TheAlbaniaTime

Nga zerim i taksës për lëndët e para, TAP mbi 50 mijë lekë, fasoni kërkon mbështetje te Ekonomia

2026-03-04 - 12:14

Në Komisioni për Ekonominë dhe Financat po zhvillohet një seancë dëgjimore me bordin drejtues të Shoqata Proeksport Albania lidhur me politikat e taksimit të pagave dhe incentivimin e sektorit prodhues drejt krijimit të një cikli të mbyllur me produkte “Made in Albania”. Përfaqësuesi i shoqatës, Florjan Zeka, deklaroi se viti i kaluar u mbyll me rënie të eksporteve. “Sipas një studimi të Banka e Shqipërisë, sektori më i prekur nga ndryshimet e kursit të këmbimit është manifaktura, ku janë larguar rreth 16,500 punonjës. Synimi është kalimi nga modeli fason në një cikël të mbyllur prodhimi, por kjo nuk mund të realizohet pa mekanizma mbështetës. Ndërkohë që sektorë si turizmi apo bujqësia kanë përfituar ulje taksash (p.sh. TVSH 6%), prodhimi nuk ka pasur mbështetje të ngjashme”. Një nga kërkesat kryesore ishte zerimi i taksave për imputet (lëndën e parë). “Aktualisht këto taksa variojnë nga 8% deri në 15%, duke e bërë produktin vendas rreth 25% më të shtrenjtë krahasuar me vendet e rajonit dhe ato europiane. Ndërsa në Kosovë imputet tatohen me 0%. Lënda e parë është vendimtare në produkt, dhe ne jemi të pambrojtur krahasuar me vendet e rajonit. Propozoj që taksat për imputet të zërohen, të hiqen”, pohoi Zeka. Po ashtu, u kërkua që garancia shtetërore të jetë permanente, me normë interesi 2.5% dhe me mbulim kolaterali deri në 70%, pasi skemat e mëparshme nuk patën efekt për shkak të vonesave në zbatim dhe afateve të kufizuara. Rimbursimi i rritjes së pagës minimale Saimir Bidaj anëtar i shoqatës ProEksport Albania ngriti shqetësimin e rritjes së kostos nga paga minimale. Bidaj kërkoi që rimbursimi pas rritjes së pagës minimale të zbatohet për 9 muaj për të gjitha nivelet e pagave në sektor, jo vetëm për pagat e ulëta. Sipas tij diferenca mes pagës minimale të vjetër dhe asaj të re (40 mijë lekë në muajin dhjetor – 50 mijë lekë që arriti në muajin janar 2026) sjell një rimbursim prej 16.7% për pronarët e fabrikave për këtë fashë pagash. “Megjithatë, efekti konsiderohet i pamjaftueshëm. Rritja e pagës minimale pritet të rrisë gjithë hierarkinë e pagave (p.sh. nga 40–60 mijë lekë në 50–70 mijë lekë), duke shtuar kostot për të gjithë punonjësit. Kërkohet kompensim fiks për 9 muaj për të gjithë numrin e punonjësve”, tha ai. Kërkesa për rishikim të TAP Shoqata kërkoi gjithashtu rishikim të Tatimit mbi të Ardhurat Personale (TAP), duke propozuar që TAP të nisë nga pragu prej 50 mijë lekë nga 35 mijë lekë që është aktualisht. Sipas tyre, 70% e kostos së sektorit vjen nga fuqia punëtore, ndaj çdo rritje page e kombinuar me TAP-in rrit ndjeshëm barrën financiare. Nënkryetarja e shoqatës, Donika Mici, argumentoi se rritja e pagës minimale po përfiton më shumë buxhetin e shtetit sesa punonjësit. Ajo solli shembullin e punonjësve që me pagë 52 mijë lekë marrin më pak rrogë neto për shkak të tatimit, si dhe faktin që shtesat për punë në fundjavë përthithen nga TAP-i. “Nuk kemi pse të marrim njerëz në Indi, kur ne mund të marrim specialistë dhe t’i paguajmë me pagë 65 mijë lekë në muaj. Por për shkak të TAP, ai që merr më shumë tatohet më shumë. P.sh ai që merr 52 mijë lekë në muaj merr më pak, nga sa merrte më parë, nga tatimi për pagat. U rrit paga minimale, por përfitimin e merr buxheti i shtetit. Nëse kemi nevojë për ditën e shtunë, ata nuk dalin të punojnë, sepse ajo shtesa prej 2,500 lekë merren automatikisht si TAP”. Përfaqësuesit e kompanisë Alba Shoes, që punëson rreth 1,200 punonjës, deklaruan se sektori ndodhet në një nga momentet më të vështira për shkak të rritjes së kostove dhe kërkuan që kërkesat e tyre të merren parasysh.

Share this post: