Një rënie e vjetër sa vetë vera
2026-02-21 - 21:24
Rënia e shitjeve të verës pasqyron një botë më të vetmuar dhe më të atomizuar. Nuk janë vetëm të rinjtë e ndërgjegjshëm për shëndetin ata që po i thonë jo Bordosë, shkruan The Economist Poeti T.S. Eliot e kishte gabim. Prilli nuk është muaji më mizor. Janari është. Në hemisferën veriore, dita e parë e vitit të ri shoqërohet nga një rritje e ndjeshme e vetëvrasjeve (ndonëse këto bien gradualisht me kalimin e muajit). Ditët e gjata dhe të errëta mund të ulin humorin e njerëzve, veçanërisht të atyre që vuajnë nga çrregullimi sezonal i humorit (SAD), një formë depresioni. Edhe të moshuarit priren të thonë se ndihen më të vetmuar gjatë muajve të dimrit. Kësaj gjendjeje të përgjithshme mjerimi i shtohen edhe thirrjet e “moralistëve” për të hequr dorë nga një gotë verë e kuqe që të ngroh dhe për të respektuar një “janar të thatë”, duke u përmbajtur nga çdo formë alkooli. Megjithatë, nuk janë vetëm ata që kujdesen për shëndetin që po i thonë jo Bordosë në janar apo që po përbuzin Sauvignon Blanc për pjesën tjetër të vitit. Në pjesën më të madhe të botës së pasur, njerëzit po konsumojnë gjithnjë e më pak alkool në përgjithësi, me rënie të konsumit në shumicën e vendeve anëtare të OECD-së, një grup i vendeve kryesisht të pasura, gjatë dhjetë viteve deri në vitin 2023. Por vera është goditur veçanërisht fort. Arsyet pse po ndodh kjo tregojnë shumë për mënyrën se si po ndryshon shoqëria. Në pronën Alyan, një vresht i vogël familjar në Kili, turistët kalojnë pranë një pishine në formën e një shisheje vere dhe më pas hyjnë në fuçi gjigante prej druri lisi të shndërruara në bar. Pas gotës së tretë, thotë pronari Andrés Pérez, të panjohur nga skaje të ndryshme të botës fillojnë të hapen me njëri-tjetrin. Pas së gjashtës, të gjithë flasin të njëjtën gjuhë. Degustimi i verës këtu është më shumë një ngjarje sociale e kuruar me kujdes. (Ajo që nuk thuhet është fakti se vizitorët kanë gjasa më të mëdha të blejnë edhe nga dy arka me shishe.) Ndërsa vizitorët provojnë gllënjkën e parë të chardonnay të vitit 2023 të prodhuar në pronë, Pérez merr mikrofonin. Duke kaluar nga portugalishtja në spanjisht, ai i pret fjalët e mira me një paralajmërim: “Industria e verës”, thërret ai, “está en crisis.” Dhe nuk e ka gabim. Në vitin 2024, prodhimi global i verës ra në nivelin më të ulët që nga viti 1961 për shkak të reshjeve të shumta, ngricave dhe thatësirave. Megjithatë, problemet e shkaktuara nga tekat e natyrës janë po aq të vjetra sa vetë vreshtaria dhe bota nuk është aspak duke mbetur pa verë. Në dhjetor, Bashkimi Europian, prodhuesi, konsumatori dhe eksportuesi më i madh i verës në botë, arriti një marrëveshje paraprake për të përdorur fonde të BE-së për shkuljen e vreshtave, me qëllim uljen e tepricës së prodhimit në bllok. Problemi shumë më i madh i industrisë është se një numër gjithnjë e më i madh konsumatorësh po ua kthejnë shpinën. Kjo nuk vjen për shkak të cilësisë së verës, thotë Pérez. Sipas tij, rënia e verës pasqyron diçka më të thellë: dobësimin e strukturës sociale që dikur mbante të bashkuara shoqëritë perëndimore. Alkooli ka ndihmuar jetën shoqërore që nga koha kur njerëzit mësuan ta fermentonin. Birra dominon eventet e mëdha: në një anketë, të anketuarit në Britani dhe SHBA e zgjodhën atë si pijen e preferuar për barbekju. Birra është gjithashtu pija që lidhet më shpesh me pirjen e tepruar në SHBA, e ndjekur nga pijet e forta. Vera është ndryshe. Anketa në Britani dhe SHBA tregojnë se ajo është zgjedhja kryesore për shumicën e njerëzve, veçanërisht për gratë, kur hanë darkë me miqtë. Njerëzit gjithashtu priren ta konsumojnë ndryshe, duke e pirë më ngadalë, duke e shoqëruar me ushqim, dhe jo thjesht duke e pirë me fund në festa (edhe pse shumë e kanë bërë këtë). Statusi i veçantë i verës krahasuar me pijet e tjera është pothuajse po aq i vjetër sa vetë historia e shkruar. Grekët dhe romakët e lashtë e çmonin atë dhe Bibla është e mbushur me referenca për të si simbol i bollëkut. Në shekullin XX, me rritjen e të ardhurave dhe zgjerimin e tregtisë, vera u bë pija e klasës së re të mesme dhe konsumi njohu një bum, thotë Rod Phillips, historian i verës. Por zakonet që mbështetën këtë bum po zbehen. Francezët pinë rreth gjysmën e sasisë që pinin në vitet 1970; amerikanët dhe kanadezët gjithashtu konsumojnë më pak. Në Britani, konsumi i verës për frymë ka rënë me 14% që nga viti 2000 (ndonëse rënia e të ardhurave është më pak e theksuar, pasi njerëzit po kalojnë te verëra më të shtrenjta). Në Kinë, e cila një dekadë më parë ishte një burim i madh rritjeje për tregun, konsumi i verës ka rënë ndjeshëm. Për shëndetin tuaj Në pamje të parë, mund të duket se kjo rënie lidhet me ndërgjegjësimin në rritje për rreziqet e alkoolit, veçanërisht me provat që lidhin edhe pirjen e moderuar me një rrezik më të lartë për kancer. Brezi Z, ata të lindur pas vitit 1997, shpesh përshkruhen se priren të monitorojnë gjumin sesa të kalojnë natën në pub. Por Richard Halstead, i cili studion zakonet e pirjes, thotë se ka pak shenja se ata kanë hequr dorë plotësisht nga alkooli. Ata, megjithatë, pinë ndryshe, duke kërkuar gjithnjë e më shumë cilësi dhe risi, si sake nga Japonia apo birra artizanale. Gjithashtu, ata kanë më pak gjasa sesa brezat më të vjetër të ulen për vakte të gjata dhe të përbashkëta, ku dikur vera rridhte pa pushim. Shifrat e konfirmojnë këtë. Sipas IWSR, një kompani e specializuar në të dhënat e pijeve, shitjet e pijeve të forta dhe të birrës janë në rritje. Vera është e vetmja kategori e madhe e alkoolit që ka shënuar rënie në të gjitha segmentet e çmimeve. Shitjet e verërave të lira nga supermarketet pritet të vazhdojnë të bien me 2% në vit. Në skajin tjetër, rritja e verërave cilësore është më e ngadaltë sesa ajo e birrës dhe pijeve të forta (shih grafikun 1). Me fjalë të tjera, rënia e konsumit të verës shkon më thellë sesa ndryshimi i përgjithshëm i qëndrimeve ndaj alkoolit. Kjo e bën rënien e verës domethënëse, pasi ajo pasqyron gjithashtu largimin nga vaktet e ngadalta dhe të përbashkëta. Pjesërisht, kjo ndodh sepse njerëzit në botën e pasur po jetojnë dhe po hanë gjithnjë e më shumë vetëm. Sipas OKB-së, përqindja e familjeve me një person në mbarë botën pritet të rritet nga 28% në vitin 2018 në 35% në vitin 2050. Si pasojë, më shumë njerëz tani hanë dhe çlodhen përpara ekraneve. Në vitin 2023, gati 25% e të rriturve amerikanë i hëngrën të gjitha vaktet vetëm gjatë një dite të caktuar, nga 17% në vitin 2003; tek të rinjtë nën 30 vjeç kjo përqindje është pothuajse dyfishuar. Ky model ndoshta vlen për pjesën më të madhe të botës së pasur, thotë Jan-Emmanuel De Neve, një nga redaktorët e World Happiness Report, një studim vjetor i mbështetur nga OKB-ja. Pasojat janë të matshme Rreth një në gjashtë njerëz në botë është i vetmuar, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në 22 vende europiane, përqindja e njerëzve që thanë se “nuk ndihen kurrë të vetmuar” ra nga 59% në vitin 2018 në 51% në vitin 2022. Raporti më i fundit i Lumturisë Botërore zbuloi se, në të gjitha vendet dhe grupmoshat, sa shpesh njerëzit ndajnë vaktet parashikon kënaqësinë nga jeta pothuajse po aq fort sa të ardhurat relative apo statusi i punësimit (shih grafikun 2). Antropologët e shohin rënien e ngrënies së përbashkët si pjesë të një shpërbërjeje më të gjerë shoqërore. Marion Demossier nga Universiteti i Southampton-it vëren se që prej pandemisë studentët e saj janë bërë dukshëm më të vetmuar. Edhe aktivitetet e shëndetshme po praktikohen gjithnjë e më shumë individualisht: më pak të rinj po regjistrohen në sporte në ekip (ndonëse sportet individuale si vrapimi apo çiklizmi ende mund të shijohen në grup). “Ka një shkëputje në shoqëri”, thotë ajo. “Të jetuarit së bashku po zhduket.” Dikush mund të mendojë se vetmia i shtyn njerëzit të mbytin mërzinë në alkool, por kërkimet e fundit sugjerojnë të kundërtën. Një meta-analizë e 69 studimeve, që përfshinin më shumë se 12,000 njerëz në SHBA, Australi, Kanada dhe Francë, nuk gjeti prova se njerëzit pinin më shumë në ditët kur ndiheshin keq. Përkundrazi, ata kishin deri në 28% më shumë gjasa të pinin, dhe 23% më shumë gjasa të pinin në mënyrë të tepruar, në ditët kur ndiheshin mirë. Për disa njerëz, pirja është një varësi izoluese. Por për shumicën, ajo është një kënaqësi shoqërore. Dhe kjo, gjithnjë e më shumë, është ajo që po u mungon njerëzve. Shpërbërja sociale krijon edhe probleme shëndetësore më vete. Një studim i botuar vitin e kaluar në Nature Medicine, një revistë shkencore, zbuloi se të jetuarit me një partner ishte përafërsisht po aq i dobishëm për jetëgjatësinë sa ushtrimet fizike. Takimet e rregullta me familjen ose të pasurit dikë për t’u rrëfyer gjithashtu dukeshin se ulnin rreziqet e vdekshmërisë, ndonëse nuk është e qartë nëse kjo ndodh sepse njerëzit e vetmuar priren të ushqehen keq dhe të bëjnë më pak aktivitet fizik. Do të ishte e gabuar të minimizohen rreziqet reale shëndetësore që lidhen me pirjen e alkoolit, veçanërisht pasi studiuesit kanë ngritur dyshime serioze mbi gjetjet e mëparshme për një “kurbë në formë J”, sipas së cilës ata që pinin në mënyrë të moderuar mendohej se ishin më të shëndetshëm sesa si pijedashësit e rëndë, ashtu edhe ata që nuk pinin fare. Megjithatë, vetë alkooli shpesh shërben si lubrifikanti rreth të cilit njerëzit socializohen. Studiues në Universitetin e Oksfordit vunë në dukje në një punim të botuar në vitin 2017 se frekuentuesit e rregullt të një pub-i janë “më të angazhuar në shoqëri, ndihen më të kënaqur me jetën e tyre dhe kanë më shumë gjasa t’u besojnë anëtarëve të tjerë të komunitetit”. Gëzim i dehur Disa prodhues vere, si Pérez, po përpiqen të ringjallin zakonet e vjetra. Vreshti i tij, si shumë të tjerë, dikur ofronte seanca degustimi njëorëshe. Tani ato zgjasin katër orë. Në fund të vizitës, të panjohurit shkëmbejnë numra telefoni dhe shtrëngojnë duart. Të biseduarit mbi verën dikur ishte rutinë. Tani nevojiten ture të drejtuara për ta rikthyer atë zakon. Të tjerë po përpiqen t’i përshtaten botës ashtu siç po ndryshon. Një ide është shfrytëzimi i tregut individual përmes paketimit në porcione të vogla, për konsum nga një person. Tregu global për verën në kanoçe të vogla vlente 113 milionë dollarë në vitin 2024. Edhe pse ende shumë më i vogël se tregu tradicional, ai pritet të rritet me më shumë se 11% në vit gjatë pesë viteve të ardhshme. Në Edinburgh Fringe, festivali më i madh i arteve në botë dhe një barometër i besueshëm i ankthit kulturor, komediani Alexis Dubus e përmblodhi në vargje atë që kjo tregon për botën moderne: “A ka rënë shoqëria vërtet kaq poshtë, sa ne jemi realisht në rregull me verën në kanoçe?”