TheAlbaniaTime

Pa rrugëdalje

2026-03-13 - 21:14

Si e kanë ndryshuar Rusinë katër vite luftë. Luftimet në Ukrainë kanë riformësuar jetën e përditshme, shkruan The Economist Një burrë rreth të pesëdhjetave, i veshur me uniformë ushtarake, hipën në një autobus në qendër të Moskës. Ai mban një qese plastike me brenda një shishe vodka dhe një kanoçe birre. Duke u lëkundur lehtë, me sytë e turbullt, ai pi herë nga njëra, herë nga tjetra. Vështron pasagjerët e tjerë dhe thotë, pa iu drejtuar askujt në veçanti: “Po mbajmë mbrojtjen. Po mbajmë mbrojtjen”. Pasagjerët shmangin shikimin. Ata duan të shmangin kontaktin me një protagonist të “operacionit special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë. Shumë rusë përpiqen ta injorojnë luftën, e cila nisi katër vite më parë, por kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Nuk ka shenja të një kolapsi të afërt, politik apo ekonomik. Por edhe regjimi shtypës i Vladimir Putinit nuk mund të fshehë mënyrat e shumta se si lufta po ndikon në jetën e përditshme. Edhe duke lëvizur thjesht brenda vendit, shenjat e luftës janë të shpeshta. Sistemet e mbrojtjes të krijuara për të penguar sulmet me dronë ukrainas po ngatërrojnë sistemet e navigimit satelitor të makinave në Moskë dhe qytete të tjera. Ky manipulim i sinjalit GPS (spoofing) mund të bëjë që pajisjet GPS të mendojnë se ndodhen 50 kilometra larg vendndodhjes reale. Drejtuesit duhet të studiojnë paraprakisht rrugët, të përdorin harta letre ose të kërkojnë udhëzime. Udhëtimi ajror është një tjetër problem. Frika nga dronët dhe shqetësime të tjera ushtarake shkaktuan më shumë se 500 mbyllje aeroportesh vitin e kaluar. Sanksionet pengojnë importin e pjesëve rezervë për avionët e prodhuar nga Airbus dhe Boeing, që përbëjnë 90% të fluturimeve të pasagjerëve. Vitin e kaluar pati 800 defekte, më shumë se trefishi i një viti më parë. Disa kompani ajrore po rinovojnë avionë të vjetër rusë, megjithëse edhe këta shpesh pësojnë defekte. Edhe lëvizja nga niveli i rrugës drejt kateve të sipërme të ndërtesave mund të jetë një sfidë, për arsye të ngjashme. Shumë ashensorë janë prodhuar jashtë vendit dhe pjesët rezervë janë të vështira për t’u gjetur. Kur disa banorë të Moskës, të zemëruar nga prishjet e shpeshta në pallatin e tyre, së fundmi nisën të pyesnin teknikët e ashensorëve për cilësinë e dobët të punës, ata u përgjigjën duke ngritur sytë sikur drejt një mbikëqyrësi të padukshëm dhe duke thënë: “Po pyesni njerëzit e gabuar.” Nënkuptimi ishte se riparimet e qëndrueshme janë të pamundura ndërsa autoritetet i japin përparësi luftës mbi shqetësimet më të përditshme. Humbje në rrjet Komunikimet po bëhen çdo ditë e më të vështira. Pas muajsh kufizimesh, YouTube dhe WhatsApp janë tashmë plotësisht të bllokuara. Telegrami, një aplikacion mesazhesh dhe një nga burimet kryesore të informacionit jo të kontrolluar nga shteti, po ngadalësohet, duke nxitur ankesa edhe nga anëtarë të Dumës, Parlamentit të nënshtruar të Rusisë. Njerëzit po shtyhen të përdorin një rival të mbështetur nga shteti, Max, i cili vjen i instaluar paraprakisht në të gjithë telefonat dhe tabletët e rinj dhe besohet se lehtëson mbikëqyrjen e qeverisë. Në teori, qasja në shumë faqe perëndimore është e mundur, por në praktikë ofruesit e internetit lejojnë të ngarkohet vetëm një pjesë e vogël e të dhënave. Top10VPN, një shërbim që monitoron ndërprerjet e internetit dhe VPN-të (shërbim që krijon një lidhje të sigurt dhe të fshehtë mes pajisjes telefonike dhe internetit), numëroi 58 ndërprerje rajonale ose kombëtare të internetit vitin e kaluar, me një kohëzgjatje mesatare prej 25 ditësh. Ekonomia ka rezistuar çuditërisht mirë. Në fund të vitit 2021, përpara se të fillonte lufta, ekonomistët mendonin se Rusia do të rritej me rreth 2% në vit gjatë 2022-24. Në realitet, ajo u rrit pak më shpejt se kaq, pavarësisht konfliktit dhe sanksioneve të rënda perëndimore, ndërsa eksportet e naftës u rritën dhe qeveria hapi rubinetet fiskale. Në vitin 2025, rritja u ngadalësua ndjeshëm, ndoshta në 0.6%. Megjithatë, papunësia mbetet jashtëzakonisht e ulët, në 2%. Ndërkohë, besimi i konsumatorëve mbetet pranë niveleve rekord, sipas të dhënave nga Levada, një institut i pavarur sondazhesh. Shifrat agregate fshehin faktin se ekonomia ka ndryshuar rrënjësisht. Papunësia është kaq e ulët në masë të madhe sepse makina e luftës së Rusisë ka thithur fuqinë punëtore dhe qindra mijë rusë janë larguar nga vendi. Rritja në 2023 dhe 2024 u mbështet shumë te bujaria shtetërore, jo vetëm në shpenzimet ushtarake, por edhe në infrastrukturë dhe mirëqenie. Punësim për armë Qytete si Izhevsk, në malet Urale, shtëpia e grupit Kalashnikov, një prodhues i madh armësh, po lulëzojnë. Çmimet e pronave po rriten dhe po hapen restorante të reja. Pjesë të tjera të ekonomisë po ecin më dobët. Rusia, e mbushur me talente teknike, kishte shpresuar të konkurronte në garën e IA mes SHBA-së dhe Kinës. Në praktikë, ajo nuk duket askund. Sanksionet kanë kufizuar qasjen në çipat më të avancuar, ndërsa shumë nga shkencëtarët më të mirë të vendit janë larguar. Kush ka dëgjuar për GigaChat, një chatbot IA i zhvilluar nga Sberbank, banka më e madhe e Rusisë? Ekonomia civile shfaq shenja dobësie. Numri i bizneseve të reja të regjistruara vitin e kaluar ishte më i ulëti në 14 vjet dhe 20% më i ulët se në 2024. Vonesat në paga janë dyfishuar gjatë vitit të kaluar në 2.2 miliardë rubla (29 milionë dollarë), kryesisht në industrinë e ndërtimit. Samolet, një zhvillues i madh pronash, ka vështirësi të shërbejë borxhin dhe ka kërkuar ndihmë nga qeveria. Avtovaz, prodhuesi më i madh i makinave në Rusi, po operon fabrikat vetëm katër ditë në javë. Edhe ata me të ardhura të larta nuk janë imunë ndaj tronditjes ekonomike. Për shkak të sanksioneve, mallrat që më parë importoheshin nga Bashkimi Europian ose prodhoheshin nga ndërmarrje të përbashkëta ruse me kompani perëndimore janë zëvendësuar nga alternativa kineze. Rezultati është mbyllja e fabrikave dhe më pak alternativa për konsumatorët. Ka shumë pengesa për sektorin privat, si rritja e madhe e taksës mbi korporatat vitin e kaluar. Por një faktor i madh që dekurajon investimet është vala e shpronësimeve që është forcuar ndërsa lufta ka vazhduar. Nisi me firmat e huaja që u larguan nga Rusia në fillim të luftës. Asetet e tyre u sekuestruan dhe u rishpërndanë me shpejtësi. Për shembull, operacionet ruse të Danone, prodhuesit francez të kosit, iu shitën për një çmim simbolik një nipi të Ramzan Kadyrovit, udhëheqës milicie dhe aleat i Kremlinit. Grabita e aseteve shpejt u zgjerua edhe te bizneset ruse. Rasti më i fundit është aeroporti