Përshtatshmëria, aftësia e re që kërkon lidershipi modern
2026-02-16 - 10:46
Për më shumë se një shekull, suksesi profesional është matur me koeficientin e inteligjencës (IQ, Intelligence Quotient). Më pas, inteligjenca emocionale (EQ) zgjeroi kuptimin e inteligjencës duke theksuar rëndësinë e aftësive emocionale. Sot, në një botë të karakterizuar nga pasiguria, ndryshimi i shpejtë dhe krizat e shpeshta, po fiton terren një koncept i ri: koeficienti i përshtatshmërisë AQ (Agility Quotient): aftësia për të përballuar ndryshimin, pasigurinë dhe të panjohurën. Sipas trajneres së drejtuesve Liz Tran, AQ nuk është më një avantazh shtesë; është një kompetencë thelbësore për suksesin e liderëve dhe organizatave. Ajo identifikon katër profile të përgjithshme, që përdoren për të përshkruar sjellje, mënyra të menduari ose tipare karakteri. Ata tregojnë mënyrën se si individët reagojnë ndaj stresit, ndryshimit dhe krizave. Neurokirurgu, kampioni i stabilitetit Ky profil mbështetet te struktura, disiplina dhe planifikimi i kujdesshëm. Neurokirurgët janë këmbëngulës, të përkushtuar dhe shpesh shërbejnë si faktor stabilizues për ekipet e tyre. Sfidat kryesore lidhen me perfeksionizmin dhe skepticizmin ndaj ndryshimit, që mund t’i bëjnë të ngadalshtë në situata turbulente. Zhvillimi i tyre kërkon gatishmëri për të vepruar më shpejt dhe për të zgjeruar zonën e rehatisë. Novelisti, kampioni i lirisë Novelisti kërkon autonomi dhe përqafon ndryshimin si mundësi. Ai është inovator, i orientuar nga e ardhmja dhe shpesh një hap përpara zhvillimeve në fushën e tij. Megjithatë, prirja për të ndryshuar drejtim mund të shndërrohet në shmangie të vështirësive. Rritja vjen kur mësojnë të pranojnë realitetin dhe të gjejnë mundësi edhe në ndryshimet e padëshiruara. Zjarrfikësi, kampioni i krizave Ky profil shkëlqen nën presion. Zjarrfikësit mbeten të qetë dhe efektivë kur të tjerët ndihen të paralizuar nga stresi. Sfida e tyre është mungesa e fokusit në planifikimin afatgjatë dhe tendenca për të funksionuar vetëm në situata emergjente. Zhvillimi kërkon balancim mes reagimit të shpejtë dhe strategjisë. Astronauti, kampioni i vizionit Astronautët udhëhiqen nga pasioni dhe imagjinata. Ata janë të shpejtë në përshtatje, autentikë dhe të gatshëm për rrezik. Por fokusimi te idetë e mëdha mund të dëmtojë zbatimin praktik. Suksesi kërkon përkthimin e vizionit në hapa konkretë dhe përfundimin e detyrave. Pse AQ është thelbësore për menaxhimin modern Në një mjedis ku ndryshimi është i përhershëm, organizatat kanë nevojë për drejtues që dinë të lëvizin me shpejtësi, të mësojnë vazhdimisht dhe të reagojnë me qetësi ndaj pasigurisë. AQ nuk synon të etiketojë njerëzit, por të ofrojë një kornizë vetë-reflektimi për zhvillim profesional. Qëllimi nuk është përsosmëria, por rritja e aftësisë për t’u përshtatur me realitetin që ndryshon vazhdimisht. / CNBC