TheAlbaniaTime

Nga turizmi tek imazhi dhe Arbitrazhi, rreziku që vjen nga përplasja për VIA

2026-03-28 - 21:21

Shtyrja e afateve për projekte të ndryshme përfshirë porte, aeroporte apo hekurudha në vend është bërë e rrugës. Për Aeroportin e Vlorës, afati i parë i dhënë për hyrjen në operim ishte fundi i vitit 2024, më pas vera e 2025-s, e kjo më pas u bë vera e 2026-s. Këto afate të dala nga zyrtarë të qeverisë nën ethe elektorale por jo vetëm, kanë marrë gjithmonë trajtën e premtimeve që i merr era, pa peshuar në fakt dëmet që u shkaktohen atyre që u besojnë. Turizmi është ndoshta sektori i prekur drejtpërdrejt nga premtimet e pambajtura të një aeroporti në Jug. Ky është viti i dytë që operatorët turistikë kanë lidhur kontrata garancie dhe presin që charter-at të ulen në Akërni. Aq e paqartë është situata aktualisht sa as operatorët turistikë nuk kanë një ide të përbashkët mbi atë që do të ndodhë. Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, tha vetëm pak javë më parë për “Monitor” se nuk e ka ende të qartë nëse fluturimet do të nisin apo jo. “Aeroporti i Vlorës edhe këtë sezon mbetet i pasigurt nëse do të fillojë operimin dhe kur do të nisë. Kemi bërë disa takime me të dyja palët që janë mbajtëse të kontratës për këtë aeroport, por nuk po marrim një përgjigje përfundimtare nëse do të hapet apo jo. Askush nuk di të thotë një afat të saktë. Na është thënë që do të përfundojë si projekt dhe ne kemi pasur edhe vizita brenda ndërtimit të aeroportit, ku gjërat duken se kanë ecur. Megjithatë, një datë të saktë askush nuk e di. Ajo që ka rëndësi është edhe certifikimi i aeroportit, përveç përfundimit të ndërtimit, që të nisë operimi. Llogaritet të jenë diku tek 10–12 charter në javë, për të cilët është bërë parapagim hotelesh në Vlorë. Hotelet në Vlorë kanë marrë këstet e para dhe disa edhe të dytat” do të nënvizonte z. Kasa. Por një tjetër operator turistik nënvizon se nisja e fluturimeve është e sigurt këtë verë. Elvis Kotherja, themelues i “Elite Travel Group & Elite Hospitality” tha më herët në një intervistë të shkurtit për “Monitor” se nordikët do të vinin në Jug nga Aeroporti i Vlorës. “Duke parë angazhimin e autoriteteve qendrore, gjithashtu edhe interesin e investitorëve, nuk shoh ndonjë shenjë që kjo nuk do të ndodhë, sepse infrastruktura dhe angazhimi janë maksimal. Administrata komunikon dhe është në lidhje të sigurt. Kjo më bën ta përjashtoj si mundësi moshapjen. Të paktën për charter-at, do të nisë”, do të nënvizonte z. Kotherja. Mundësia e humbur e ekonomisë lokale Qeveria synonte që me fillimin e operimit të Aeroportit të Vlorës zona përreth të merrte një nxitje të madhe në një efekt zinxhir për të zhvilluar aktivitete ekonomike të lidhura me të. Masterplani dhe studimi i fizibilitetit i aeroportit i vitit 2019, parashikonte trajtën që do të merrte ekonomia lokale si efekt i këtij projekti strategjik. Kështu në dokumente thuhej se ishin parashikuar një zonë sportive, një zonë e posaçme për verë, hotele dhe resorte, një port i vogël i ri, një zonë rezidenciale dhe për agrikulturë, plazh dhe një zonë me pyje. Në pjesën tjetër ndodhet edhe zona e mbrojtur natyrore e Nartës dhe Vjosës. Potencialisht një çështje për Arbitrazh me kosto për buxhetin dhe imazhin Thellimi i konfliktit për Aeroportin e Vlorës nuk ka kaluar pa u lakuar as Arbitrazhin si një mundësi. Gjatë konferencës që Mabco mbajti me mediat në shkurt u nënvizua se nëse zgjidhja nuk do të gjendej, Mabco si një kompani e themeluar në Zvicër do të kërkonte të drejtat e saj në gjykatat ndërkombëtare. “Kjo çështje nuk përbën thjesht një përplasje të zakonshme mes ortakësh brenda një shoqërie apo një debat që mbyllet brenda sistemit gjyqësor shqiptar. Duke qenë se Mabco është një investitor i themeluar në Zvicër, mosmarrëveshja mund të marrë edhe një dimension ndërkombëtar, si bazuar në Traktatin për Mbrojtjen e Investimeve ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës të vitit 1992, ashtu dhe në Kontratën e Koncesionit. Vlen të theksojmë se në të drejtën ndërkombëtare publike, veprimet e çdo organi shtetëror, përfshirë edhe gjykatat, konsiderohen veprime të vetë shtetit. Përveç kësaj, edhe Kontrata e Koncesionit i trajton veprimet e gjykatave si veprime të veprimeve të shtetit. Për rrjedhojë, edhe vendimet gjyqësore me efekt shpronësimin e Mabco’s konsiderohen si masa të shtetit në raport me një investim të huaj, gjë që u hap rrugën procedurave të arbitrazhit ndërkombëtar. Një proces i tillë nuk do të sillte vetëm kosto të konsiderueshme për mbrojtjen ligjore të shtetit. Nëse do të konstatohej shkelje e traktatit, Shqipëria mund të përballej edhe me dëmshpërblime, interesa dhe shpenzime procedurale të rëndësishme. Për këtë arsye, e shohim këtë çështje si një risk real që, në mungesë të një dialogu konstruktiv dhe të arritjes së një dakordësie për zgjidhjen e pretendimeve tona, mund të prodhojë pasoja financiare për shtetin dhe, në fund, për taksapaguesit shqiptarë”, do të nënvizonin në atë kohë përfaqësues të kompanisë. Kjo nuk do të ishte hera e parë që Shqipëria do të përballej në Arbitrazhe dhe të paguante fatura të kripura, të cilat kapin vlera të konsiderueshme. Një nga rastet më tipike është ai i investitorit italian Francesco Bechetti ku humbja në Arbitrazh solli një faturë 110 milionë euro, teksa raste të tjera nuk mungojnë. Kostoja e përballjes në Arbitrazhe nuk është vetëm ekonomike në buxhet por edhe në imazhin që një vend përcjell tek investitorët potencialë. Libri i bardhë i apo “White Book 2025–2029”, një publikim i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri së fundmi tregonte për një rënie të klimës së biznesit ku nga 49 pikë që ishte një vit më parë tashmë është në 45 pikë. Theksi në këtë rast vihet te përmirësimi i parashikueshmërisë ligjore si dhe rritja e transparencës. Sipas kreut të FIAA lidhur me Librin e Bardhë, “besimi i investitorëve nuk ndërtohet vetëm mbi ekzistencën e ligjeve të mira, por mbi garancinë se në rast konflikti, ata do të kenë akses në një proces gjyqësor të shpejtë, të pavarur dhe profesional. Ky mbetet testi i vërtetë i suksesit të reformës në vitet në vijim”. E në këtë kontekst, shteti duhet të marrë rolin e tij për të zgjidhur ngërçin për një projekt me rëndësi kombëtare. Lexo lajmin Fluturim pezull: mes konflikteve të aksionerëve, a do të fillojë punë Aeroporti i Vlorës?

Share this post: