TheAlbaniaTime

Pagat rrisin kostot e ndërtimit në tremujorin e katërt

2026-03-04 - 12:14

Kostot e ndërtimit po vijojnë të rriten, ndonëse me ritme më të ngadalësuara, teksa pagat mbeten një faktor kryesor që po ndikon në këtë tendencë. Mungesa e fuqisë punëtore po detyron punëdhënësit që të rrisin pagat, apo të marrin punonjës nga jashtë, ku më të preferuarit janë ata nga Egjipti. Sipas INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e katërt 2025 arriti 114,1 kundrejt tremujorit të katërt 2021 si periudha bazë. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e katërt 2025 është 1,2%, i njëjtë me ndryshimin vjetor të regjistruar në të njëjtin tremujor të vitit paraardhës. Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime për paga” me 6,0%, pasuar nga grupi “Shpenzime makinerie” dhe “Kosto të tjera” përkatësisht me 1,8% secili dhe “Shpenzime transporti” me 1,6%. Nga ana tjetër grupi “Shpenzime materiale” shënoi ulje me 0,9%. Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indeksi i nëngrupit “Materiale ndërtimi” shënoi ulje me 1,1%, pasuar nga dhe nëngrupi “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” me 0,6% dhe nga nën grupi “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 0,1%. Ndryshimet tremujore të grupeve kryesore: Indeksi i Kushtimit në Ndërtim shënoi rritje me 0,1%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime për paga” me 1,4%, pasuar nga grupet “Shpenzime makinerie” dhe “Kosto të tjera” përkatësishme 0,3% secili dhe “Shpenzime transporti” me 0,1%. Nga ana tjetër, grupi “Shpenzime materiale” ka shënuar ulje me 0,5%. Brenda këtij grupi, ulje pati nëngrupi “Materiale ndërtimi” me 0,6%, pasuar nga nëngrupi “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” me 0,5% dhe nëngrupi “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 0,3%. Çmimet e apartamenteve ndërkohë kanë shënuar rritje të vazhdueshme vitet e fundit. Të dhënat e matjeve nga disa idekse njëherësh tregojnë që në Tiranë, rritja e çmimeve të apartamenteve është përshpejtuar. Në 6-mujorin e parë të 2025-s, të dhënat e Indeksit Fischer të Bankës së Shqipërisë, treguan se çmimet e banesave në vend u rritën me 14.6% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me 41.7% në krahasim me 2024. Si pasojë, blerja e një banese po bëhet gjithnjë e më e paarritshme për familjet me të ardhura të mesme dhe të ulëta. Ndërsa qiratë tejkalojnë kufijtë e përballueshmërisë të rekomanduar nga standardet ndërkombëtare. Deri në qershor 2025, sipas indeksit “Keydata”, çmimi mesatar për një metër katror apartament arriti në 1,830 euro. Çmimi mesatar është llogaritur mbi bazë të dhënash për çmimet e apartamenteve ekzistuese, pra për ndërtesa të ndërtuara 5, 10 apo 15 vite më parë. Në krahasim me 2005-n, viti më i hershëm kur ka filluar llogaritja, çmimet janë 2.8 herë më të larta. Çmimi mesatar i apartamenteve në 20 vite është gati trefishuar krahasuar me vitin 2005. Apartament në Tiranë: Mision i paarritshëm për shtresën e mesme

Share this post: