TheAlbaniaTime

Nga 951 milionë në gati 4 miliardë euro: Si u rrit eksporti i shërbimeve në Kosovë

2026-03-06 - 09:54

Eksporti i shërbimeve nga Kosova ka shënuar rritje të vazhdueshme ndër vite, duke arritur nivelin më të lartë në vitin 2025. Të dhënat e tregojnë se shërbimet e udhëtimit, teknologjia e informacionit, mbeten sektorët kryesorë që kontribuojnë në këtë rritje. Instituti GAP ka paraqitur të dhënat lidhur me shërbimet që Kosova ka eksportuar më së shumti. GAP thekson se në vitin 2025 eksportet e shërbimeve u dominuan nga aktivitete si shërbimet e udhëtimit, shërbimet e TIK-ut, konsulencë dhe shërbime të transportit. Të dhënat janë paraqitur nga viti 2015, ku eksporti i shërbimeve ishte rreth 951.5 milion €. Sipas të dhënave, ka pasur rritje graduale çdo vit deri në 2019 (1.7 miliard €). Në 2020 shihet një rënie në rreth 1.0 miliard euro, kryesisht për shkak të pandemisë dhe uljes së udhëtimeve. Pas kësaj, eksporti është rritur shumë shpejt: 2021: 1.9 miliard € 2022: 2.5 miliardë € 2023: 3.0 miliardë € 2024: 3.4 miliardë € 2025: rreth 3.9 miliardë €. E në vitin 2025, eksportet e shërbimeve u dominuan nga aktivitete si: Shërbimet e udhëtimit, ku përfshihen shërbimet e ofruara për jo-rezidentët gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë – në vlerë prej 2.8 miliardë euro (+16% krahasuar me vitin 2024). Shërbimet e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), ku përfshihen shërbimet e zërit dhe të dhënave (përmes rrjeteve telefonike, transmetimeve kabllore e satelitore, dhe platformave elektronike të komunikimit), shërbimet për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve dhe programeve kompjuterike, si dhe shërbimet e agjencive të lajmeve – në vlerë prej 398.2 milionë euro (+14% krahasuar me vitin 2024). Shërbimet e tjera të biznesit, ku përfshihen shërbime si shërbimet hulumtuese dhe zhvillimore, shërbimet e konsulencës profesionale dhe menaxhimit, shërbimet teknike, etj., me vlerë prej 272.5 milionë euro (+4% krahasuar me vitin 2024), dhe Shërbimet e transportit, ku përfshihen shërbimet e bartjes së udhëtarëve dhe mallrave dhe të gjitha shërbimet mbështetëse – në vlerë prej 191.3 milionë euro (+30%).

Share this post: