Ministri Salla: IPARD III do hapet brenda 6 muajve, masa të reja edhe me Skemën Kombëtare
2026-02-18 - 11:14
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në një konferencë për mediat njoftoi zbatimin e një sërë masash të reja që pritet të nisin në mbështetje të sektorëve të bujqësisë dhe blegtorisë, përmes Skemës Kombëtare me një vlerë prej 5,2 miliardë lekësh, si dhe përmes masave mbështetëse që do të financohen nga fondet e programit IPARD III, që pritet të hapët brenda 6 muajve. Ministri i Bujqësisë bëri të ditur se Skema Kombëtare për Bujqësinë me fonde me vlerë 5.2 mld lekë do të sjellë masa të reja mbështetëse për blegtorët e rinj. “Ne kemi diskutuar të gjitha masat e reja që do të vendosim për aplikim në skemën e re kombëtare. Jemi duke rishikuar masat e zbatuara në vitin 2025, për të gjetur metodologjinë më të përshtatshme. Brenda pak ditësh do të dalim me skemën e re, ku do të përfshihet edhe skema për naftën. Një nga risitë kryesore do të jetë mbështetja për blegtorët e rinj. Sipas Sallës, po diskutohet mundësia që të rinjtë dhe të rejat nga mosha 18 deri në 35 vjeç të përfitojnë grant nga 7 mijë deri në 10 mijë euro për hapjen e një biznesi, kryesisht në blegtori. Synojmë që çdo i ri apo e re që hap një biznes në këtë sektor të jetë pjesë e mbështetjes sonë financiare. Duam të rrisim rolin e të rinjve në këtë sistem të rëndësishëm dhe kjo mbështetje do të jepet në formë granti”, tha ai. Hapja e programit IPARD III Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural I pyetur nga gazetaret gjithashtu se pritet hapja e programit IPARD III. “Ne kemi përmbushur detyrimet tona të kërkuara nga Bashkimi Europian. Çështjet që lidhen me drejtësinë i takojnë institucioneve përkatëse. Më 9 mars do të jemi në Bruksel me synimin që brenda 6 muajve të hapet programi IPARD III. Fondi me vlerë 112 milionë eurosh pritet që të jenë në dispozicion brenda këtij viti në bashkëpunim me Bashkimin Europian. Kjo është një mundësi shumë e mirë që sektori bujqësor të vazhdojë me mbështetjen e masave të reja që do të vendosim me qeverinë shqiptare prej 5.2 mld lekë të ndërthura me masat e programit të IPARD III”, deklaroi ministri. Garancia Sovrane dhe kompensimi 10% Salla foli edhe për Garancinë Sovrane, e cila synon të lehtësojë aksesin në financim dhe të orientojë fermerët për të qenë pjesë e paketës mbështetëse përmes AZHBR-së, duke përfshirë për herë të parë edhe bashkitë. Ai theksoi rëndësinë e skemës së kompensimit 10%, duke i bërë thirrje fermerëve të marrin autofaturë, pasi do të përfitojnë 10% të vlerës së faturave. “Të gjithë ata që nuk janë formalizuar duhet të hapin një NIPT, në mënyrë që të bëhen pjesë e kësaj nisme. Nuk ka barrë financiare për biznesin që lëshon autofaturë për fermerin dhe procedura është e njëjtë, pa krijuar shqetësime për grumbulluesit apo agroturizmin”, sqaroi ministri. Gjithashtu, do të vendoset një numër kontakti për fermerët për çdo problematikë apo orientim lidhur me Garancinë Sovrane dhe kompensimin e TVSH-së 10%. Situata pas përmbytjeve Ministri i Bujqësisë u ndal edhe te situata pas përmbytjeve. “Kemi qenë në terren së bashku me Emergjencat Civile për të verifikuar situatën dhe për të qenë në kohë reale pranë fermerëve me mbështetje konkrete. Kemi ngritur një grup të përbashkët pune për të verifikuar të gjithë informacionin e marrë dhe shumë shpejt do të vijojmë me mbështetjen, sipas procedurave që kemi përcaktuar. Po punojmë gjithashtu me Ministrinë e Financave për sigurimin e fermave, me qëllim që të hedhim një hap tjetër përpara dhe të shmangim problematika të ngjashme në të ardhmen. Paralelisht, po shqyrtojmë edhe çështjen e eksportit drejt tregut turk dhe, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, po diskutojmë mënyrën e qasjes për ta adresuar këtë çështje në mënyrën më efikase”, u shpreh Salla.