TheAlbaniaTime

Përmirësohet treguesi i besimit të bizneseve, por jo ai i konsumatorëve

2026-02-02 - 11:06

Treguesi i besimit të biznesit e nisi në rritje vitin 2026. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) regjistroi një rritje prej 4.2 pikësh në muajin janar, duke qëndruar 10 pikë mbi mesataren historike. Ky përmirësim u ndikua nga rritja e besimit të bizneseve në katër sektorët e ekonomisë: industri, ndërtim, shërbime dhe tregti. Ndërkohë, besimi i konsumatorëve mbeti i pandryshuar krahasuar me muajin e mëparshëm. Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 4.8 pikë përqindje në janar, duke qëndruar rreth 7 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rritja e tij u ndikua pozitivisht nga përmirësimi në të tre komponentët përbërës: vlerësimi i bizneseve për prodhimin industrial, për kontratat porositëse në total dhe nga eksportet. Gjithashtu, me rritje janë dhe pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen. Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 3.1 pikë përqindje në janar. Aktualisht, niveli i tij është rreth 15 pikë përqindje mbi mesataren historike. Në përmirësim ndikuan të dy komponentët: vlerësimi i bizneseve për aktivitetin ndërtues dhe porositë aktuale. Pritjet për çmimet në të ardhmen regjistruan rënie këtë muaj. Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 7.4 pikë përqindje këtë muaj. Niveli i treguesit qëndron rreth 13 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rritja e besimit u ndikua pozitivisht nga vlerësimet më optimiste të bizneseve për nivelin e kërkesës dhe ecurinë aktuale të biznesit të tyre. Pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen kanë mbetur të pandryshuara në krahasim me një muaj më parë. Treguesi i besimit në tregti u rrit me 4.4 pikë përqindje në janar, duke arritur nivelin 13 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rritja u ndikua kryesisht nga vlerësimet optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të shitjeve. Edhe pritjet e bizneseve për nivelin e punësimit në të ardhmen dhanë kontribut rritës, por në masë më të ulët. Pritjet për çmimet në të ardhmen shënuan rritje. Treguesi i besimit konsumator nuk regjistroi ndryshim krahasuar me nivelin e dhjetorit, duke qëndruar rreth 1.4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Sa i përket komponentëve përbërës, situata e blerjeve të mëdha regjistroi përmirësim në janar, si në gjendjen aktuale ashtu edhe në pritjet për të ardhmen. Nga ana tjetër, konsumatorët ulën disi pritjet për gjendjen e tyre personale financiare, si dhe situatën ekonomike në të ardhmen, krahasuar me muajin e mëparshëm.

Share this post: