Ndihma ekonomike, në 2025 përfituan mesatarisht 50 mijë familje, 51% meshkuj
2026-03-11 - 11:25
Shërbimi Social Shtetëror raportoi se në vitin 2025 mesatarisht çdo muaj kanë përfituar ndihmë ekonomike mbi 50 mijë familje. Shumica e tyre janë familje deri në 4 anëtarë ndërkohë që rreth 1/3 ka më shumë se 4. “Numri mesatar i familjeve/individëve përfitues për vitin 2025 është 50.600 familje, ku 67% e familjeve janë deri në 4 anëtarë dhe 34% me më shumë se 4 anëtarë. Të paktën 5% e familjeve përfituese i përkasin komunitet rom dhe egjiptian, kryesisht në qarqet Elbasan, Tiranë, Korçë, Lezhë, Durrës dhe Dibër” thuhet në raportin vjetor të SHSSH. I njëjti raportin se numri i individëve përfitues gjithsej në skemën e NE-së është mesatarisht 181.171 individë, nga të cilët 49% ose 89.186 femra dhe 51% ose 92.685 meshkuj. “Ndërkohë familje përfituese të cilët kanë individë me aftësi të kufizuar zënë 20% të familjeve në skemën e NE-së dhe janë gjithsej 10.509 individë me aftësi të kufizuar që trajtohen nga skema e mbrojtjes sociale. Nisur nga struktura e familjes përfitojnë dyfishin e masës së pagesës 11.138 familje ose 23% e totalit të familjeve përfituese” thuhet në raport. Sa i takon hyrjeve të reja në skemë dokumenti nënvizon se e përjashtim të muajit Janar që përkon me fillimin e vitit dhe ka gjithmonë numër më të lartë të aplikimeve, janë mesatarisht 818 familje që aplikojnë për herë të parë/riaplikime. Qarqet me numrin më të lartë të hyrjeve të reja janë qarqet Elbasan, Dibër, Kukës, Korçë dhe Shkodër. Sa i takon refuzimeve për aplikimet SHSSH vlerëson se për periudhën Janar – Dhjetor 2025 nga sistemi i pikëzimit vihet re një ulje e konsiderueshme e numrit të familjeve përfituese që kryesisht rezultojnë të jenë refuzuar nga Drejtoritë Rajonale gjatë verifikimit automatik me arsye të ndryshme, të tilla, si: mospërputhje e situatës social-ekonomike gjatë vizitës së kryer në banesë, mosdeklarimi i të ardhurave/aseteve që disponojnë ose mosparaqitja e anëtarëve madhorë gjatë deklarimit 3-mujor etj. “Qarqet të cilat kanë një ulje të konsiderueshme të numrit të familjeve janë qarqet Dibër, Kukës, Korçë, dhe Elbasan duke qenë edhe qarqet që mbartin numrin më të lartë të familjeve përfituese, bazuar kjo edhe në gjetjet e Task-Force-ës, pasi këto 4 qarqe kanë rezultuar me riskun më të lartë krahasuar me 8 qarqet e tjera” thuhet ne raport. / N.Maho