Manipulimi i tregut të energjisë, Shqipëria mes vendeve që kanë zbatuar rregullat e BE (në letër)
2026-03-17 - 09:04
Shqipëria është ndër gjashtë vendet e Komunitetit të Energjisë që kanë transpozuar plotësisht rregulloren për integritetin dhe transparencën e tregut të energjisë, të njohur si REMIT, sipas një raporti të publikuar nga Komuniteti i Energjisë për zbatimin e kësaj rregulloreje në vendet kontraktuese gjatë vitit 2025. Dokumenti vlerëson progresin e vendeve të rajonit në përafrimin me rregullat e Bashkimit Europian që synojnë të rrisin transparencën në tregjet e energjisë dhe të parandalojnë praktika të tilla si manipulimi i çmimeve apo përdorimi i informacionit të brendshëm në tregti. Sipas raportit, nga 10 vendet e analizuara, gjashtë prej tyre: Shqipëria, Gjeorgjia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Ukraina, e kanë përfshirë plotësisht rregulloren REMIT në legjislacionin kombëtar. Raporti thekson se autoriteti rregullator shqiptar, Enri Rregullator i Energjisë ka kompetenca ligjore për të hetuar abuzimet e mundshme në tregun e energjisë në përputhje me këtë rregullore. Këto kompetenca përfshijnë hetimin e manipulimit të tregut, tregtimin me informacion të brendshëm dhe rastet e mos-publikimit të informacionit të brendshëm që mund të ndikojë në çmimet e energjisë. Sipas raportit, rregullatori monitoron zhvillimet në treg përmes Departamentit të Monitorimit të Tregut dhe ka të drejtë të kërkojë të dhëna nga operatorët e tregut, të kryejë inspektime dhe të propozojë masa administrative në rast se identifikohen shkelje të rregullave të transparencës. Dokumenti thekson gjithashtu se bashkëpunimi me autoritete të tjera kombëtare zbatohet sipas nevojës gjatë hetimeve. Raporti bazohet në informacionin dhe përgjigjet e dhëna nga autoritetet rregullatore të energjisë në vendet kontraktuese të Komunitetit të Energjisë. Përveç Shqipërisë, të dhëna për raportin kanë dhënë edhe rregullatorët e Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Moldavisë, Gjeorgjisë, Ukrainës, Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kosovës. Zbatimi i plotë i rregullores REMIT konsiderohet një element kyç për funksionimin e tregjeve të liberalizuara të energjisë, pasi synon të rrisë transparencën e transaksioneve dhe të parandalojë manipulimin e çmimeve në tregjet e energjisë elektrike dhe gazit. Rregullorja është pjesë e kuadrit rregullator të Bashkimit Europian për tregjet e energjisë dhe është adoptuar nga vendet e Komunitetit të Energjisë si pjesë e procesit të integrimit me tregun energjetik europian. Për Shqipërinë, zbatimi i këtyre rregullave lidhet edhe me zhvillimet në tregun vendas të energjisë dhe procesin e liberalizimit, përfshirë funksionimin e Bursës Shqiptare të Energjisë (ALPEX) cila synon të rrisë transparencën e çmimeve dhe konkurrencën në treg. Raporti sugjeron se kuadri ligjor dhe kompetencat hetimore të autoriteteve rregullatore janë elementë thelbësorë për të siguruar integritetin e tregut në një fazë të zgjerimit të tregtimit të energjisë në rajon. Sipas Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë forcimi i mekanizmave të monitorimit dhe hetimit të abuzimeve në treg mbetet një prioritet për vendet e rajonit, ndërsa integrimi i tregjeve të energjisë me Bashkimin Europian kërkon zbatim të plotë dhe efektiv të rregullave për transparencën dhe integritetin e tregut./ N.Maho