TheAlbaniaTime

Nga qershori 2026, Air Transat do të kryejë fluturime të rregullta javore direkte drejt Torontos

2026-02-21 - 21:24

Intervistë me Manjola Kaso, Drejtoreshë për Zhvillimin e Aviacionit dhe Marketing, Tirana International Airport (TIA) Rinasi po hyn në një fazë të re zhvillimi, ku fokusi nuk është më vetëm rritja e volumit të pasagjerëve, por transformimi në një nyjë të vërtetë rajonale dhe ndërkontinentale. Nisja e fluturimeve direkte drejt Kanadasë nga qershori 2026 dhe planet për lidhje të drejtpërdrejta me SHBA-në shënojnë një kthesë strategjike për aeroportin, duke e futur Shqipërinë në hartën e fluturimeve të gjata dhe duke rritur rolin e saj si portë hyrëse për rajonin. Paralelisht, programi i zgjerimit të infrastrukturës dhe investimet, me rreth 150 milionë euro të realizuara deri tani dhe 100 milionë euro të planifikuara në vitet në vijim, synojnë të përballojnë rritjen e kërkesës dhe të mbështesin ambicien për ta pozicionuar TIA-n si hub rajonal për Ballkanin dhe më gjerë. Në këtë intervistë për “Monitor”, Manjola Kaso, Drejtoreshë për Zhvillimin e Aviacionit dhe Marketing në Tirana International Airport, flet për fazën e re të rritjes, zgjerimin e aeroportit dhe strategjinë për lidhjet direkte ndërkontinentale. Si do ta vlerësonit ecurinë e Tirana International Airport në vitin 2025 dhe pritshmëritë për vitin 2026? Në vitin 2025, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës shënoi një nga rritjet më të rëndësishme, duke u renditur i pari në Ballkan për sa i përket numrit të pasagjerëve. Ky sukses pasqyron jo vetëm rritjen e qëndrueshme të trafikut ajror, por edhe vendosmërinë për të ofruar shërbime të standardeve ndërkombëtare dhe për të forcuar rolin e aeroportit si një qendër strategjike rajonale. Viti 2025 gjithashtu shënoi disa arritje të rëndësishme të strategjisë sonë afatmesme. Ndërsa u shtuan 15 destinacione të reja, numri i pasagjerëve u rrit me 9% dhe numri i fluturimeve me 2.3%. Këto arritje erdhën si rezultat i investimeve të vazhdueshme nga Grupi Kastrati. Burimi: Aci Europe, Airport Traffic Report – December 2025, Quarter 4, Half2, Full Year Gjithashtu, TIA është certifikuar në Nivelin 3 – Optimizimi nga programi i Akreditimit të Karbonit të Aeroportit, duke treguar angazhimin tonë për reduktimin e emetimeve të karbonit dhe qëndrueshmërinë mjedisore. Aeroporti ka investuar rreth 5 milionë euro për të minimizuar ndikimin mjedisor, duke përfshirë instalimin e paneleve diellore, kalimin në ndriçimin LED dhe zëvendësimin e flotës së tij të trajtimit tokësor me automjete elektrike. Me vëmendje ndaj zhvillimit të qëndrueshëm, jemi në proces për të marrë lejen e ndërtimit të një impianti fotovoltaik; një investim prej 50 milionë eurosh që do na bëjë ndër aeroportet e pakta në Europë që arrijnë objektivin Net Zero në reduktimin e karbonit. Për t’iu përgjigjur nevojave të rritjes, TIA ka shtuar edhe numrin e të punësuarve duke ofruar mundësi të vazhdueshme për të rinjtë shqiptarë. Numri i të punësuarve drejtpërdrejt nga aeroporti arriti në 1,150, ndërkohë që ndikimi tek të punësuarit e lidhur drejtpërdrejt ose indirekt me aeroportin përllogaritet rreth 6,000. Në vitin 2025, ritmet e rritjes së numrit të pasagjerëve janë ngadalësuar dukshëm në raport me 2024-n. Si e shpjegoni këtë? TIA duke mbajtur lidershipin rajonal me rritjen 9%, tregon qëndrueshmëri dhe zhvillim të vazhdueshëm. Kjo duket qartë edhe në krahasimin që mund të bëjmë me vendet e rajonit të cilët kanë shënuar numër më të vogël pasagjerësh gjatë 2025 dhe një ritëm më të ulët të rritjes krahasuar me vitin paraardhës. Parë nga një pikëpamje më globale duhet të theksojmë se mesatarja e rritjes së aeroporteve europiane ishte vetëm 4.5%, aeroportet e vendeve jashtë BE vetëm 6.2%; ndërsa aeroportet e së njëjtës kategori me TIA-n (10-25 ml pasagjerë), vetëm 5.8%.* Pra TIA udhëheq çdo tregues rritjeje në çdo kategori të aeroporteve evropiane. Ajo që ka më shumë rëndësi për ne është që në 2025 hodhëm bazat për fazën tjetër të një rritjeje dyshifrore për muajt në vazhdim. Është e rëndësishme të theksohet se aviacioni shqiptar është pjesë e dinamikave të tregut ndërkombëtar. Në këtë kontekst, fundi i vitit 2024 dhe viti 2025 kanë qenë me sfida të konsiderueshme në industrinë e aviacionit. Viti 2025 përfaqëson një hap të konsoliduar drejt objektivit tonë strategjik afatmesëm prej 15 milionë pasagjerësh. Më e rëndësishmja, gjatë këtij viti siguruam kapacitetet e nevojshme për fazën e ardhshme të zgjerimit, që do të fillojë nga marsi 2026. Vetëm pak muaj më parë, Ryanair lajmëroi hapjen e bazës në Shqipëri me 4 avionë; Wizz Air planifikon shtimin e bazës me dy avionë; Grupi Lufthansa do të shtojë 4% kapacitet operimi, etj. Si ka ndryshuar struktura mes udhëtarëve vendas dhe atyre të huaj vitet e fundit? Sa ka ndikuar hyrja e operatorëve me kosto të ulët në bumin turistik të Shqipërisë? Gjatë vitit 2025, 62% e pasagjerëve që kaluan përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës ishin shtetas të huaj. Kjo flet për ndikimin e jashtëzakonshëm që ka aeroporti dhe lidhjet e tij ajrore në industrinë e turizmit. Linjat ajrore me kosto të ulët kanë riformatuar gjeografinë e turizmit në Ballkan, duke sjellë më shumë turistë drejt rajonit. Shohim në aeroport shumë shtetas të Kosovës e të Malit të Zi që e përdorin Rinasin si tranzit. A mund të jepni të dhëna sa për qind të udhëtarëve që përdorën Rinasin ishin nga vendet e rajonit në vitin 2025? Në fillim të vitit 2025, ne kemi pozicionuar Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës si një hub rajonal. Ky pozicionim erdhi si pasojë e numrit të madh të destinacioneve që ne ofrojmë, krahasuar me aeroportet e vendeve fqinje. Elementi shtesë që na dallon është numri i lartë i frekuencave për destinacione kyçe strategjike si Londra, Roma, Frankfurti, Milano, Vjena, etj., duke u ofruar udhëtarëve fleksibilitet më të madh dhe mundësi më të mira lidhëse. Ne kemi investuar në promovimin aktiv të destinacioneve të reja dhe ekskluzive në tregjet rajonale, duke përfshirë edhe mbështetje për zhvillimin e shërbimeve lehtësuese për pasagjerët nga këto vende. Në aspektin e performancës, tregu më dinamik ka qenë ai i Maqedonisë së Veriut, i cili shënoi rritje prej 18% krahasuar me një vit më parë, duke dëshmuar tërheqjen në rritje të aeroportit tonë për udhëtarët rajonalë. Sa interes ka për hyrjen e operatorëve të tjerë në Rinas dhe për zgjerimin e destinacioneve direkte përtej Europës? Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vitet e fundit ka tërhequr vëmendjen e shumë operatorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë. Gjatë vitit 2025 lidhëm shtatë partneritete të reja me kompani ajrore, katër prej të cilave operojnë nga Lindja e Mesme. Historia e suksesshme e aeroportit, së bashku me promovimin e vazhdueshëm të Shqipërisë si destinacion, kanë gjeneruar interes të konsiderueshëm nga operatorët e rinj. Po shohim interes në rritje nga rajone të tjera strategjike, përfshirë Kaukazin dhe Azinë Qendrore. Këto rajone të reja paraqesin mundësi të rëndësishme jo vetëm për diversifikimin e turizmit, por edhe për zhvillimin e sektorëve të tjerë ekonomikë, si shërbimet logjistike dhe tregtia ndërkombëtare. Zgjerimi i hartës së destinacioneve jashtë Europës përfaqëson prioritet strategjik për ne, duke krijuar lidhje të reja që do të nxisin zhvillimin ekonomik dhe do të forcojnë pozicionin e Shqipërisë si nyje lidhëse rajonale dhe ndërkombëtare. Sa ka qenë investimi i deritanishëm i kryer në TIA, që kur grupi Kastrati mori koncesionin dhe sa priten në vijim? Investimi i kryer deri më tani shkon në 150 milionë euro për infrastrukturën fizike, atë digjitale, por edhe investimet në zhvillimin e qëndrueshëm dhe reduktimin e karbonit që është objektiv parësor në industrinë e aviacionit. Gjatë këtij viti janë realizuar ndryshime të rëndësishme në infrastrukturë, ku përfshihet parkimi i dyfishuar dhe i lidhur direkt me terminalin e pasagjerëve, si dhe përfundimi i pjesës së parë të fasadës, e cila do jetë një nga simbolet e Shqipërisë turistike. Janë shtuar kapacitetet e vend-parkimit të avionëve duke i çuar në 31 total; Rehabilitimi dhe zgjatimi i pistës deri në 3000 metra, si dhe shtimi i 6 portave të reja të imbarkimit që do të hapen së shpejti. Tashmë kemi hyrë në fazën tjetër të investimeve; zgjerimi i mëtejshëm i terminalit, ku prioritare do të jenë, shtimi i hapësirave të pranimit (check-in), ofrimi i një hapësire të dedikuar për përpunimin e avionëve charter, zgjerimi i zonës së mbërritjeve dhe implementimi i sistemeve të reja që do modernizojnë menaxhimin e operacioneve të aeroportit, si dhe do të përmirësojnë cilësinë e ofruar ndaj partnerëve ajrorë. Grupi Kastrati planifikon edhe 100 milionë euro të tjera investime në 2-3 vitet në vijim, ku një nga përparësitë tona aktuale strategjike është zhvillimi i Master Planit të aeroportit, i cili do të përcaktojë rrugën e zhvillimit të infrastrukturës së tij për 20-30 vitet në vazhdim. Duke e njohur rëndësinë e TIA-s si një nga veprat infrastrukturore më të rëndësishme në vend, Grupi Kastrati po bashkëpunon ngushtë me autoritetet dhe palët e interesuara për të formuluar një vizion afatgjatë. Ky plan do të mundësojë ekzekutimin e investimeve të planifikuara, për të mbështetur rritjen e qëndrueshme dhe transformimin afatgjatë të aeroportit. Së fundmi, qeveria shqiptare nënshkroi marrëveshjen e hapësirës ajrore me Kanadanë. Sa interes kanë fluturimet direkte me këtë shtet? Duke filluar nga qershori 2026, Air Transat do të kryejë fluturime të rregullta javore të drejtpërdrejta drejt Torontos. Për ne, kjo është një arritje historike: fluturimi i parë ndërkontinental (long haul) nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës. Ky zhvillim është kurorëzimi i përpjekjeve të vazhdueshme për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me Atlantikun e Veriut. Njëkohësisht është edhe një vlerësim për investimet strategjike që kemi realizuar gjatë këtyre viteve. Finalizimi i marrëveshjes dypalëshe për shërbimet ajrore mes dy vendeve u arrit në një kohë rekord, duke dëshmuar se bashkërendimi efektiv i të gjitha palëve të interesuara është çelësi për suksesin e nismave strategjike të këtij formati. Kjo lidhje ajrore hap një kapitull të ri për TIA-n, duke forcuar pozicionin tonë si një hub rajonal, tashmë edhe me lidhje direkte ndërkontinentale dhe duke kontribuar në thellimin e lidhjeve ekonomike, tregtare e kulturore mes Shqipërisë dhe Amerikës së Veriut. Gjej rastin të falënderoj qeverinë shqiptare dhe Autoritetin e Aviacionit Civil për mbështetjen e tyre në finalizimin e kësaj marrëveshje. Si po ecin punimet për zgjerimin e aeroportit? Kur pritet që të fillojë linja direkte me SHBA-në? Sipas vlerësimeve tuaja, sa herë në javë do të ketë fluturime? Sa pritet numri i pasagjerëve? A ka interes nga vendet e tjera të rajonit për këtë linjë dhe sa konkurrente do të jetë ajo? Jemi në bisedime intensive me të gjithë operatorët ajrorë që kanë kapacitetin për të ofruar këtë shërbim. Aktualisht fluksi vjetor i pasagjerëve drejt SHBA-së është mbi 300,000. Megjithatë vlerësimet tona tregojnë se një lidhje e drejtpërdrejtë do ta shumëfishojë këtë kërkesë, veçanërisht duke marrë në konsideratë edhe kërkesat në rritje nga vendet e rajonit. Burimi: TIA Lexoni edhe: Si u nda tregu i ajrit në vitin 2025, destinacionet kryesore ku fluturojnë shqiptarët

Share this post: