Ndryshimi i stilit dhe ritmit të jetës, rritet kërkesa për ushqime të gatshme
2026-03-28 - 21:11
Në një botë ku koha është kthyer në luks, ushqimi është ndër gjërat e para që i është përshtatur këtij realiteti. Në qytetet e mëdha, nga Nju Jorku te Londra, raftet me ushqime të gatshme dhe “ready-to-eat” janë bërë pjesë e përditshme e konsumit, ndërsa zinxhirët e supermarketeve dhe kompanitë ushqimore kanë ndërtuar një industri të tërë mbi nevojën për shpejtësi dhe praktikë. Stili i jetës, oraret e gjata të punës dhe urbanizimi kanë shtyrë konsumatorët drejt zgjidhjeve të gatshme, duke e kthyer ushqimin nga një proces në një produkt. Kjo tendencë, që prej vitesh dominon tregjet e zhvilluara, po depërton gradualisht edhe në Shqipëri. Edhe pse amvisat shqiptare vijojnë në pjesën më të madhe të gatuajnë vetë, ritmi i jetës në qytetet e mëdha po ndryshon zakonet e konsumit. Një ndikim të fortë ka dhënë edhe turizmi, me rritjen e numrit të vizitorëve që kërkojnë produkte të shpejta dhe të gatshme për konsum, duke ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi ofertën e tregut vendas. Duke iu referuar të dhënave të mëparshme të rrjetit të supermarketeve “Big Market”, është konstatuar një orientim në rritje drejt produkteve të gatshme dhe të paketuara, i lidhur ngushtë me shtimin e konsumit në ambientet e punës dhe me një stil jetese më dinamik. Ky zhvillim është shoqëruar me rritje të xhiros dhe të numrit të artikujve të shitur, veçanërisht në pikat qendrore, duke reflektuar një konsum të qëndrueshëm nga klientët rezidentë. Në vijim të kësaj tendence, Klaudja Karabolli, drejtoreshë marketingu, thekson se kërkesa për produkte të paketuara dhe gjysmë të gatshme ka vijuar të rritet, veçanërisht në zonat urbane. Sipas saj, ritmi i përshpejtuar i jetesës ka ndikuar drejtpërdrejt në preferencën e konsumatorëve për produkte praktike, me kohë të shkurtër përgatitjeje. Ky ndryshim nuk lidhet vetëm me komoditetin. Ai reflekton edhe transformimin e mënyrës së punës dhe të organizimit të ditës, ku vakti i drekës gjithnjë e më shpesh konsumohet jashtë shtëpisë ose në ambiente pune, duke rritur kërkesën për produkte të gatshme dhe lehtësisht të konsumueshme. Në të njëjtën kohë, zgjerimi i ofertës në supermarketet kryesore po krijon një cikël të ri konsumi, ku kërkesa dhe oferta ushqejnë njëra-tjetrën. Sa i përket zgjerimit të ofertës, zonja Karabolli thotë se aktualisht “Big Market” ndodhet në fazë studimi për një pilotim të mundshëm të produkteve të gatuara në disa pika të përzgjedhura. Ky vendim do të bazohet në analiza të detajuara të kërkesës dhe në vlerësimin e qëndrueshmërisë financiare të këtij segmenti. Nëse deri dje ushqimi i gatuar në shtëpi ishte norma, sot tregu po lëviz gradualisht drejt një modeli më fleksibël. Dhe ndonëse Shqipëria mbetet ende një treg me traditë të fortë gatimi në familje, sinjalet tregojnë se edhe këtu, ushqimi po bëhet gjithnjë e më shumë një çështje kohe sesa vetëm shijeje.