Paralajmërimi për shtrenjtim të energjisë, të premten protestohet në Prishtinë
2026-02-04 - 09:46
Në shenjë kundërshtimi ndaj paralajmërimeve për rritje të re të çmimit të energjisë elektrike, të premten pritet të mbahet një protestë para ndërtesës së KEDS-it në Prishtinë. Një protestë kundër paralajmërimeve për rritje të re të çmimit të energjisë elektrike pritet të mbahet të premten në Prishtinë. Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata “Përpjekja” kanë ftuar qytetarët të dalin në rrugë në orën 13:00, me nisje para ndërtesës së KEDS-it dhe përfundim para Qeverisë së Kosovës. Organizatorët e protestës kanë deklaruar se që nga viti 2022 faturat e energjisë elektrike janë shtrenjtuar në baza vjetore, duke theksuar se kërkesat e KEDS-it për rritje çmimesh po aprovohen nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) në dëm të qytetarëve. Sipas tyre, qytetarët nuk po paguajnë vetëm koston reale të energjisë, por edhe humbjet dhe keqmenaxhimin e kompanisë, ndërkohë që përballen me ndërprerje të shpeshta të rrymës, mungesë ngrohjeje dhe rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës. Aktivistët përmendin rritjen prej 16.1 për qind të çmimit të energjisë elektrike vitin e kaluar, duke paralajmëruar se sivjet po diskutohet një rritje tjetër rreth 20 për qind, të cilën e cilësojnë si të papranueshme. Organizatorët kanë ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që t’u bashkohen në protestë, duke theksuar se vetëm përmes reagimit qytetar mund të ndalet, siç thonë ata, “hajnia shumëvjeçare” dhe të mbrohet interesi publik. “Që nga viti 2022 faturat e rrymës shtrenjtohen në baza vjetore. KEDS-i kërkon rritje të faturave, ndërsa ZRrE-ja, si të ishte argat i tyre, ia aprovon çdo kërkesë në kurriz të popullit. Sot qytetarët/et e Kosovës nuk paguajnë vetëm koston e rrymës: ne paguajmë për humbjet e KEDS-it, paguajmë për keqmenaxhimin e tyre, paguajmë për etjen e tyre të pafund e për çdo gabim që ata bëjnë, krejt kjo vetëm për t’i siguruar që xhepat e tyre të vazhdojnë të trashen në kurrizin tonë. Në shkëmbim ne prapë kalojmë ditë pa rrymë, me mosfurinizim të bollshëm, pa ngrohje në ditë dimri e me shtrenjtime të vazhdueshme të çdo aspekti të jetës sonë si pasojë e rritjes së çmimit të rrymës. Pas rritjes prej 16.1% që na u bë në mënyrë grabitqare nga ZRrE-ja vitin e kaluar, edhe sivjet po na paralajmërohet një vjedhje tjetër, tash diku 20%. Kjo hile e radhës prapë po i bashkon institucione publike e private që për ta pasuru KEDS-in po na e kthejnë kamxhikun neve, për të na rrjepë deri në cent të fundit”. Zyra e Rregullatorit për Energji ka treguar se aplikimet për shtrenjtim të tarifave të operatoreve energjetik janë në fazën e shqyrtimit. Sipas tyre vendimi do të merret në muajin mars. “Informacioni i shpallur lidhet me kërkesën për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave për Operatorin e Nominuar të Energjisë Elektrike (ALPEX) dhe konfirmimin e tarifave për vitin 2026, të cilat do të mbeten të pandryshuara krahasuar me periudhën paraprake. Ky vendim nuk ka të bëjë me tarifat për operatorët e tjerë të energjisë, si KOSTT, KEDS dhe KESCO, të cilat janë ende subjekt i një procesi të rishikimit dhe vlerësimit të aplikacioneve për të hyrat e lejuara maksimale. Ndërsa një vendim për shtrenjtim apo jo te rrymës për te gjithë konsumatorët pritet të merret në muajin mars”. Ditë më parë është konfirmuar se KESCO ka kërkuar një shtrenjtim të rrymës prej 21%, një ndër arsyetimet e tyre ishte edhe rritja e pagës minimale fillimisht prej 425 euro e më pas 500 euro. Kurse, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se që nga 19 dhjetori është duke operuar në një regjim të jashtëzakonshëm prodhimi të energjisë elektrike, duke mbajtur tri blloqe të Termocentralit Kosova A në punë paralelisht për plot 31 ditë. Sipas të dhënave të KEK-ut, operimi me tri njësi të Kosovës A është realizuar në periudha të ndryshme gjatë muajve dhjetor, janar dhe fillimit të shkurtit. Konkretisht, sipas njoftimit të KEK-ut, gjatë muajit dhjetor janë regjistruar 9 ditë operim paralel, ndërsa në janar ky regjim është mbajtur për 20 ditë, përfshirë periudhat 1–7 janar, 15–16 janar dhe 21–31 janar. Edhe në fillim të shkurtit, më 1 dhe 2 shkurt, tri njësitë kanë qenë në punë njëkohësisht, duke e çuar totalin në 31 ditë. “Ky nivel operimi përfaqëson një ngarkesë të jashtëzakonshme teknike dhe njerëzore për termocentralin më të vjetër në vend”, thuhet në reagimin e Korporatës KEK-u thekson se standardi operativ që nga paslufta ka qenë funksionimi me katër njësi gjeneruese – dy nga Kosova A dhe dy nga Kosova B – ndërsa një njësi tjetër ka shërbyer gjithmonë si rezervë e nxehtë për siguri të sistemit dhe reagim emergjent. Megjithatë, për shkak të rritjes së konsumit dhe nevojës për garantim të sigurisë energjetike, nga 19 dhjetori KEK-u ka kaluar në një gjendje të jashtëzakonshme, duke arritur të operojë me pesë njësi gjeneruese njëkohësisht për rreth 30 ditë. Ky operim ka përfshirë tri njësi nga Kosova A dhe dy nga Kosova B, duke tejkaluar standardin normal të punës. Gjatë muajve të fundit, Kosova është përballur me reduktime të shpeshta. Së fundmi, KESCO ka kërkuar nga ZRRE-ja të rritet çmimi i rrymës për 21 për qind. Qytetarët në Kosovë janë përballur me mungesë të energjisë elektrike edhe në të kaluarën, dhe rasti i fundit ishte në dhjetorin e vitit 2025, kur autoritetet bën thirrje për kursim të energjisë elektrike në orët e pikut. Kosova prodhon pjesën më të madhe të energjisë elektrike përmes dy termocentraleve të vjetra, Kosova A dhe B. Përmes këtyre dy termocentraleve, që funksionojnë me thëngjill, Kosova prodhon 94 për qind të energjisë, apo rreth 800 megavat në orë, ndërkaq pjesa tjetër sigurohet përmes energjisë së gjelbër, përkatësisht nga hidrocentralet, turbinat e erës dhe panelet diellore. Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se vetëm më 2025 ka ndarë miliona euro për rehabilitimin e tyre. Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se vendi ka importuar rrymë në vlerë të rreth 248 milionë eurove në periudhën janar-nëntor 2025, ndërsa ka eksportuar në vlerë të rreth 48 milionë eurove. Importin, Kosova e ka siguruar kryesisht nga Maqedonia e Veriut, në vlerë të 114 milionë eurove, dhe nga Shqipëria, në vlerë të 94 milionë eurove, ndërsa ka importuar në vlera nga 3-4 milionë edhe nga Sllovenia, Serbia e Danimarka.