TheAlbaniaTime

Mblidhet sot për herë të parë Bordi i Naftës, pritet vendimi për çmimet

2026-03-26 - 09:51

Bordi i Transparencës në tregun e hidrokarbureve do të mblidhet sot për herë të parë, një javë pas krijimit të tij, në një moment kur çmimet e karburanteve në tregun e pakicës vijojnë të mbeten të larta. Lajmi është konfirmuar nga ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo. I pyetur nga gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministri Demo tha se bordi është duke mbledhur informacion mbi lëvizjen e çmimeve në bursa dhe tregun e pakicës dhe pritet që brenda ditës të dalë me një vendimmarrje konkrete. Për sa i përket reflektimeve në tregun e pakicës edhe për ndryshime të çmimeve te produktet ushqimore, ministri Demo tha rritja e çmimit të naftës dhe ndikimi i inflacionit kërkojnë kohë për t’u reflektuar. Ai tha se autoritetet shtetërore do të garantojnë transparencë në përcaktimin e çmimeve dhe masa për të shmangur spekulimet në treg. Vendimi për krijimin e Bordit të transparencës në tregun e hidrokarbureve u botua në Fletoren Zyrtare ditën e premte më 20 Mars. PËR SHPALLJEN E SITUATËS SË VEÇANTË NË TREGUN E HIDROKARBUREVE Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 21/1, të ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: Shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas nenit 21/1, të ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi deri në një vendimmarrje të dytë nga ana e Këshillit të Ministrave. Gjatë periudhës së situatës së veçantë ngrihet dhe funksionon Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe Gazit, i cili ushtron detyrat e tij sipas kompetencave të përcaktuara në kreun III/1, të ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, të ndryshuar. Subjektet dhe institucionet e përcaktuara në shkronjat “d”, “dh” dhe “ë”, të pikës 2, të nenit 21/2, të ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, të ndryshuar, detyrohen që, brenda datës 24.3.2026, të njoftojnë pranë ministrit përgjegjës për ekonominë përfaqësuesit e tyre për përbërje të këtij bordi. Çmimet, që përcaktohen nga Bordi gjatë situatës së veçantë, janë të detyrueshme për të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e tregtimit të nënprodukteve të naftës dhe gazit në vend, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave si dhe subjektet e licencuara për veprimtari me shumicë dhe pakicë në tregun e hidrokarbureve për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

Share this post: