Ministri Vengu: Rriten fondet për emergjencat, prioritet financimi përgjatë lumit Shkumbin
2026-02-25 - 10:14
Në një konference për shtyp Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu njoftoi rritje të fondit për investime me qëllim parandalimin e fenomeneve natyrore, ku pjesa më e madhe financimeve do të shkojë për parandalimin e rrëshqitjeve të tokës përgjatë lumit Shkumbin. “Fondi për investimi arrin në vlerën e 18 mln eurove. Konkretisht, 8 mln euro janë në dispozicion për projekte në zbatim, përfshirë diga, ura dhe riparime infrastrukturore, ndërsa 10 mln euro shtesë do të akordohen për bashkitë për projekte të reja, pas një interesi të lartë dhe aplikimesh të shumta. Ndër projektet konkrete do të financohet plotësisht rehabilitimi i urës së Glinës në Dropull. Do të vazhdojmë të mbështesim pritat lumore përgjatë lumit Shkumbin, pjesë një e mirë e financimit shkon në këtë drejtim që të kemi mundësi të parandalojmë rrëshqitje apo dëmtimet nga gërryerjet lumore në të ardhmen”. Ministri gjithashtu tha se reshjet e fundit kanë krijuar problematika në basenet e lumenjve në disa zona të vendit, ndërsa forcat ushtarake kanë qenë në terren në vijimësi për menaxhimin e situatës. Sipas tij, forcat xheniere janë angazhuar për hapjen e akseve të bllokuara nga rrëshqitjet në zonat rurale dhe për riparimin e infrastrukturës së dëmtuar, përfshirë ura dhe rrugë kalimi. “Fatmirësisht, nga rrëshqitjet nuk janë shënuar viktima, ndërsa strukturat vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri për të shmangur çdo rrezik për jetën e qytetarëve. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka mbështetur bashkitë në përballimin e situatës, ndërsa në bashkëpunim me Ministria e Financave, po hartohet një paketë kompensimi për dëmet e shkaktuara në bujqësi dhe blegtori. Fondi i kushtëzuar shpërndahet me një qasje të re, jo në formë lineare, por në bazë risku për bashkitë me buxhete të kufizuara, ku shumë bashki iu janë dyfishuar fondet, që për shumë vite nuk kanë pasur instrumente financiare të mjaftueshëm me qëllim rritjen për veprime emergjente. Disa prej tyre kanë përfituar dyfishim fondesh, duke krijuar më shumë hapësira financiare për përballimin e emergjencave”, u shpreh ministri Vengu.