TheAlbaniaTime

Me buxhet 4 miliardë, Kosova nga ky muaj nis dhënien e pagës së 13-të

2026-03-02 - 11:44

Qeveria e Kosovës ka vendosur që në fund të muajit mars, punëtorët e sektorit publik të marrin pagën e 13-të. Ky vendim pritet të përfshijë të gjithë të punësuarit në administratën shtetërore, arsim, shëndetësi, polici dhe sektorë të tjerë publikë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se përmbushja e zotimeve të mandatit të ri ka nisur me zbatimin e buxhetit të miratuar në Kuvend. Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti theksoi se buxheti është miratuar në lexim të dytë më 20 shkurt dhe kap vlerën rreth 4 miliardë euro. “Punën përmes përmbushjes së zotimeve në këtë mandat të ri e nisim me buxhetin e miratuar në Kuvend në lexim të dytë më 20 shkurt”, u shpreh Kurti. Ai bëri të ditur se në kuadër të këtij buxheti përfshihet edhe paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik, e cila pritet të shpërndahet në fund të këtij muaji. “Buxheti në vlerë rreth 4 miliardë euro përfshin edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, që do të shpërndahet në fund të këtij muaji që nisi sot”. Sipas Kurtit, miratimi i buxhetit shënon hapin e parë konkret drejt realizimit të prioriteteve të qeverisë në mandatin e ri. Më 20 shkurt të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Buxhetin për vitin 2026, i cili parashikon edhe ekzekutimin e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik. Derisa, Presidentja Vjosa Osmani e ka dekretuar të premten Ligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026. Përfaqësuesit e sindikatave shprehen se pagesa është e paraparë në ligj dhe nuk ka arsye për vonesa, duke kërkuar nga institucionet që zotimi i dhënë të zbatohet pa zvarritje dhe me transparencë të plotë. Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se deri më tani nuk ka pasur asnjë takim me ministrin e ri, Hekuran Murati, për të biseduar lidhur me ekzekutimin e pagës së 13-ta. “S’kemi pas ndonjë takim se Ministri ende nuk ka formuar kabinetin. Jemi në pritje që të kemi takimin e parë me të”. Ai thotë se punëtorët e arsimit janë në pritje të realizimit të premtimit për pagën e 13-të, premtim që është dhënë nga kryeministri Albin Kurti. “Punëtorët janë në pritje të pagës së 13 te shohim a po e mbajnë fjalët apo jo se kanë premtuar që kur miratohet buxheti do të dalin pagat”. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi, ka thënë se paga e 13-të për punëtorët e administratës publike duhet të ekzekutohet gjatë muajve mars ose prill. Kurse, Avdi Hoti, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, është shprehur deri më tani nuk kanë zhvilluar takime me përfaqësues institucionalë lidhur me ekzekutimin e pagës së 13-të për zyrtarët policorë. “S’kemi pasur takime. Po presim në fund të marsit të dal paga e 13-të, ashtu siç është premtuar. Premtim elektoral ka qenë dhe i ka fituar zgjedhjet, prandaj duhet të realizohet pasi është e planifikuar edhe në buxhet dhe është miratuar ku është edhe paga e 13”. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka sqaruar se pagën e 13-të do të mund ta marrin vetëm ata të cilët paraprakisht kanë 12 muaj punë. Murati ka deklaruar se ata të cilët kanë më pak se 12 muaj punë, atëherë këtë pagë do të mund ta marrin në vitin e ardhshëm. “Kjo parashihet që paga e 13-të vjen për ata që i kanë marrë 12 paga. Me fjalë të tjera, nëse dikush ka filluar rishtazi do ta marrë pagën e 12-të në vitin e ardhshëm. Kështu që kjo është e paraparë që paga e 13-të paguhet për punëtorët që marrin pagë nga buxheti i shtetit, por që kanë punuar së paku 12 muaj, para se të paguhet paga e 13-të”. Buxheti i vitit 2026 parashihet të arrijë në rreth 4 miliardë euro. Nga kjo shumë, mbi tre miliardë euro janë ndarë për nivelin qendror, ndërsa 867 milionë euro për nivelin lokal. Për investime kapitale, të cilat shihen si shtylla kryesore për zhvillimin ekonomik, janë planifikuar 998 milionë euro, ose 7.2% më shumë krahasuar me vitin 2025 (931 milionë euro). Kategoria me rritjen më të madhe është ajo e subvencioneve dhe transfereve, me një rritje prej 17.4%. Sivjet janë ndarë mbi 1.3 miliardë euro, krahasuar me rreth 1.1 miliardë euro në vitin e kaluar. Kjo rritje vjen si rezultat i rritjes së disa kategorive të pensioneve, mbështetjes se lehonave dhe rritjes së asistencës sociale. Pagat dhe shtesat për mbi 91 mijë punonjës të sektorit publik do të kushtojnë mbi 980 milionë euro, nga 916 milionë euro sa ishin në vitin 2025. Ndërkohë, shpenzimet për mallra dhe shërbime arrijnë në 509 milionë euro, ose rreth 7 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Në buxhet janë ndarë edhe 46 milionë euro si rezervë shtetërore për emergjenca, e njëjta shumë si në vitin paraprak, me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe likuiditetit financiar.

Share this post: