One Albania do të indeksojë me inflacionin çmimet e shërbimeve celulare
2026-03-30 - 14:31
Operatori One Albania ka njoftuar sot pajtimtarët se, duke filluar nga data 1 maj 2026, do të indeksojë çmimet e shërbimeve celulare me indeksin mesatar vjetor të çmimeve të konsumit. Rritja e çmimeve do të jetë deri në masën 2.2%, sipas normës së inflacionit mesatar vjetor të publikuar nga INSTAT për vitin 2025. Në fillim të vitit 2024, dy operatorët më të mëdhenj të komunikimeve elektronike në vend, Vodafone Albania dhe One Albania, patën njoftuar ndryshime në termat dhe kushtet e përgjithshme për shërbimet e rrjetit celular dhe rrjetit fiks të kategorive Konsumator dhe Biznes, duke vendosur një klauzolë të veçantë, ku rezervonin të drejtën për të indeksuar çmimet e shërbimeve të tyre me normën e inflacionit të vitit të mëparshëm. Megjithatë, deri tani, vetëm One Albania e ka aplikuar rritjen e çmimeve sipas kësaj klauzole. Për herë të parë, kjo u bë më datë 1 qershor 2024 dhe vetëm për pajtimtarët e kategorisë Biznes, ndërsa këtë vit shtrenjtimi duket se do të aplikohet në të gjithë bazën e klientëve të shërbimeve celulare. Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), aplikimi i një klauzole të tillë është një çështje që ngelet objekt diskutimesh edhe në Bashkimin Europian. Dy sipërmarrësit, në argumentet e përcjella në AKEP, kanë dhënë shembuj të aplikimit të kësaj klauzole në një sërë vendesh të BE-së, përfshirë operatorë të tjerë pjesë e grupeve të kompanive pronare të dy sipërmarrësve, si dhe kanë referuar vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë (GJED) të datës 26.12.2015, në çështjen Verein für Konsumenteninformation (Consumer Information Association) ndaj A1 Telekom Austria. Me këtë vendim, Gjykata i dha të drejtë operatorit, me interpretimin se një ndryshim në tarifa, që vjen si rezultat i një klauzole të axhustimit të çmimit të përfshirë në termat dhe kushtet standarde të kontratës, e cila parashikon që ky ndryshim është i bazuar në ndryshimet që pëson indeksi i çmimeve të konsumit të hartuar nga një institucion publik, nuk përbën modifikim të kushteve kontraktuale, që i jep të drejtën pajtimtarit të ndërpresë kontratën pa penalitet. Nga informacioni që ka marrë AKEP për këtë çështje mbi legjislacionin e vendeve të tjera, rezulton se e drejta për indeksim me normën e inflacionit nuk është e ndaluar apo lejuar në mënyrë eksplicite në legjislacionin specifik sektorial apo të përgjithshëm, përveçse në Angli ku autoriteti rregullator (OFCOM) ka vendosur rregulla dhe ka dhënë udhëzime për rastet kur dhe si operatorët mund të përfshijnë indeksimin në termat dhe kushtet e përgjithshme të kontratës dhe në Itali ku autoriteti rregullator (AGCOM) ka kryer një proces konsultimi në vitin 2023. OFCOM ka kryer një proces Këshillimi Publik në lidhje me këtë çështje dhe ka miratuar gjatë vitit 2024 ndryshime në kuadrin rregullator, të cilat ndalojnë aplikimin e rritjes së tarifave të shprehura në përqindje (IÇK), ku rritjet gjatë kohëzgjatjes së kontratës duhet të shprehen në terma monetare. Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike (BEREC) në dokumentin “Opinioni i BEREC mbi tregun dhe zhvillimet teknologjike dhe mbi ndikimin e tyre në zbatimin e të drejtave të përdoruesve fundorë” (publikuar më 5.12.2024), e ka konsideruar përfshirjen dhe aplikimin nga operatorët në vendet e BE/BEREC të klauzolave kontraktore për rritje të çmimeve gjatë kohëzgjatjes së kontratës (In-contract price increase clauses) sipas IÇK apo IÇK plus një marzh, si “zhvillim me ndikim shqetësues për të drejtat dhe përfitimet e përdoruesve fundorë, pasi në disa raste ato kanë rezultuar në rritje të ndjeshme të tarifave dhe/ose përdoruesit nuk kanë të drejtën e ndërprerjes pa penalitet të kontratës”. Opinioni dhe propozimi i BEREC për Komisionin Evropian për këtë çështje është se “këto klauzola paraqesin sfida për sa i përket konkurrencës, përballueshmërisë, lëvizshmërisë (ndërrimit të ofruesit së shërbimit) së përdoruesit fundor, transparencës dhe krahasueshmërisë së çmimeve. Përdorimi i tyre krijon rrezik që objektivat e kuadrit ligjor për mbrojtjen e konsumatorëve të mos përmbushen”. Pavarësisht rekomandimeve të fundit, deri tani AKEP nuk ka njoftuar se ka qëllim të ndërhyjë për të rregulluar apo për të ndaluar klauzola të këtij lloji nga operatorët e komunikimeve elektronike në Shqipëri. Rritja e çmimeve, Autoriteti i Konkurrencës hapi hetim të thelluar ndaj Vodafone dhe One Në fund të vitit të kaluar, Autoriteti i Konkurrencës ka hapur hetim të thelluar ndaj dy kompanive të ofrimit të shërbimeve celulare në vend, Vodafone Albania dhe One Albania. Në argumentimin e vendimit, Autoriteti i Konkurrencës shprehet se tregu me pakicë i shërbimeve celulare në Shqipëri paraqitet si një duopol, ku dy operatorët në fjalë zotërojnë së bashku 100% të tregut. Kjo strukturë tregon një përqendrim të lartë tregu dhe një nivel të kufizuar konkurrence efektive, duke krijuar kushte të favorshme për pozitë dominuese kolektive. Nga hetimi paraprak që përfshiu periudhën nga 1 janari 2022 deri më 25 korrik 2025, është konstatuar se ndërmarrjet Vodafone Albania dhe One Albania kanë ndjekur një sjellje të ngjashme tregtare në lidhje me ofertat e tyre të shërbimeve celulare, përfshirë paketat me parapagesë, me kontratë dhe shërbimet roaming. Në këtë periudhë, vihet re një rritje progresive dhe pothuajse e sinkronizuar e çmimeve, ndërkohë që nuk rezulton që këto ndërmarrje të kenë përdorur një metodologji të përllogaritjes së kostove, që do të justifikonte ndryshimet e çmimeve të aplikueshme në treg. Nga analiza e zhvillimeve të çmimeve rezulton se, sa herë një nga operatorët ka rritur çmimet e paketave celulare, operatori tjetër e ka ndjekur brenda një periudhe të shkurtër kohore me një rritje të ngjashme, si në nivel çmimi, ashtu edhe në strukturën e paketës (minuta, internet, SMS, vlefshmëri etj.). Kjo tregon një reagim të menjëhershëm dhe simetrik, që mund të interpretohet si praktikë e bashkërenduar, në kuptimin e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Analiza e ofertave tregon se paketat e ofruara janë pothuajse identike në çmim dhe përmbajtje (sasi interneti, minuta kombëtare, përfshirje roaming etj.), duke kufizuar ndjeshëm mundësinë e zgjedhjes për konsumatorët dhe duke reduktuar presionin konkurrues ndërmjet operatorëve. Ky homogjenitet i produkteve, i kombinuar me mungesën e transparencës në kosto, përbën një rrezik për koordinim të sjelljes së ndërmarrjeve, që synon ruajtjen e një niveli të qëndrueshëm çmimesh dhe fitimesh në treg. Autoriteti i Konkurrencës thekson se asnjë nga ndërmarrjet nuk ka paraqitur dokumentacion që të dëshmojë se çmimet janë përllogaritur mbi bazën e një analize të kostove reale të shërbimeve. Në mungesë të një metodologjie të qartë, rritjet e çmimeve mund të konsiderohen si të pajustifikuara ekonomikisht dhe si rezultat i një sjelljeje të orientuar drejt ndjekjes së një modeli të përbashkët tregtar, më shumë sesa drejt konkurrencës përmes inovacionit apo eficiencës. Në konkluzion, Autoriteti i Konkurrencës shprehet se në kushtet kur tregu paraqet strukturë duopolistike; vihet re një sinkronizim në rritjen e çmimeve dhe oferta pothuajse të njëjta në çmime dhe përmbajtje; mungon transparenca dhe metodologjia kosto-çmim, atëherë sjellja e ndërmarrjeve Vodafone Albania dhe One Albania mund të përbëjë shkelje të ligjit, “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Hetimi i thelluar do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 deri në 18 nëntor 2025.