“Mungesa e menaxhimit të rrezikut ka rritur ekspozimin ndaj fatkeqësive natyrore”
2026-01-25 - 21:06
Intervistë / Venera Xhillari, zëvendësdrejtore e përgjithshme e Atlantik Përmbytjet e këtij muaji patën ndikim dhe efekt të kufizuar për kompanitë e sigurimeve, pikërisht për shkak të nivelit të ulët pronave dhe bizneseve të siguruara. Venera Xhillari, zëvendësdrejtore e përgjithshme e kompanisë së sigurimeve “Atlantik”, thotë se pjesa më e madhe e dëmeve të përgjithshme ka mbetur jashtë skemës së sigurimit dhe për rrjedhojë, ndikimi financiar për kompanitë e sigurimeve është plotësisht i menaxhueshëm. Ajo shprehet se pjesa më e madhe e kostos u transferua te buxheti i shtetit, fondet publike dhe individët e pasiguruar. Znj.Xhillari thekson që, ideja se shteti “del bujar” duke kompensuar dëmet krijon një perceptim të rremë solidariteti, pasi në realitet paratë nuk vijnë nga një burim i veçantë emergjencash, por nga taksat e qytetarëve. Kjo do të thotë se barra financiare shpërndahet mbi të gjithë, përfshirë edhe ata që nuk kanë asnjë lidhje me zonat e prekura apo me mënyrën se si janë ndërtuar dhe menaxhuar pronat e dëmtuara. Sipas saj, përmirësimi nuk vjen nga rritja e fondeve emergjente, por nga ndryshimi i logjikës së menaxhimit të riskut. Vetëm duke kombinuar sigurimin, parandalimin, planifikimin urban dhe mbështetjen sociale të targetuar, shteti mund të dalë nga roli i “paguesit të përhershëm të dëmeve” dhe të kthehet në një aktor që ndërton qëndrueshmëri reale. Si e vlerësoni shkallën e mbulimit të ekonomisë shqiptare me sigurime nga fatkeqësitë natyrore? Vendi ynë rezulton me një nivel të ulët të pagesave për sigurime (sidomos per sigurimin e pronës) për frymë popullsie. Shkalla e mbulimit të ekonomisë shqiptare me sigurime ndaj fatkeqësive natyrore mbetet e ulët dhe jo proporcional krahasuar me nivelin real të riskut ndaj të cilit është ekspozuar Shqipëria. Shkalla e ulët e sigurimeve të pronës nga katastrofat krijon një hendek të madh mes riskut real dhe nivelit të mbulimit financiar për individët, bizneset dhe në fund edhe për buxhetin e shtetit, duke lënë barrën kryesisht mbi shtetin pas çdo fatkeqësie. Shqipëria është një vend me risk të lartë sizmik dhe hidrologjik, por sigurimi nga këto rreziqe mbetet i kufizuar. Sigurimet nga fatkeqësitë natyrore ku përfshihen përmbytjet, tërmetet apo rreziqe të tjera natyrore nuk janë ende pjesë e kulturës sone si për familjet ashtu edhe për bizneset. Aktualisht, sigurimi i pasurisë në shumicën e rasteve, kryhet vetëm si detyrim nga bankat për sigurimin e kolateralit me kusht që të marrë financim, kurse pjesa tjetër e ekonomisë se vendit mbetet e pa mbrojtur me sigurim. Kjo situatë krijon një ekspozim të dyfishtë: për bizneset dhe familjet, por edhe për financat publike, të cilat përballen me presion pas çdo fatkeqësie. Çfarë efektesh patën përmbytjet e këtij muaji për kompanitë e sigurimeve dhe a jeni përballur me dëme nga situata e krijuar? Përmbytjet e këtij muaji patën ndikim dhe efekt të kufizuar për kompanitë e sigurimeve, pikërisht për shkak të nivelit të ulët pronave dhe bizneseve të siguruara. Dëmet e raportuara janë kryesisht nga subjekte të siguruara, kryesisht biznese ose prona që kanë pasur mbulim të plotë nga rreziqet natyrore. Ndërsa pjesa më e madhe e dëmeve të përgjithshme ka mbetur jashtë skemës së sigurimit. Për rrjedhojë, ndikimi financiar për kompanitë e sigurimeve është plotësisht i menaxhueshëm, Nga pikëpamja teknike, tregu i sigurimeve i përballon këto dëme pa vështirësi, por në terma makroekonomikë, pjesa më e madhe e kostos u transferua te buxheti i shtetit, fondet publike dhe individët e pasiguruar. A keni pasur raste të subjekteve të interesuara për t’u siguruar nga fatkeqësitë, por që nuk keni mundur t’i siguroni, për shkak të riskut të lartë? Cila është kryesisht tipologjia e rasteve dhe zonave që nuk mund të sigurohen për shkak të arsyeve të mësipërme? Po, ka raste kur sigurimi nuk është i mundur ose ofrohet vetëm me kushte shumë të kufizuara për shkak të nivelit të lartë të riskut. Këto raste lidhen kryesisht me ndërtime në zona te caktuara të ekspozuara ndaj përmbytjeve, pranë shtretërve të lumenjve, në zona të ulëta gjeografike ose në prona pa dokumentacion të rregullt ligjor. Po ashtu, objekte bujqësore dhe industriale pa masa mbrojtëse ose pa infrastrukturë parandaluese përbëjnë një risk që shpesh nuk mund të mbulohet nga tregu i sigurimeve ose mbulohet vetëm me prime shumë të larta. Këto janë raste ku mungesa e planifikimit urban dhe e kontrollit institucional reflektohet drejtpërdrejt në pamundësinë për sigurim. Besoni se ekzistojnë hapësira për menaxhimin më të mirë të riskut nga fatkeqësitë natyrore nga strukturat shtetërore? Ekzistojnë hapësira të konsiderueshme për përmirësim në menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë natyrore. Menaxhimi i riskut nuk fillon te dëmshpërblimi, por te parandalimi. Strukturat shtetërore kanë rol kyç në hartëzimin e riskut, planifikimin urban, kontrollin e ndërtimeve dhe investimet në infrastrukturë mbrojtëse, mirëmbajtja e kanaleve kulluese dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm qe do të reduktonin ndjeshëm dëmet. Fokusi aktual mbetet kryesisht te reagimi pas ngjarjes, ndërkohë që nevojitet më shumë vëmendje ndaj parandalimit. Një qasje më e koordinuar mes institucioneve shtetërore dhe tregut të sigurimeve do të ndihmonte në ndërtimin e një sistemi më të qëndrueshëm qe do të mundësonte ndarjen e riskut në mënyrë më efikase. Aktualisht, mungon një strategji gjithëpërfshirëse për menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë natyrore. Nga këndvështrimi juaj, si mund të përmirësohet mbulimi i vendit me sigurime nga fatkeqësitë natyrore? Shqipëria është një vend me risk të lartë i ekspozuar ndaj katastrofave natyrore, sizmik dhe hidrologjike. Përmirësimi i mbulimit kërkon një qasje sistemike. Një mënyrë më e drejtë dhe më efikase për ta përmirësuar këtë situatë do të ishte kalimi nga reagimi i përkohshëm drejt planifikimit afatgjatë. Shteti nuk mund të vazhdojë të veprojë vetëm pasi dëmi ka ndodhur, duke shpërndarë fonde emergjente nga buxheti i përgjithshëm. Në vend të kësaj, duhet të ndërtohet një sistem që e parashikon rrezikun dhe e ndan përgjegjësinë mes shtetit, qytetarit dhe tregut të sigurimeve. Së pari, një skemë sigurimi ndaj katastrofave natyrore do të ishte hapi më logjik. Kjo nuk do të thotë që barra t’i lihet plotësisht individit, por që sigurimi të bëhet pjesë e detyrueshme ose gjysmë-detyrueshme për banesat dhe bizneset, veçanërisht në zonat me risk të lartë. Shteti mund të subvencionojë primet për familjet me të ardhura të ulëta, duke garantuar mbrojtje sociale pa e mbingarkuar buxhetin sa herë ndodh një fatkeqësi. Së dyti, përmirësimi i planifikimit urban dhe kontrolli real i ndërtimeve janë thelbësore. Shumë nga dëmet përsëriten sepse ndërtohet në zona të rrezikuara, pranë lumenjve apo në territore që historikisht janë përmbytur. Kur shteti lejon ose toleron këto ndërtime dhe më pas i dëmshpërblen, krijohet një precedent i rrezikshëm që nxit papërgjegjshmëri. Një politikë e qartë ndëshkimi dhe moskompensimi për ndërtimet e paligjshme do të ulte ndjeshëm kostot publike në të ardhmen. Një tjetër element i rëndësishëm është investimi në parandalim. Pastrimi i kanaleve kulluese, mirëmbajtja e argjinaturave, ndërtimi i infrastrukturës mbrojtëse dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm kushtojnë më pak sesa dëmshpërblimet pas katastrofës. Në këtë mënyrë, fondet publike do të shpenzoheshin për të shmangur dëmin, jo për ta riparuar atë vazhdimisht. Në fund, transparenca dhe edukimi i qytetarëve janë po aq të rëndësishëm. Qytetarët duhet të kuptojnë se dëmshpërblimi nga shteti nuk është “dhuratë”, por para publike që ndikojnë drejtpërdrejt në shërbimet e tjera si arsimi, shëndetësia apo infrastruktura. Vetëm përmes një kulture përgjegjësie dhe informimi mund të ndërtohet një sistem ku solidariteti shoqëror nuk përkthehet në padrejtësi ekonomike. Ideja se shteti “del bujar” duke kompensuar dëmet krijon një perceptim të rremë solidariteti, pasi në realitet paratë nuk vijnë nga një burim i veçantë emergjencash, por nga taksat e qytetarëve. Kjo do të thotë se barra financiare shpërndahet mbi të gjithë, përfshirë edhe ata që nuk kanë asnjë lidhje me zonat e prekura apo me mënyrën se si janë ndërtuar dhe menaxhuar pronat e dëmtuara. Pra, përmirësimi nuk vjen nga rritja e fondeve emergjente, por nga ndryshimi i logjikës së menaxhimit të riskut. Vetëm duke kombinuar sigurimin, parandalimin, planifikimin urban dhe mbështetjen sociale të targetuar, shteti mund të dalë nga roli i “paguesit të përhershëm të dëmeve” dhe të kthehet në një aktor që ndërton qëndrueshmëri reale. Lexoni edhe: Pak sigurime dhe menaxhim rreziku, ekonomia “e zhveshur” përballë fatkeqësive