Linja hekurudhore Porto Romano – Sukth, ankimohet tenderi i projektit teknik, shkak dokumentet
2026-02-23 - 12:44
Tenderi për hartimin e projektit të detajuar teknik të linjës hekurudhore Porto Romano–Sukth është ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik, me argumente që lidhen me dokumentet e procedurës. Në këtë fazë, ankimimet zakonisht përqendrohen te kushtet dhe specifikimet e vendosura nga autoriteti kontraktor, për të cilat operatorët ekonomikë shprehin rezerva. Procedura u hap në gusht të vitit të kaluar dhe mbetet ende e papërfunduar. Autoritet kontraktor është Autoriteti Portual Durrës, ndërsa specifikimet teknike përfshijnë edhe Hekurudhën Shqiptare. Projekti konsiderohet me rëndësi strategjike në funksion të planeve për zhvendosjen e portit të Durrësit në Porto Romano, megjithëse këto plane duket se kanë mbetur pa zhvillime të reja. Në tetor të vitit të kaluar u njoftua se fituesi i garës ndërkombëtare për portin e ri do të shpallej më 31 janar 2026, por më shumë se një muaj pas afatit nuk ka ende njoftim zyrtar. Linja e re Sipas dokumenteve të tenderit, linja hekurudhore nga lidhja me rrjetin ekzistues deri në hyrje të portit të Porto Romanos do të ketë gjatësi 7,879 metra. Nga fillimi i trekëndëshit hekurudhor deri në fund të linjës, lëvizja e trenave parashikohet si vijon: – Në hyrje të linjës së Porto Romanos, trenat do të kalojnë në dy ndërrues hekurudhorë që do të instalohen në linjën kryesore Durrës–Sukth, duke shënuar fillimin e trekëndëshit hekurudhor. Pas rreth 1.1 km në drejtim të Porto Romanos, trenat do të kalojnë në një ndërrues tjetër, i propozuar të jetë simetrik për shkak të funksionit të tij. – Më pas, treni do të përshkojë rreth 4.7 km deri në hyrje të stacionit të pranimit dhe nisjes. – Pas daljes nga stacioni, do të përshkohen edhe rreth 1.1 km deri në hyrje të portit të Porto Romanos.