Domodedovo i Moskës, që dikur vlerësohej 5 miliardë dollarë. Autoritetet ia konfiskuan pronarit dhe e shitën në ankand për më pak se 1 miliard dollarë, gjysmën e çmimit të kërkuar, një filiali të aeroportit Sheremetyevo, i lidhur me Arkady Rotenberg, një nga aleatët e Putinit. Edhe më fatkeq është Vadim Moshkovich, një nga njerëzit më të pasur të Rusisë dhe pronar i Rusagro, një konglomerat bujqësor që është një objektiv i lakmuar për kleptokratët. Vendimet e gjykatave ruse e detyruan të zhvendosë kompaninë nga Qipro në Rusi. Vitin e kaluar ai u burgos për mashtrim. Kompania po ndiqet nga një entitet i drejtuar nga Dmitry Patrushev, ministri i Bujqësisë dhe djali i Nikolai Patrushev, ish-shef i shërbimeve të inteligjencës dhe pjesë e rrethit të ngushtë të Putinit. “Pse duhet të investoj dhe të zgjerohem nëse do të më merret nesër?” pyet një sipërmarrës. Në vitet 2010, prokurorët rusë paraqisnin jo më shumë se një kërkesë për shpronësim në vit. Që nga fillimi i luftës janë shpronësuar mbi 500 kompani, shumica në pronësi ruse. Ato përfshijnë hotele, qendra tregtare, fabrika makaronash dhe distileri. Një vit më parë Igor Krasnov, prokurori i përgjithshëm, u mburr para Putinit se kishte rikuperuar 2.4 trilionë rubla “në dobi të shtetit”. Disa muaj më vonë ai u emërua kryetar i Gjykatës Supreme të Rusisë. Deformimet Lufta ka deformuar sistemin ligjor në shumë mënyra. Personat që bashkohen me ushtrinë shpesh pastrohen nga krimet e mëparshme, pavarësisht sa të rënda janë. Verstka, një media online, ka numëruar 1,112 çështje gjyqësore, përfshirë ndjekje penale për vrasje dhe përdhunim, që janë pezulluar ose hequr sepse të akuzuarit kanë nënshkruar kontrata ushtarake. Si pjesë e paketës standarde të përfitimeve për rekrutët, Putini u ka dhënë ushtarëve imunitet nga ndjekja penale gjatë shërbimit për krime relativisht serioze, përfshirë vjedhjen dhe dhunën. Disa ushtarë mbeten të dhunshëm pas kthimit në shtëpi. Gjatë katër viteve të fundit, rreth 1,000 njerëz janë vrarë ose plagosur nga pjesëmarrës në luftë, sipas Verstka. Gjysma e vrasjeve janë kryer nga ish-të dënuar të rekrutuar nga burgjet. Edhe pse këta zakonisht gjykohen dhe kthehen në burg, shpesh marrin dënime të lehta. Më shumë se 150 burra nga Revda, një zonë periferike me 60,000 banorë pranë Yekaterinburgut, kanë humbur jetën në luftë. Vitin e kaluar dy motra, nëntë dhe shtatë vjeç, humbën jetën jashtë një supermarketi pasi një makinë rrëshqiti në një rrugë të lagësht dhe u përplas me dyqanin. Drejtuesi ishte një rreshter 37-vjeçar, i dehur dhe nën ndikimin e drogës, i kthyer së fundmi nga fronti. Patenta i ishte hequr tre herë më parë, por të gjitha ndëshkimet ishin anuluar për shkak të pjesëmarrjes në luftë. Vrasja është shenjtëruar edhe nga Kisha Ortodokse e Rusisë, e cila e ka shpallur pushtimin e Ukrainës një luftë të shenjtë dhe ka dërguar mijëra priftërinj në front, për të motivuar trupat dhe në disa raste për të luftuar vetë. Të paktën 300 priftërinj besohet se kanë nënshkruar kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes, duke marrë të njëjtat privilegje si veteranët. Që nga fillimi i luftës, Kirilli, patriarku i kishës, ka premtuar se sakrifikimi i jetës në këtë luftë do të lajë çdo mëkat, edhe për ata që nuk pendohen. (Në të kundërt, një protestues kundër luftës që mbante një pankartë “Mos vrit” u ndalua dhe u gjobit për “diskreditim të ushtrisë ruse”.) Alexei Uminsky, një prift që u largua nga Rusia pasi iu hoq detyra për shkak se lutej për paqe në vend të fitores, tha për mediat: “Patriarku ka hequr përgjegjësinë për vrasjen në luftë.” Pavarësisht entuziazmit të kishës, rekrutimi po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Shumë rekrutë janë burra në fund të të 30-ave dhe në të 40-at nga qytete të vogla ose zona të largëta, me pak aftësi ose perspektiva. “Ata e panë operacionin special si një mënyrë për të arritur standardin e jetesës së bashkëqytetarëve më të përparuar”, shpjegon Vladimir Zvonovsky, sociolog nga Samara. Bonusi i nënshkrimit që arriti 2.5 milionë rubla në vitin 2024 në disa rajone mund të përdorej si parapagim për një kredi banese. Pagat prej 200,000 rublash në muaj ishin pesë herë më të larta se paga mesatare. Dukej një zgjedhje racionale, shpesh e marrë nga e gjithë familja. Më shumë rrezik, më pak shpërblim Megjithatë, kjo përllogaritje po duket gjithnjë e më pak tërheqëse. Së pari, shumë ushtarë thonë se nënshkruan një kontratë njëvjeçare pa e ditur se Putini kishte miratuar një dekret që i jepte ushtrisë autoritetin për t’i zgjatur këto kontrata deri në fund të luftës. Ata gjithashtu nuk prisnin të luftonin në vijën e frontit. Ndërkohë, të ardhurat e tyre kanë qenë më të ulëta nga sa shpresonin, si për shkak të viteve me inflacion të lartë, ashtu edhe sepse mbijetesa shpesh përfshin pagesën e ryshfeteve të mëdha oficerëve për të shmangur operacionet më të rrezikshme. Nëse kanë fatin të kthehen në shtëpi, ata shmangen, jo festohen siç premtonte propaganda. “Më kanë mashtruar” është një shprehje e zakonshme. Pakënaqësia po rritet edhe mes të të afërmve të rekrutëve të rinj. “Ndërsa burrat tanë po shkatërrohen atje, ne po shtrydhemi këtu”, thotë një grua. “Çdo ditë sjell gjoba, ndalime, taksa dhe ligje të reja që shfuqizojnë të drejtat e pronës. Çmimet rriten vazhdimisht. Ne mbledhim ndihma humanitare për frontin, ndërsa zyrtarët bëjnë festa”. Paaftësia e dukshme e gjeneralëve rusë nuk ndihmon: “Një vend me një ushtri normale do ta kishte mbyllur këtë brenda një ose tre muajsh, jo ta zvarriste për tre vjet e gjysmë. Ai [Putini] e ka prishur gjithçka plotësisht.” Rezultati është mungesa e rekrutëve pavarësisht shpenzimeve të mëdha. Sipas Re:Russia, një rrjet analistësh me seli në Vjenë, kostoja e ushtrisë për fuqinë punëtore është rritur nga 3 trilionë rubla në 2024 në më shumë se 4 trilionë në 2025, rreth 2% e PBB-së. Gati 40% e kësaj janë pagesa për vdekjet në shërbim. Megjithatë, humbjet ruse, që mendohet të jenë rreth 1,000 burra në ditë, mund të tejkalojnë rekrutimet. Është e vështirë të dihet me siguri numri i të vdekurve dhe gjendja e tregut të punës, pasi qeveria është bërë jashtëzakonisht e fshehtë për të dhënat demografike, një tregues i qartë i lajmeve të zymta që ajo është e vendosur t’i fshehë. Në vitin 2024, Putini pezulloi anketimet zyrtare të popullsisë deri në 2029. Alexei Raksha, një demograf që dha alarmin për këtë ndërprerje të të dhënave, është shpallur “agjent i huaj”. Pasojat Me gjasë, vdekja e shumë burrave rusë në Ukrainë dhe largimi i shumë të tjerëve jashtë vendit për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak ka përkeqësuar tkurrjen shumëvjeçare të fuqisë punëtore. Në çdo rast, qeveria po rekruton punëtorë të huaj për të zbutur mungesën e fuqisë punëtore. Ajo e ka bërë këtë detyrë më të vështirë duke detyruar shumë punëtorë emigrantë ekzistues nga ish-republikat sovjetike, si Taxhikistani, të luftojnë në Ukrainë. Një sulm nga terroristë taxhikë në një qendër tregtare në Moskë në 2024 dhe ngacmimet ndaj emigrantëve që pasuan e kanë penguar më tej ardhjen e tyre. Në vend të kësaj, autoritetet po importojnë fuqi punëtore nga Kuba, India, Koreja e Veriut dhe Sri Lanka. Vitin e kaluar u dhanë 240,000 leje pune për të huaj. Lufta ka të ngjarë të përshpejtojë edhe rënien e lindshmërisë në Rusi. Në vitin 2023, përpara se Putini të ndalonte publikimin e të dhënave, norma e fertilitetit ra në 1.3, niveli më i ulët që nga 2006. Sipas një sondazhi të Shkollës së Lartë të Ekonomisë në Rusi, pothuajse një e treta e rusëve kanë vendosur të shtyjnë ose të braktisin plotësisht planet për të pasur fëmijë për shkak të luftës në Ukrainë dhe përkeqësimit të situatës ekonomike. Për të mbështetur lindshmërinë, Duma në 2024 ndaloi promovimin e moslindjes së fëmijëve. Një guvernator rajonal i zellshëm, i etur të kënaqte thirrjen e Putinit për më shumë foshnja, ofroi para për vajzat në moshë shkollore nëse mbeteshin shtatzëna. Disa rajone po kufizojnë abortin në klinikat private. Forumet publike të sponsorizuara nga shkollat në VK, rrjeti kryesor social rus, po mbushen me slogane nataliste si “Doni të filloni një jetë të re? Thjesht bëni një fëmijë!” dhe “Vitet studentore janë një dritare për riprodhim”. Ashtu si Kisha Ortodokse Ruse ka bekuar luftën, priftërinjtë e saj janë urdhëruar, së bashku me burokratët, të dënojnë abortin dhe të promovojnë shtatzëninë. Rusët e zakonshëm nuk janë pasivë përballë këtij presioni. Shumë kanë shkarkuar VPN për t’i shpëtuar censurës digjitale. Por ata po bëhen më pesimistë: rreth 60% presin që ky vit të jetë më i vështirë se i kaluari, thonë sondazhet. Sipas statistikave zyrtare ruse, rastet e diagnostikuara të ankthit dhe depresionit u rritën me 21% nga 2020 në 2024. Recetat për antidepresivë u rritën me 18% në vit në janar. Vitin e kaluar, shumë rusë shpresonin se rikthimi i Donald Trump në detyrë do ta përfundonte shpejt luftën. Njerëzit nisën të mendonin çfarë do të bënin kur lufta të mbaronte, thotë Elena Panfilova, kolumniste e Novaya Gazeta. Ky optimizëm është zbehur: “Gjithçka është ngrirë dhe është kthyer në një masë gri, viskoze, të përbërë nga bombardime dhe të shtëna, pazare dhe gënjeshtra, kufizime dhe represion.” Siç thotë një grua tjetër: “Ndihem si një insekt i ngecur në qelibar. Jeta vazhdon jashtë, por jeta jote është e ngrirë.” “Njerëzit tani e kuptojnë se edhe nëse lufta do të ndalej, gjërat nuk do të ktheheshin si më parë dhe shqetësohen se do të përkeqësohen”. thotë Zvonovsky. Në çdo rast, kur makina e luftës të ndalet, tronditja e shkaktuar nga rishpërndarja masive e fuqisë punëtore dhe kapitalit do të jetë brutale. Sondazhet tregojnë rregullisht se shumica dërrmuese e rusëve duan që lufta të përfundojë. Në dhjetor, shumica i thanë gjithashtu Levadas se i kushtonin pak ose aspak vëmendje zhvillimit të luftës. Si pasagjerët në një autobus në Moskë, ata përpiqen të mos mendojnë për burrat me uniformë ushtarake.

Share this post: