Ndihma juridike falas, në 2025 përfituan 6,241 qytetarë në të gjithë vendin
2026-03-20 - 12:11
Shqipëria regjistroi 6,241 raste të qytetarëve që përfituan ndihmë juridike falas gjatë vitit 2025, sipas të dhënave zyrtare. Shumica e tyre kërkuan mbrojtje ose këshillim ligjor për shkak të pamundësisë për të paguar shërbime private. “Në aspektin e shërbimeve, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas ka asistuar mbi 5,400 qytetarë me ndihmë juridike parësore dhe 841 qytetarë me ndihmë juridike dytësore. Paralelisht, është shënuar një rritje prej 48% e vendimeve gjyqësore të likuiduara, si dhe një rritje prej 41.5% e buxhetit të shpenzuar për këtë qëllim, çka dëshmon për funksionalitet më të lartë të sistemit dhe rritje të kërkesës për shërbimin”, thuhet në raportin vjetor të drejtorisë. Sipas ligjit, ndihmën juridike parësore mund ta ofrojnë: a) punonjësit me trajnim të posaçëm; b) organizatat jofitimprurëse të autorizuara; c) klinikat ligjore pranë institucioneve të arsimit të lartë. Sa i përket ndihmës juridike dytësore, qytetarët jo vetëm përfitojnë përfaqësim me avokat falas, por tani mund të përjashtohen edhe nga të gjitha tarifat dhe shpenzimet gjyqësore. “Nisur dhe nga natyra e çështjeve të ndihmës juridike, karakteri sensitiv që ato kanë, përfaqësimi me avokat falas dhe ndjekja e procesit në gjykatë është i një rëndësie thelbësore për rivendosjen në vend të të drejtave për kërkuesit e shërbimit e ndihmës juridike falas. Ndihma juridike dytësore jepet nga avokatët që përfshihen në listën e miratuar nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë”, thuhet në raport. Raportimi i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, nën varësi të Ministrisë së Drejtësisë, tregon se për vitin 2025 ishin të angazhuar të paktën 132 avokatë me kontratë për ofrimin e shërbimit. “Nga 140 avokatë që nënshkruan kontratë për ofrimin e shërbimit për ndihmën juridike dytësore, aktualisht këtë shërbim e ofrojnë 132 avokatë për vitin 2025, pasi 3 avokatë janë tërhequr në mënyrë të njëanshme për shkaqe ligjore dhe për 5 (pesë) ofrues të ndihmës juridike dytësore Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas ka vendosur zgjidhjen e menjëhershme të kontratës për shkak se kanë refuzuar monitorimin fillestar nga strukturat përgjegjëse të Drejtorisë së Ndihmës Juridike, ndërsa një ofrues nuk plotësonte kriteret themelore për ushtrimin e shërbimit”, vlerëson dokumenti.