TheAlbaniaTime

Mbi 50% e qytetarëve jashtë tregut të punës, alarm për ekonominë e Kosovës

2026-03-24 - 11:02

Mbi gjysma e popullsisë në moshë pune mbetet jashtë tregut të punës, me jo-aktivitet të lartë sidomos te gratë dhe punësim të përqendruar në sektorë të kufizuar ekonomikë në Kosova. Kurse, shkalla e papunësisë është 13.9%. Të dhënat e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, të bazuara në Regjistrimin e Popullsisë (ReKos 2024), nxjerrin në pah një situatë shqetësuese në tregun e punës. Sipas raportit, shkalla e papunësisë ka arritur në 13.9%, ndërsa mbi gjysma e popullsisë në moshë pune mbetet jashtë aktivitetit ekonomik. Nga gjithsej 1,063,687 persona në moshë pune, rreth 548,896 janë joaktivë, duke përfaqësuar 51.6 për qind të kësaj kategorie. Kjo përqindje e lartë e joaktivitetit konsiderohet një ndër sfidat kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit. Situata paraqitet edhe më e rënduar te gratë, ku 65.4 për qind e tyre janë jashtë tregut të punës, krahasuar me 37.8 për qind te meshkujt. Po ashtu, rreth 79 për qind e grave që janë aktive në kërkim të punës rezultojnë të papunësuara. Kryetari i Aleanca Kosovare e Bizneseve, Agim Shahini, ka reaguar ndaj këtyre shifrave, duke i cilësuar ato si dëshmi të qartë të dështimit të politikave ekonomike dhe sociale ndër vite. Sipas tij, me mbi 500 mijë qytetarë joaktivë dhe një papunësi prej 13.9 për qind, Kosova po humb kapitalin e saj më të vlefshëm, potencialin njerëzor. Ai theksoi se ekonomia e vendit po mbështetet gjithnjë e më shumë në remitenca dhe konsum, në mungesë të një baze të qëndrueshme prodhuese. “Me një papunësi prej 13.9% dhe qindra mijëra qytetarë joaktivë e numerikisht mbi 500 mijë, Kosova po humb potencialin e saj më të madh kapitalin njerëzor. Në vend të një ekonomie dinamike dhe konkurruese, po krijohet një model i varësisë nga remitencat dhe konsumit, pa bazë të fortë prodhuese”. Sipas Shahnit, kjo situatë është pasojë direkte e mungesës së strategjisë së qartë për punësim dhe zhvillim ekonomik. “Edhe më alarmuese është gjendja e grave në tregun e punës, ku mbi 65% mbeten jashtë aktivitetit ekonomik. Kjo nuk është vetëm çështje ekonomike, por tregues i një pabarazie të thellë dhe i mungesës së vullnetit institucional për ta ndryshuar këtë realitet. Ndërkohë, të dhënat mbi punësimin vazhdojnë të ngjallin dilema. Sipas ish-Qeverisë Kurti II, në fund të vitit 2023 numri i të punësuarve kishte arritur në rreth 425 mijë. Megjithatë, të dhënat nga Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës tregojnë se numri i llogarive aktive që pasqyrojnë punësimin formal dhe me kontribute është rreth 350 mijë. Kjo krijon një hendek prej 80 deri në 90 mijë personash që rezultojnë të punësuar sipas statistikave zyrtare, por që nuk reflektohen në sistemin e kontributeve pensionale. Sipas të dhënave të Trustit, rritja e punësimit mbetet minimale, me vetëm 3 deri në 4 për qind në vit, duke vënë në pikëpyetje pretendimet për rritje më të lartë të punësimit. Shkalla e jo-aktivitetit tek femrat është 65.4%, krahasuar me 37.8% tek meshkujt. “Shkalla e jo-aktivitetit vazhdon të mbetet mjaft e lartë Shkalla e jo-aktivitetit mbetet një nga sfidat kryesore të tregut të punës në Kosovë me 51,6 %. Kjo dukuri është veçanërisht e theksuar tek femrat, ku shkalla e jo-aktivitetit është 65,4 %, krahasuar me 37,8 % te meshkujt. Tregtia, arsimi dhe shëndetësia prijnë me punësim te femrat Sektorët kryesorë ekonomikë që dominojnë punësimin, ishin: tregtia me 19,7 %, prodhimi me 12,7 %, ndërtimtaria me 9,6 %, arsimi me 8,5 % dhe administrata publike dhe mbrojtja me 8,2 %. Femrat ishin të punësuara, kryesisht në sektorët e tregtisë, arsimit dhe kujdesit shëndetësor, me 48,9 % të tyre. Ndërsa, meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, prodhimit, ndërtimtarisë, administratës publike dhe mbrojtjes, në aktivitetet e akomodimit dhe shërbimeve me 63,2 %”. Sipas të dhënave punësimi në Kosovë vazhdon të sillet rreth disa sektorëve kryesorë: Tregtia – 19.7% Prodhimi – 12.7% Ndërtimtaria – 9.6% Arsimi – 8.5% Administrata publike – 8.2%.

Share this post: