Paketa e Maleve arrin në 400 aplikime; Demo: 8 bashki do të dërgojnë për miratim zonat prioritare
2026-03-17 - 11:42
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi gjatë një konference për shtyp se numri i aplikimeve për Paketën e Maleve ka arritur në 400. I pyetur nga gazetarët ministri Demo tha bëhet fjalë për rreth 400 aplikime me probabilitet të lartë suksesi, të cilat ndodhen brenda zonave prioritare të shpallura dhe në bashki që kanë kaluar procesin e miratimit të këtyre zonave. Ministri Demo u shpreh se objektivi për të arritur 1,000 aplikime deri në fund të vitit 2026 është i realizueshëm. “Jemi të gatshëm të asistojmë bashkitë për shpalljen sa më të shpejtë të zonave prioritare. Pas miratimit të tyre nga qeveria, bashkitë do të ndjekin hapat e parashikuar në ligj”, theksoi ai. Demo shtoi se Paketa e Maleve pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e territorit të bashkive, ndërsa një pjesë e shpalljes së zonave prioritare, kanë kaluar tashmë fazën e miratimit nga bashkitë. “Në mbledhjen e radhës së qeverisë do të kemi 8 bashki të përfshira në zonat prioritare. Bashkitë janë të hapura dhe kanë në dispozicion të gjithë kornizën ligjore”, deklaroi ministri. Ndërkohë, disa muaj më parë, kryeministri Edi Rama kishte ngritur shqetësimin për ecurinë e ngadaltë të Paketës së Maleve, duke u bërë thirrje bashkive të përcaktojnë zonat prioritare brenda afateve të përcaktuara. https://monitor.al/paketa-e-maleve-po-ecen-ngadale-rama-bashkite-te-percaktojne-zonat-prioritare-brenda-tetorit/ Gjatë konferencës për shtyp, ministri Ervin Demo u ndal edhe te përgatitjet për sezonin turistik. Ai theksoi se bashkitë po punojnë ngushtësisht me institucionet qeveritare për pastrimin e zonave bregdetare dhe atyre pranë liqeneve, ku pritet fluks i lartë turistësh. “Nuk jemi në lartësinë e duhur, duhet ta pranojmë këtë fakt. Ka ende shumë hapësirë për përmirësim në menaxhimin e mbetjeve në tërësi. Jemi në fazën e diskutimeve edhe me Ministrinë e Mjedisit dhe bashkitë për të ndërtuar një model të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve edhe në pjesë të tjera të territorit. Ne duhet të garantojmë mbulimin 100% të këtij fenomeni nga bashkitë, brenda një afati të caktuar. Është sfiduese, ka kosto, por nuk ka zgjidhje tjetër”, u shpreh ai.