Mungesa e turistëve, bien importet e mallrave të akcizës në dymujor
2026-03-20 - 09:11
Përveç cigareve, importet e mallrave të tjera të akcizës kanë shënuar rënie në dy muajt e parë të vitit 2026 referojnë të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave. Pas një rritjeje të fortë përgjatë vitit 2025, tregu ka pësuar goditje në volum, veçanërisht në sektorin e pijeve dhe lëndëve djegëse. Goditjen më të rëndë e ka marrë importi i birrës, i cili ka rënë me mbi 20% krahasuar me fillimin e vitit të kaluar, duke reflektuar një rënie të kërkesës me rreth 1.2 milionë litra më pak. E njëjta tendencë negative vërehet edhe te kafeja, ku importet janë tkurrur me rreth 8%, duke zbritur në nivelin e 1,142 tonëve për periudhën janar-shkurt 2026. Rënia i dedikohet kryesisht një aktiviteti më të plogësht ekonomik prej mungesës së turistëve. Të dhënat zyrtare referojnë se numri i vizitorëve ka qenë gati 2 për qind më i ulët në janar, teksa popullsia e rezidente është në tkurrje nga emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve. Janari nis keq për turizmin, hyrjet e të huajve në rënie për herë të parë që nga pandemia Duke qenë se kafeja është një produkt që konsumohet masivisht nëpër bare, tkurrja e popullsisë veçanërisht të rinjve dhe rënia e turistëve ndikon drejtpërdrejt në volumin e importit. Gjithashtu konsumi i karburanteve të importuara ka pësuar një rënie prej 4.19%, një shifër kjo që sinjalizon ngadalësimin e aktivitetit ekonomik dhe qarkullimit në vend. Kjo rënie që ishte më e fortë në janar se në shkurt kur nisi lufta në Iran lidhet me një kërkesë më të dobët se viti i kaluar nga sektori i turizmit. Ndryshe nga mallrat e tjerë, kategoria e cigareve ka shënuar një rritje befasuese prej mbi 20%. Ky devijim nga trendi i përgjithshëm rënës i akcizës sugjeron një orientim të ndryshëm të konsumit ose ulje të kontrabandës në këtë zë. Në përgjithësi panorama e fillimvitit mbetet e vështirë për të ardhurat buxhetoret, duke pasur parasysh se tre mallrat kryesor të akcizës janë në rënie. Rritja e çmimeve të naftës dhe efektet zinxhir të saj mund të ngadalësojnë më tej importet e këtyre mallrave. Por nëse çmimet do të vijnë në rritje të ardhurat buxhetore sërish do favorizohen nga rritja e të ardhurave nga TVSH-ja, por kostot do të rëndojnë mbi konsumatorët. Në mungesë të turistëve ekonomia shqiptare do ta ketë shumë të vështirë të gjejë burimet e rritjes në këtë vit. Burimi: Ministria e Financave Burimi: Ministria e Financave Burimi: Ministria e Financave Burimi: Ministria e Financave