TheAlbaniaTime

Para hapjes së IPARD III, qeveria ndryshon strukturën menaxhuese

2026-03-03 - 14:54

Parashikohet që brenda këtij vitit të hapet programi IPARD III për dhënien e fondeve në ndihmë të sektorit të bujqësisë. Para hapjes programit qeveria ka ndryshuar strukturën menaxhuese. Ndryshimet e vendimit “Për ngritjen e strukturave dhe autoriteteve përgjegjëse për menaxhimin indirekt dhe ushtrimin e funksioneve, të përgjegjësive dhe të marrëdhënieve ndërmjet autoriteteve dhe strukturave të menaxhimit indirekt të asistencës së Bashkimit Evropian, në kuadër të programit për zhvillimin rural të instrumentit për asistencën e paraanëtarësimit (IPARD III)” janë botuar në Fletoren Zyrtare. Sipas vendimit të mëparshëm, struktura menaxhuese përbëhej nga organi kontabël dhe zyra mbështetëse e ZKA-së (Zyrtari Kombëtar Autorizues), si struktura të veçanta në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, nën përgjegjësinë e ZKA-së për zbatimin e programit IPARD III, me ndarje të qartë detyrash sipas vendimit dhe rregulloreve përkatëse. Me ndryshimin e ri, struktura vazhdon të përbëhet nga zyra mbështetëse e ZKA-së dhe organi kontabël, por tashmë përcaktohet se ajo do të drejtohet nga drejtori i përgjithshëm i strukturës për menaxhimin e fondeve të Bashkimit Europian në ministrinë përgjegjëse për financat. Sipas ndryshimeve, struktura menaxhuese do të vijojë të veprojë nën përgjegjësinë e ZKA-së dhe në përputhje me funksionet e përcaktuara në vendim, si dhe me manualet dhe rregulloren e brendshme të ministrisë. Programi IPARD III parashikohej të hapej 2 vite më parë, por zbatimi i tij u pezullua për shkak të shkeljeve të gjetura me shpërndarjen e fondeve për IPARD II. Në gusht 2023, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) konstatoi shkelje të rënda dhe keqpërdorime të fondeve të programit IPARD II, pas hetimeve të nisura mbi denoncime të qytetarëve për korrupsion, favorizime dhe ndërhyrje politike. Ministri Salla: IPARD III do të hapet brenda 6 muajve, masa të reja edhe me Skemën Kombëtare Ishte STRUKTURA MENAXHUESE 1. Struktura menaxhuese përbëhet nga organi kontabël dhe zyra mbështetëse e ZKA-së (Zyrtari Kombëtar Autorizues) struktura të veçanta në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, nën përgjegjësinë e ZKA-së për zbatimin e programit IPARD III, me një ndarje të qartë të detyrave, siç përshkruhet në këtë vendim, në manualet e tyre të procedurave dhe rregulloren e brendshme të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë Bëhet “1. Struktura menaxhuese, e përbërë nga zyra mbështetëse e ZKA-së së dhe organi kontabël, si struktura të veçanta, drejtohet nga drejtori i përgjithshëm i strukturës për menaxhimin e fondeve të Bashkimit Evropian në ministrinë përgjegjëse për financat, nën përgjegjësinë e ZKA së, për zbatimin e programit IPARD III, sipas funksioneve të përcaktuara në këtë vendim dhe në përputhje me manualet e brendshme të procedurave dhe rregulloren e brendshme të ministrisë përgjegjëse për financat.”

Share this post: