Mbërritën çmimet negative të elektricitetit
2026-01-31 - 09:06
Nga Laert Dogjani* Kriza energjetike që shkaktoi lufta në Ukrainë shkaktoi çrregullime të ofertës që rriti çmimet e elektricitetit në mbi 500eur/MWh gushtin e vitit 2022. Prej atëherë, një numër i madh parqesh fotovoltaike kanë hyrë në prodhim dhe shumë të tjera janë në proces ndërtimi dhe aplikimi. Por siç ka ndodhur në vende të tjera, tregu tanimë është ngopur dhe këto impiante kanë filluar të shkaktojnë ulje të ndjeshme të çmimeve të elektricitetit në bursën Alpex. Këto çmime kanë rënë ne 25eur/MWh në një muaj konsumi të lartë si Dhjetori 2025 dhe poshtë 30 Eur/MWh në 15/30 ditë të gjatë janarit 2026. Ky proces në terma teknikë quhet “kanibalizim”, parqet PV “kafshojnë” çmimin e shitjes së produktit që prodhojnë. Përafrimi i legjislacionit me atë të Bashkimit Europian, do të lejojë tregun që të formojë çmime negative. Sado absurde të duket për lexues jashtë sektorit, mund të ndodhë shpesh për çmimet e elektricitetit me shumicë dhe më rrallë për çmimet e pakicës (d.m.th OSHEE të na paguajë për konsumin që bëjmë). Kjo ndodh pasi energjia elektrike është një produkt i veçantë, sidomos për sa i përket asaj që prodhohet në parqe PV. 1. Nuk depozitohet/magazinohet dot 2. Prodhohet në orarin 10:00 – 16:00 kur kërkesa është e ulët. 3. Greqia dikur importuese neto tanimë mund të eksportojë energji PV drejt Shqipërisë. 4. Nuk ka mjaftueshëm ndërlidhje për ta eksportuar në vendet fqinje. Çmimet pranë 0 sigurisht që rrezikojnë masivisht investimet që janë kryer dhe vazhdojnë të kryhen në këtë drejtim. Me një kosto diku te 30-40 euro/MWh këto investime rrezikojnë falimentimin dhe ndikojnë edhe në performancën e sistemit bankar i cili masivisht i ka kredituar. Grafiku në vijim paraqet një ushtrim tanimë jo aq teorik. Në vite të mira hidrike siç duket deri më tani 2026, rreziku është tepër i madh që këto investime të humbin para nëse janë në treg të lirë dhe jo të mbështetur nga kontratat e para-blerjes nga shteti. Me një çmim kaq të ulët, të ardhurat janë ~40,000 euro/ha-MW/vit, parqet PV dukshëm fitojnë më pak për hektarë se sa fitohet nga fermat bujqësore, sidomos në serra. Vetëm kosto e kreditimit ~50,000 euro/vit/MW/ha do të tejkalonin këtë nivel të ardhurash pa llogaritur kostot operacionale. – Kolona 1 është totali i prodhimit të energjive të përtëritshme në Shqipëri + Kosovë (tregu i elektricitetit Shqipëri + Kosovë është i bashkuar/coupled). – Kolona 2 është konsumi max. (6-10 pm natën orar piku në dimër) Shqipëri + Kosovë + Eksport – Kolona 3 është konsumi minimal (natën) Shqipëri + Kosovë + Eksport Eksportin e trajtojmë si “konsum/kërkesë”. HPP rez (hidrocentral me rezervuar, HPP RoR hidrocentral me rrjedhje të lirë) Të dhënat (e siguruara nga E.R.E.) janë kapacitetet e instaluara deri më 2025 + 600 MW eolike që “mendohen” të hyjnë në prodhim vitin që vjen. Projektohet rritje konsumi +10%. Jemi në vitin 2027. Po zbatojmë të gjithë reformat për të hyrë në BE. Çmimet negative lejohen që të formohen në bursën Alpex në rastet kur oferta më e madhe se kërkesa. Përqindja e energjisë e detyrueshme të tregtohet në Alpex gati 70%. Çfarë tregojnë shifrat: Përveç muajve dhjetor dhe janar në orarin e pikut të kërkesës 18:00-22:00, oferta tejkalon kërkesën nëse 1) ka reshje shiu dhe prodhim nga Hec 2) prodhim nga era (që shpesh përputhet me shirat) 3) dhe kthjellime gjatë ditës. Këto kushte ndodhin shpesh gjatë shirave të pranverës dhe vjeshtës dhe me raste si janari sivjet. Bashkë me ~600 MW nga KEK (TEC-et dëmtohen nëse fiken 100%), oferta e tejkalon kërkesën në çdo orar në kushtet 1+2+3 gjatë gjithë vitit. Disa skenarë “katastrofikë” për çmimet dhe jo vetëm: 1 – Natë në periudhën prill – qershor. Digat HPP Rez. janë plot nga shirat. Era fryn. Konsumi në minimum 550 MW. Eksporti në maksimum 1200 MW. Totali i kërkesës: 1750MW. Totali i ofertës: 3896MW – Oferta e përtërishme 3296 + 600MW nga KEK. Çmimet negative. 2 – Ditë 11:00. Solar PV shtohet në sistem. Era fryn, prurjet në lumenj vazhdojnë. Totali i kërkesës: 2200 MW – 500 MW në Shqipëri + 500 MW në Kosovë + 1200MW eksport Totali i ofertës: 4856 MW – 4256 MW të përtërishme + 600MW nga KEK Çmimet negative. Paradoksi Edhe nëse KESH dhe HPP private me rezervuar shkëputen nga rrjeti për të “mbështetur” Solar PV, Eoliket* & HPP RoR (rrjedhje e lirë). Oferta bie në 2628MW. Përsëri çmime negative. Pavarësisht çmimeve negative në treg, shumica e Solar PV, HPP RoR + ndoshta edhe eolike mbrohen nga çmime “juridike” & dispeçerim prioritar, kosto që e mban publiku. Kjo është Renditja juridike e Shkëputjeve të Prodhimit (Curtailment Merit Order) sot. Mbetet e paqartë cila do të jetë renditja në 2027? Kriza në Spanjë tregoi se në këtë skenar, fillimisht duhet të shkëputen Solar PV, Era dhe HPP RoR. Mësimet nga Spanja mbi zgjidhjen e problemit. Investitorët në PV priren të besojnë se mbrohen juridikisht duke siguruar kontrata parablerjeje nga shteti, sidomos për parqet < 2MW. Por siç argumentuam më lart, numri i ditëve kur tregu/çmimi do të shkojë në kolaps dhe ndoshta detyrojë shkëputje të lidhjeve për të mbrojtur rrjetin do të jetë i madh. Kështu në vend të mbrojtjes së çmimit të blerjes në kontratë do të duhej që me ato para të – financohej lidhje HVDC me Italinë, ku çmimi i shitjes së elektricitetit është më i lartë se çmimi që garanton shteti në kontratë. Me llogaritje të shpejta bazuar në shifrat më lart rezulton se duhet fillojë të ndërtohet menjëherë dhe jo kur planifikohet. Po ashtu, të njëjtat llogaritje tregojnë që mund ta financojmë me kthim pozitiv pa pasur nevojë për financim nga palë e tretë aksionare (EBA). – Shpejtohej përmirësimi i ndërlidhjes me Malin e Zi – Shpejtohej përfundimi i ndërlidhjes me Maqedoninë e V. Për më tepër, të dhënat e deritanishme tregojnë që kapaciteti ndërlidhës duhet të jetë më i madh nga sa parashikohet për shkak të rritjes së konsumit të energjisë, detyrimeve tona për integrimin në BE, zbatimin e NECP, dhe shtimit të kapaciteteve prodhuese me ritëm më të shpejtë se sa ndjek shteti zhvillimet e privatit dhe vizionit dhe planifikimit të BE për transmetim të energjisë nga Lindja në Perëndim. Në përfundim, le të imagjinojmë çfarë do të ndodhë me çmimet e energjisë me mbarimin e pritshëm të luftës në Ukrainë. *Opionionet janë personale të autorit dhe nuk përbëjnë qëndrim të revistës