TheAlbaniaTime

Ndryshon termi i tatim fitimit, bizneseve nuk u “njihet” teprica e paguar në 2024, kërkojnë zgjidhje

2026-03-24 - 09:22

Në kuadër të zhvillimeve të fundit ligjore, ka ndryshuar vlerësojmë terminologjia nga “Tatimi mbi Fitimin” në “Tatimi mbi të Ardhurat e Korporatave”, duke filluar nga viti fiskal 2025, në zbatim të Ligjit nr. 29/2023, datë 30.03.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar. Ky ndryshim vlerësohet pozitivisht nga bizneset, pasi përbën një hap të rëndësishëm drejt përputhjes me standardet ndërkombëtare dhe rritjes së qartësisë në trajtimin fiskal. Megjithatë, ky ndryshim ka sjellë një problematikë praktike në funksionimin e sistemit elektronik të deklarimit (e-filing) në këtë sezon. Konkretisht, subjektet që rezultojnë me tepricë kreditore në llogarinë “Tatimi mbi Fitimin” në datën 31 dhjetor 2024, po përballen me vështirësi, pasi këto teprica, nuk janë transferuar; dhe/ose nuk janë të lidhura funksionalisht me llogarinë e re “Tatimi mbi të Ardhurat e Korporatave” në sistemin tatimor. Si pasojë, tepricat kreditore mbeten të regjistruara në llogarinë e vjetër, nuk mund të përdoren për kompensimin e detyrimeve aktuale për vitin 2025 dhe në këtë mënyrë tatimpaguesit pengohen të ushtrojnë të drejtën e tyre për kompensim të detyrimeve tatimore. Kjo situatë mund të çojë në pagesa të panevojshme, rritje të barrës administrative dhe potencialisht në mosmarrëveshje me administratën tatimore. Në këtë kontekst, bizneset sjellin në vëmendje se, në përputhje me parimet e legjislacionit tatimor në fuqi: • Ligji nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon vijimësinë e detyrimeve dhe të drejtave tatimore, pavarësisht ndryshimeve në klasifikim apo emërtim; • Ligji nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, sanksionon të drejtën e tatimpaguesit për njohjen e tepricave kreditore, kompensimin e tyre me detyrime të tjera tatimore, dhe administrim korrekt dhe të paanshëm të llogarive tatimore nga administrata tatimore. Mos pasqyrimi i kësaj vijimësie në sistemin e e-filing deri në këtë moment që flajim, cenon në praktikë këto të drejta dhe krijon një situatë të pabarabartë për tatimpaguesit. Duke marrë në konsideratë edhe faktin se jemi në periudhën e deklarimit dhe shlyerjes së detyrimeve për vitin 2025, kjo çështje paraqitet urgjente për zgjidhje. Në këtë kuadër, bizneset kërkojnë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve: 1. Transferimin automatik të të gjitha tepricave kreditore nga llogaria “Tatimi mbi Fitimin” në llogarinë “Tatimi mbi të Ardhurat e Korporatave” ; ose 2. Vendosjen e një mekanizmi funksional ndërlidhje që mundëson përdorimin e këtyre tepricave për kompensim; 3. Nxjerrjen e një udhëzimi zyrtar sqarues për tatimpaguesit dhe profesionistët, lidhur me mënyrën e trajtimit të kësaj situate. 4. Shmangien e gjobave dhe penaliteteve të padrejta ne rast se këto teprica nuk bëhen të përdorshme brenda datës 31 Mars 2026 per Tatimin Korporativ të vitit fiskal 2025.

Share this post: