Përfundon stanjacioni i stokut të borxhit në lekë
2026-02-20 - 10:04
Nga Koço Broka Ekonomist Stokut i borxhit gjithsej përbëhet nga, Borxhi i Qeveria Qendrore, Lokale dhe Borxhi i garantuar. Borxhi i Pushtetit Lokal në vendin tonë, ka përmasa të vogla dhe aktualisht minimale duke shkuar drejt zeros. Nivelin më të lartë të tij e kishte në vitin 2015 me 957 milion lek, për të mbërritur vetëm në 11 milion lekë në fund të vitit 2025. Dhe Borxhi i Garantuar i Qeverisë Qendrore, si një pjesë ndonëse e vogël por e dukshme e stokut të borxhit gjithsej e ka pasur nivelin më të lartë të tij në vitin 2015, kur ishte 56 miliard lekë. Nga ai vit ai ka rënë dhe në vitin 2021 ai është rritur përsëri për të mbërritur në 54. 9 miliard lekë. Më tej ai ka rënë vazhdimisht për të mbërritur në 29,1 miliard lekë në fund të vitit 2025. Dinamika e tij ka ndikuar në uljen e stokut të borxhit gjithsej, i cili në thelb ka të bëjë më borxhin e Qeverisë. Kështu që ecuria e borxhit publik gjithsej në vitet e fundit paraqitet, në: 2021 ishte 1,382.9 miliard lekë 2022 rezultoi 1,378.6 miliard lekë 2023 rezultoi 1,362.8 miliard lekë 2024 rezultoi 1,365.0 miliard lekë. Por kjo rënie apo luhatje e lehtë ndërpritet në vitin 2025 kur stoku i borxhit publik rezultoi 1,401.5 miliard lekë, me një shtesë prej 36. 5 miliard lekë, krahasuar me vitin paraardhës 2024. Ai paraqitet dhe në grafikun Nr 1. Burimi Ministria e Financave Të dhënat dhe pamja e grafikut flasin qartë për këdo, kur bëhet fjalë për ecurinë e stokut të borxhit publik të shprehur në terma absolute në lek. Pas një rënie dhe luhatje të lehtë ai shënon një rritje të dukshme. Ecuria e stokut të borxhit publik të qeverisë qendrore dhe për rrjedhojë atij gjithsej në lek gjatë kësaj periudhe sidomos deri në vitin 2024, është ndikuar së pari nga a) politika e fortë e konsolidimit fiskal që është ndjekur sidomos pas vitit 2021 kur u rrit dukshëm borxhi publik si rrjedhojë e masave për rindërtimin e shtëpive nga tërmeti i vitit 2019 por edhe efekti i Covid 19, i shoqëruar nga ndërprerja e punës në shumë sektorë të ekonomisë gjatë pranverës të vitit 2020 por së dyti dhe b) si rrjedhojë e ndikimit të forcimit të lekut sidomos ndaj euros, por e monedhave të tjera. Kjo duket më qartë nga të dhënat e grafikut Nr 2. Burimi: Ministria e Financave Si mund të shihet lehtësisht nga të dhënat e grafikut Nr 2, ku prezantohet ecuria e deficitit të buxhetit të shtetit, ai ka rënë nga-110.6 miliard lekë në vitin 2020, në -85.3 miliard lekë në vitin 2021, në -78.2 miliard lekë në vitin 2022, në -31.3 miliard lekë në vitin 2023 dhe -18.2 miliard lekë në vitin 2024, ose respektivisht -6.7%,-4.6%, -3.7% -1.4% dhe 0.7 % Ky konsolidim fiskal në vitin 2023 është bërë pjesërisht në dëm të pensionistëve kur nuk u zbatua as detyrimi i plotë ligjor për indeksimin e pensionit në përputhje me nivelin e inflacionit. Por në tërësi për këto vite kjo rënie e deficitit të buxhetit është rrjedhojë e shtesës relativisht të lartë të të ardhurave buxhetore gjatë viteve 2021-2024. Është kjo rritje e të ardhurave buxhetore që ka mundësuar një rritje të dukshme të pagave në sistemin publik si atë të qeverisjes qendrore ashtu dhe atë vendore Është e njohur se borxhi publik nuk është gjë tjetër veçse deficit buxhetor i akumuluar, që gjithsesi gjatë këtyre viteve, ka pasur në fund të fundit shifra jo të pandjeshme. Por në fakt borxhi publik ka rënë si në terma relativë. Si shpjegohet kjo? Për këtë le ti hidhet një sy ecurisë së stokut të borxhit publik të brendshëm por dhe të huaj. Kjo duket qartë nga të dhënat e Grafikut Nr 3. Burimi: Ministria e Financave Në Grafikun Nr 3, paraqitet ecuria e stokut të borxhit publik në lek i detajuar në borxh publik të brendshëm dhe në borxh publik të jashtëm. Nga të dhënat e grafikut vihet re se stoku i borxhit publik të brendshëm është rritur nga një vit në tjetrin nga 702.6 miliard lekë në vitin 2021, në 732.9 miliard lekë në vitin 2022, 741.9 miliard në vitin 2023, 788.4 miliard lek në vitin 2024 për të mbërritur në 831.9 miliard lekë. Pra stoku i këtij borxhi është rritur nga një vit në tjetrin. Por nuk ka ndodhur kështu me stokun e borxhit të jashtëm i cili i shprehur në lek është produkt i disa faktorëve si transaksioneve të borxhit të jashtëm, përmasave të tërheqjes së tij, shërbimit të tij, pagimit të tij si për principalin dhe interesat por dhe u efektit të kursimit të këmbimit Lek për 1 Euro. Rezultantja e këtyre faktorëve është shoqëruar në tërësi me një rritje të tij, në euro e veçanërisht në vitin 2023. Por kur vjen puna në shprehjen e tij në terma absolute në lek, në tërësi ka rënë nga 680.4 miliard lekë në vitin 2021, në 645,8 miliard lekë në vitin 2022, në 620.9 miliard lekë në vitin 2023, në 576,6 miliard lekë në vitin 2024 dhe 569.7 miliard në vitin 2025. Në këtë ecuri ka ndikuar dukshëm ecuria e kursit të këmbimit, të shprehur në Grafikun Nr 4. Burimi: Banka e Shqipërisë Forcimi i lekut ndaj euros nga ana e vet ndikon në rënien e stokut të borxhit të jashtëm por dhe shërbimit të tij kur shprehet në lek pavarësisht nga rritja e tij në euro. Natyrisht duke evidentuar rritjen e borxhit publik në terma absolute në lek, nuk mund të mos vihet re se në terma relative ai ka vazhduar të bjerë. Kjo duket qartë nga Grafiku nr 5 dhe të dhënat e tij. Burimi: Ministria e Financave Në grafikun Nr 5 , prezantohet ecura e stokut të brendshëm në terma absolute në lek gjatë viteve 2021-2025, ecuria e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë kësaj periudhe por edhe ecuria stokut të borxhit publik përkundrejt PBB. Përsa i përket ecurisë së stokut të borxhit publik në lek nuk po ndalem se lexuesi është njohur më lart. Një aspekt i rëndësishëm në Grafik është ecuria e PBB i shprehur në terma nominale në lek i cili është rritur nga 1,866.7 miliard lekë në vitin 2021, në 2,149.7miliard lekë në vitin 2022, në 2,364.3miliard lekë në vitin 2023, në 2,517.8 miliard lekë në vitin 2024 dhe 2,642.6 Në këtë ecuri ka pasur ndikimin e vet ecuria relativisht e mirë e ritmit real të rritjes të Produktit të Brendshëm Bruto. Ndërsa në vitet 2021, 2022, dhe 2023, një ndikim të ndjeshëm ka luajtur dhe ritmi relativisht i lartë i deflatorit, duke mundësuar një shtesë në përmasa të mëdha në tregues absolutë por dhe relativë të rritjes të PBB nominale të shprehur në lek. Kjo nga ana e vet ka ndikim të drejtpërdrejtë në rënien e stokut të borxhit publik në përqindje ndaj Produktit të Brendshëm Bruto. Ky tregues ka rënë nga 74.09% në vitin 2021, në 64.13% në 64.13% në vitin 2022, në 57.64% në vitin 2023, 54.21% në vitin 2024 dhe 53.04% në vitin 2025 Pra megjithë rritjen e dukshme të stokut të borxhit publik, në kushtet e vazhdimit të efektit të kursimit të këmbimit por dhe rritjes të kënaqshme të PBB nomimale për vitin 2025 rreth 5% dhe asaj reale afro 4% në vit është mundësuar rënie në terma relative e stokut të borxhit publik Kjo dëshmon dhe për sfidën që është shtruar para ekonomisë sonë, ruajtjes së ritmeve të kënaqshme të rritjes të PBB-së në të ardhmen. Kjo për faktin se dy vitet e fundit kanë rënë Produkti i Brendshëm Bruto në bujqësi e industri, dy degët kryesore të prodhimit. Po tu shtohen këtu sfidat e faktorëve demografikë, plakja së popullsisë, pakësimi i popullsinë më moshë pune, vështirësia për të gjetur jo vetëm punëtorë të specializuar e kualifikuar por punonjës në tërësi, është e qartë se kambana e rritjes në terma absolute e borxhit publik megjithë rënien e tij në terma relativë ia vlen të dëgjohet për të ndërmarrë politika të zgjuara nga ana e qeverisë por dhe ku aktoret e tjerë e sidomos biznesi tu përgjigjen atyre.