Nicholas Forissier: “Të ngremë marrëdhëniet tona ekonomike në lartësinë e marrëdhënieve politike!”
2026-02-17 - 10:56
Bota në të cilën jetojmë është gjithnjë e më shumë në lëvizje, e ndarë dhe e prekur nga tensione që nuk ishin parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Natyrisht, ndërthurja e ngushtë e çështjeve politike, të sigurisë dhe ekonomike bën që këto të fundit të ndikohen thellësisht nga zhvillimet aktuale dhe nga raportet e forcës që po shfaqen me një brutalitet gjithnjë e më të madh. Në fushën e tregtisë, kjo gjë shprehet me rritjen e rivaliteteve, fragmentim të shtuar të tregtisë dhe rikompozim të shpejtë të zinxhirëve të vlerës. Përballë këtyre sfidave, Franca ruan vendin e saj në tregjet ndërkombëtare, e mbështetur nga performanca e jashtëzakonshme e sektorëve të përparuar si aeronautika, hapësira, turizmi, industria agro-ushqimore, mallrat e luksit si dhe energjia. Ajo është ndër pesë eksportuesit kryesorë të mallrave dhe shërbimeve në botë. Ajo tërheq gjithashtu investitorë dhe talente nga e gjithë bota. Ky pozicion është bërë i mundshëm nga dinamizmi i strukturës sonë ekonomike dhe, në veçanti, nga angazhimi në rritje i kompanive franceze drejt eksportit. Natyra jashtëzakonisht konkurruese e garës ndërkombëtare e bën konkurrencën një çështje të një rëndësie të lartë dhe na nxit të mobilizohemi për të mbështetur rritjen e bizneseve tona në fushën ndërkombëtare. Si Ministër i Deleguar i Ngarkuar për Tregtinë e Jashtme dhe Atraktivitetin, pranë Ministrit të Evropës dhe Punëve të Jashtme, jam i përkushtuar të mbështes këtë dinamikë të dyfishtë të projeksionit dhe atraktivitetit, që synon konsolidimin e ndikimit të Francës përmes përshtatjes së saj të përshpejtuar ndaj zhvillimeve globale. Ky orientim ndërkombëtar sigurisht që nuk është i ri, por merr rëndësi të veçantë ndërsa zëri i Evropës dhe demokracisë përballet me gjithnjë e më shumë me kundërshtime agresive nga konkurrentët tanë strategjikë. Në këtë kontekst, është thelbësore të zhvillojmë afërsinë mes nesh dhe të forcojmë lidhjet tona me vendet e kontinentit evropian që ndajnë vlerat tona. Kjo është domethënia e angazhimit të Presidentit të Republikës, i cili e ka vizituar Shqipërinë dy herë në tetëmbëdhjetë muaj, dhe e mbështetjes që Franca i ofron Shqipërisë në procesin e saj të aderimit në Bashkimin Evropian. Intensiteti i kësaj marrëdhënieje pasqyrohet gjithashtu në fushat e arsimit, kulturës, administratës dhe drejtësisë. Por, meqë bota po ndryshon dhe Franca po ndryshon bashkë me të, ne dëshirojmë t’i çojmë lidhjet tona ekonomike në lartësinë e kësaj marrëdhënieje dypalëshe ambicioze. Edhe pse ne kemi potenciale të njohura botërisht, pjesa mjaft modeste që Franca ka në tregti dhe investime në Shqipëri është, sipas mendimit tim, një anomali. Prandaj, mundësia e rritjes është e konsiderueshme. Megjithatë, disa kompani franceze të ekselencës janë tashmë të vendosura në vend, ku po kontribuojnë në zhvillimin dhe transformimin e tij. Do të doja të përmendja Voltalia-n, e cila operon në Karavasta në centralin fotovoltaik më të madh në Ballkanin Perëndimor dhe që është investitori kryesor i huaj në energjinë e rinovueshme. Saint-Gobain, Schneider Electric, Électricité de France, Lagardère Travel Retail, Accor Group, Sage Engineering, Thales dhe Perrault Architecture, për të përmendur vetëm më kryesorët, po zhvillojnë gjithashtu aktivitete në fushat e tyre përkatëse. Kompani të tjera po vijnë, si Suez, ose po pozicionohen, si Véolia, një kompani e njohur në të gjithë botën për ekspertizën e saj në sektorin e ujit. Kjo listë tregon praninë e Francës në sektorët më dinamikë dhe kyç të zhvillimit të Shqipërisë. Turizmi, sigurisht, vazhdon rritjen e tij të jashtëzakonshme, çka shihet edhe nga fluksi masiv i turistëve francezë. Është domethënës fakti se me mbi 300 000 vizitorë, francezët kanë shënuar rritjen më të fortë të vitit të kaluar për sa i përket të huajve. Së dyti, mbrojtja, një sektor thelbësor dhe në zgjerim të shpejtë në kontekstin aktual ndërkombëtar. Pastaj, energjitë e rinovueshme, të cilat duhet t’i mundësojnë Shqipërisë të arrijë sovranitetin energjetik brenda pak vitesh. Mjedisi, i cili, pas disa projekteve të përqendruara në rritjen e gjelbër dhe trajtimin e ujit, tani po orientohet drejt trajtimit të mbetjeve, një sektor i cilësuar si një “emergjencë kombëtare” nga Kryeministri. Së fundmi, arkitektura, një vitrinë e vërtetë e transformimit të vendit. Megjithatë, kjo listë nuk është shteruese dhe ne i kushtojmë vëmendje të veçantë hekurudhës, një fushë e ekselencës franceze, si dhe sfidave të ndërlidhjes në përgjithësi. Për të mbështetur dhe nxitur këtë interesim të kompanive tona për Shqipërinë, Franca po mobilizon mjetet e saj financiare, veçanërisht përmes kredive dhe financimit nga Thesari, si dhe institucionale. Marrëveshja Ndërqeveritare e nënshkruar në prill 2024 ka ndikuar gjerësisht në ngjalljen e interesit të sektorit privat. Komiteti i monitorimit i kësaj IGA-je, që mblidhet sot, do të vlerësojë bashkëpunimin e realizuar dhe do të hedhë themelet për angazhimet e ardhshme. Po ashtu, nënshkrimi majin e kaluar i një Plani Veprimi Franko-Shqiptar për Inovacionin na jep mjetet për të zbatuar projekte në inteligjencën artificiale dhe aftësive informatike, kjo edhe përmes bashkëfinancimit. Në fund, Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD), e cila është vendosur në Shqipëri që prej pesë vitesh, ka dhënë shuma të konsiderueshme kredish dhe subvencionesh, të shoqëruara me ekspertizë teknike të mirënjohur. Si ish deputet dhe këshilltar bashkie, thellësisht i përkushtuar ndaj komuniteteve lokale, kam kënaqësinë të shoh bashkëpunimet e frytshme të krijuara midis bashkive të Chambéry dhe Korçës, dy qytete me profile të ngjashme. Gjithashtu, nuk harroj të them se këto shkëmbime ekonomike kanë të bëjnë me burra dhe gra, një pjesë e të cilëve kanë lidhje personale me Shqipërinë, pavarësisht nëse janë vendosur aty apo janë me origjinë nga ky vend. Disa madje kanë punuar në vendosjen e kompanive franceze në Shqipëri në industrinë tekstile (Marlotex) dhe automobilistike (Delmon Group). Dhoma Franko-Shqiptare e Tregtisë dhe Industrisë (CCIFA) është pikërisht këtu për të bashkuar të gjithë këta aktorë me profile të ndryshme dhe për të ofruar mbështetjen e duhur. Kjo mbështetje është thelbësore, ashtu si ajo që Franca i ofron Shqipërisë në udhëtimin e saj drejt Evropës, i cili bëhet çdo ditë dhe më konkret. Ndërsa çështja e sovranitetit evropian vazhdon të fitojë rëndësi brenda BE-së, thellimi i lidhjeve tona ekonomike më duket po aq i dëshirueshëm sa dhe legjitim.