TheAlbaniaTime

Për herë të parë në Kosovë jepet paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik

2026-03-30 - 09:31

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik. Në një kohë kur qytetarët përballen me rritje çmimesh dhe kosto gjithnjë e më të lartë jetese, Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ka vendosur të “shpërblejë” sektorin publik me pagën e 13-të. Ministri i Financave Hekuran Murati, ka thënë se përveç atyre që kanë punuar 12 muajt e kaluar në sektorin publik, do të ndahet page e pjesshme edhe për ata që nuk kanë përmbushur plotësisht 12 muaj punë në sektorin publik. “Për personat që nuk i kanë mbushur 12 muaj të plotë të punës, do t’u takojë një pagë e pjesshme në raport me muajt që kanë punuar”, ka deklaruar Murati. Ai gjithashtu sqaroi se gratë të cilat janë në pushim të lehonisë ose kanë qenë në pushim të lehonisë, muajt e kaluar në këtë pushim të njihen sikur të kenë punuar me orar të plotë. “Njëkohësisht jemi përkujdesur që për gratë lehona të cilat janë në pushim të lehonisë apo kanë qenë në pushim të lehonisë përgjatë kësaj periudhe 12 mujore, muajt e kaluar në pushimin e lehonisë pra të njihen sikurse muaj që të kenë punuar me orar të plotë, në mënyrë që të mos përjashtohen apo mos të kalojnë tek paga e pjesshme por ta marrin pagën e 13 të plotë”. Murati shtoi se me këtë vendim synohet krijimi i një standardi të ri në vlerësimin e kontributit të secilit punëtor në sektorin publik, duke siguruar trajtim më të drejtë dhe gjithëpërfshirës për të gjithë të punësuarit. Paga e 13-të për sektorin publik ishte premtuar nga kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore të 28 dhjetorit. Dhënia e pagës së 13-të për sektorin publik është përfshirë në Buxhetin për vitin 2026. Aty thuhet se për të ndarë pagën e 13-të, duhet të merret vendim nga Qeveria, pasi të sigurohet se përgjatë vitit fiskal respektohet rregulla fiskale për mostejkalim të tavanit të deficitit prej 2 për qind të bruto produktit vendor. Qeveria e ka miratuar ditë me parë edhe rritjen e pagës minimale, e cila do të arrijë në 500 euro deri në korrik të vitit 2026. Paga minimale, e cila ishte 350 euro, do të rritet në dy faza, fillimisht në 425 euro në janar, ndërsa në korrik do të bëhet 500 euro në muaj për të gjithë punëtorët me orar të plotë. Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pati thënë se Qeveria kjo rritje vjen pas “analizave që kemi bërë sa i përket ndikimit që mund të ketë edhe në sektorin privat, te ndërmarrjet, por edhe te punonjësit”. Kjo rritje prek rreth 150.000 të punësuar në sektorin privat, sipas Muratit. Deri në fuqizimin e Ligjit të ri në vitin 2023, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç. Ajo u rrit në 350 euro në verën e vitit 2024. Kosova, deri më tani e ka pasur pagën minimale më të ulët në Evropë, 350 euro, ndërsa Luksemburgu më të lartën, 2.571 euro.

Share this post: