TheAlbaniaTime

Oda Ekonomike Britanike kërkon funksionalizimin e sektorit minerar në Kosovë

2026-02-23 - 13:24

Oda Ekonomike Britanike në Kosovë ka ngritur shqetësime serioze lidhur me funksionimin e sektorit minerar dhe ka kërkuar masa urgjente për rikthimin e operacioneve normale të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM). Sipas odës, që nga viti 2020 KPMM ka përjetuar probleme të vazhdueshme operacionale, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në ngadalësimin e trajtimit të licencave minerare dhe kanë dëmtuar industrinë minerare si dhe besueshmërinë e investitorëve të huaj. Nga 316 aplikime të dorëzuara në periudhën e fundit, vetëm 60 licenca janë lëshuar nga bordi i fundit i KPMM-së, ndërkohë që koha e pritjes për vendime ka arritur deri në 50 muaj, ndonëse afati ligjor është maksimumi pesë muaj. Ky vonesë ka krijuar pengesa serioze për kompanitë minerare, duke ulur konkurrencën dhe interesin e investitorëve ndërkombëtarë për Kosovën. Për krahasim, në vitin 2020, KPMM menaxhonte 854 licenca dhe vetëm në periudhën janar–gusht 2020 u lëshuan 167 licenca. Të dhënat tregojnë se gjatë dy viteve të fundit janë lëshuar vetëm 60 licenca, dhe shumica e tyre kanë qenë për resurse jo-metalore, duke përjashtuar Trepçën. Probleme strukturore dhe institucionale Oda thekson se KPMM nuk ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Ekonomi që nga viti 2020, duke treguar mungesë transparence dhe llogaridhënie. Gjithashtu, trajtimi jo i barabartë i kompanive private kundrejt atyre shtetërore, si Trepça dhe KEK, ka rritur shqetësimet për kredibilitetin e institucionit. Një tjetër problem është mungesa e licencimit për gurthyesit, e kombinuar me komplikimet që rrjedhin nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pronë Publike. Kjo ka detyruar Kosovën të importojë sasi të mëdha rëre dhe zhavorri nga shtetet fqinje, duke çuar edhe në rritjen e çmimeve për materiale ndërtimi si rërë, zhavorr dhe beton. Kosova dikur njihej për legjislacionin minerar më të avancuar në Evropë, i bazuar në praktikat më të mira të Australisë, duke përfshirë parimin “i pari që aplikon, i pari që shërbehet”. Megjithatë, moszbatimi i ligjit dhe vonesat e KPMM-së kanë dëmtuar kredibilitetin e institucionit dhe kanë ulur interesin e investitorëve të huaj. Kërkesat e Odës Ekonomike Britanike BCCK kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe masa për rikthimin e funksionalitetit të sektorit minerar: Trajtim i përshpejtuar i të gjitha aplikacioneve të mbetura; Zbatim i plotë i ligjit, duke siguruar që KPMM të përgjigjet brenda afateve ligjore prej tre muajsh, jo më shumë se pesë muaj; Hartim dhe miratim i një Strategjie të re Minerare, pasi strategjia e mëparshme ka skaduar në vitin 2025; Plotësim urgjent i Bordit të KPMM-së, për të rikthyer funksionalitetin dhe kapacitetin operacional të institucionit. Oda nënvizon se vetëm një KPMM funksional dhe i besueshëm mund të rikthejë investitorët ndërkombëtarë dhe të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm të sektorit minerar në Kosovë. Humbja e kredibilitetit dhe ndikimi mbi investitorët Kosova dikur njihej për legjislacionin minerar më të avancuar në Evropë, të bazuar në praktikat më të mira të Australisë, përfshirë parimin “i pari që aplikon, i pari që shërbehet”. Megjithatë, moszbatimi i ligjit dhe vonesat e KPMM-së kanë dëmtuar kredibilitetin e institucionit dhe kanë ulur interesin e investitorëve të huaj. Sipas odës, ky situatë rrezikon që vendi të mbetet pa investitorë ndërkombëtarë dhe pa zhvillim serioz në sektorin e hulumtimeve minerale, pavarësisht se Kosova mbetet një territor shumë atraktiv për eksplorime minerare. Vetëm një minoritet i projekteve të hulumtimeve përfundojnë si miniera operative, zakonisht pas 15 deri 30 vitesh, dhe investitorët serioz kërkojnë stabilitet juridik dhe institucional afatgjatë.

Share this post: