TheAlbaniaTime

Nxënësit e Beratit shpikin kapelën “Orion” që ndihmon të verbrit

2026-03-19 - 16:21

Marina, Kristjana, Raisa, Enisi dhe Vanesa janë pesë të rinj të shkollës së mesme “Drita e Dijes” në qytetin e Beratit, që e kanë pasion shkencën. Ata u bënë pjesë e Festivalit Kombëtar të Shkencës, një nismë e Ministrisë së Arsimit për nxënësit e shkollave të mesme, dhe pas shumë diskutimesh për tema të ndryshme që mund të trajtoheshin dhe të sillnin risi dhe inovacion në komunitet vendosën të trajtohej problemi i personave me aftësi të kufizuara në shikim. “Për ta bërë sa më konkrete idenë tonë, vendosëm të takojmë persona të verbër në komunitet, duke i pyetur ata për vështirësitë që hasin në jetën e përditshme për të kuptuar vështirësitë reale, ku disa prej problematikave kryesore ishin pamjaftueshmëria e bastunit tradicional, varësia te një person ndihmës, pasiguria gjatë natës dhe goditjet në trup. Pas analizimit të statistikave, projekti kaloi në disa faza kryesore mendimi, ku çdo ide u analizua për vlerën praktike dhe teknike. Në fillim, diskutimi u fokusua te problemet që shkopi tradicional nuk i zgjidh dot, ku dhe lindi ideja për një kapele inteligjente, e cila mbron pjesën e sipërme të përdoruesve”, thotë Marina. Diskutimet sollën në jetë “Orion”, një kapele inteligjente e ndërtuar për të ndihmuar personat e verbër ose me shikim të kufizuar, në lëvizshmërinë e tyre të përditshme. Ideja kryesore bazohet në përdorimin e teknologjisë së sensorëve ultrasonic, photoresistor, ekraneve, dritave LED dhe komponentëve të tjerë, në një aksesor të zakonshëm veshjeje, si kapela. Kjo kapele inteligjente është projektuar për të shërbyer si një “asistent digjital” i lëvizshmërisë, duke integruar teknologjinë komplekse në një objekt të thjeshtë dhe të rehatshëm për t’u mbajtur. Qëllimi i “Orion” është të rrisë pavarësinë dhe sigurinë e përdoruesit. Pajisja zbulon pengesat përreth dhe sinjalizon përdoruesin përmes tingujve dhe personat e tjerë përmes dritës. Gjithashtu, sistemi monitoron nivelin e dritës në ambient dhe në kushte errësire, ndizet një ekran për t’i bërë ata të dukshëm te personat e tjerë ose automjetet, për të rritur sigurinë e tyre. Nxënësit tregojnë se për sa i përket pjesës së fondeve, në grupin prej 5 anëtarësh, ku përveç anës teknike, secili ka kontribuar me fondet e tyre personale edhe në anën financiare. Ndonëse e kaloi fazën e parë, atë brenda shkollës, projekti nuk arriti të marrë dritë jeshile në hapin e dytë, në Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar në Berat, duke zhgënjyer shpikësit e vegjël. Megjithatë, “Monitor” vendosi të publikojë projektin, si një mjet për të nxitur nxënësit e rinj që kanë dëshirë të ecin përpara dhe të ndihmojnë komunitetin përmes risive teknologjike. Por, të rinjtë nuk tërhiqen. Marina thotë se dëshirojnë ta zhvillojnë më tepër këtë projekt, duke kërkuar dhe fonde të ndryshme për ta kthyer në një biznes të mirëfilltë. Nxënësit pohojnë se ky projekt ishte shumë frymëzues për ta dhe i motivon të vazhdojnë të punojnë për ide të tjera inovative në të ardhmen, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapelës “Orion”, duke integruar AI, Bluetooth, GPS etj.. “Gjatë krijimit të “Orion” kuptuam se teknologjia mund të përdoret për të zgjidhur probleme reale të njerëzve dhe për të përmirësuar jetën e tyre të përditshme. Kjo përvojë na tregoi se, me bashkëpunim dhe kreativitet, është e mundur të krijohen zgjidhje të dobishme për komunitetin. Prandaj, projekti na ka nxitur të mendojmë edhe për ide të tjera që mund të ndihmojnë persona me nevoja të ndryshme dhe të zhvillojmë më tej aftësitë tona në fushën e teknologjisë dhe inovacionit”, thotë Marina.

Share this post: