vetëm pjesërisht në linjë me standardet e BE-së. Këto informacione janë marrë nga Projektvendim për miratimin e planit vjetor 2026 “Për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2022-2026” e cila është ende në fazë diskutimi në Kuvend./ D.Hyka

Share this post: