TheAlbaniaTime

Ligji i ri i kriptove sjell standardin e BE-së në rregullimin e tregut

2026-03-27 - 21:11

Intervistë me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare Projektligji i ri “Për tregjet e kripto-aseteve” pritet të krijojë më shumë hapësira për zhvillimin e tregut të formalizuar të këtyre instrumenteve në Shqipëri. Në një intervistë për “Monitor”, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) shprehet se kripto-asetet mund të kenë potencial zhvillimi në tregun shqiptar, veçanërisht në pagesat ndërkufitare, në mundësi të reja financimi dhe në shërbime financiare të digjitalizuara. Sipas AMF-së, projektligji parashikon që ky zhvillim të mos ndodhë jashtë sektorit financiar ekzistues, por në ndërthurje me të dhe mbështetur në qëllimin që ky treg të zhvillohet në mënyrë të rregulluar dhe në përputhje me mbrojtjen e klientit, integritetin e tregut dhe stabilitetin financiar. AMF shpjegon se projektligji i ri përfaqëson një ndryshim domethënës në përmbajtje dhe në filozofinë rregullatore. Ligji ekzistues ka një fushë veprimi të kufizuar dhe nuk mbulonte në mënyrë të plotë shumë nga veprimtaritë që sot konsiderohen thelbësore në tregun e kripto-aseteve. Projektligji i ri kalon nga një kuadër i fragmentuar në një regjim të plotë, funksional dhe të harmonizuar me standardet e BE-së në përputhje me rregulloren MiCA. Cilat janë shtyllat dhe parimet kryesore të projektligjit të ri “Për Kripto-Asetet”? Çfarë risish dhe ndryshimesh sjell projektligji në raport me ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”? Projektligji “Për tregjet e kripto-aseteve” synon të vendosë një kuadër të plotë rregullator për emetimin e kripto-aseteve dhe ofrimin e shërbimeve të lidhura me to, si dhe të sigurojë përafrimin e plotë të Shqipërisë me acquis të Bashkimit Europian në fushën e financave digjitale. Në thelb, ai transpozon Rregulloren (BE) 2023/1114, të njohur si MiCA, dhe krijon një bazë të qartë ligjore për një treg që deri më sot ka qenë vetëm pjesërisht i mbuluar nga kuadri ekzistues. Shtyllat kryesore të projektligjit janë transparenca, mbrojtja e investitorit, integriteti i tregut, mbikëqyrja efektive dhe harmonizimi me standardet europiane. Projektligji rregullon jo vetëm emetimin e kripto-aseteve dhe tokenave të parasë elektronike, por edhe shërbime si operimi i platformave të tregtimit, kujdestaria, këmbimi, ekzekutimi dhe transmetimi i urdhrave, këshillimi, transfertat dhe administrimi i portofolit të kripto-aseteve. Ai vendos gjithashtu kërkesa të qarta për kapitalin minimal, qeverisjen korporative, menaxhimin e konfliktit të interesit, sigurinë kibernetike dhe operacionale, transparencën e dokumentit informues dhe masat kundër abuzimit me tregun dhe pastrimit të parave. Sa u takon ndryshimeve nga ligji aktual nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, duhet thënë se projektligji i ri përfaqëson një ndryshim domethënës si në përmbajtje, ashtu edhe në filozofinë rregullatore. Ligji nr. 66/2020 ishte një hap fillestar dhe i rëndësishëm për kohën kur u miratua, pasi synonte të krijonte një bazë për licencimin, monitorimin dhe mbikëqyrjen e subjekteve që do të ushtronin aktivitete të lidhura me tokenët digjitalë dhe monedhat virtuale. Megjithatë, ai kishte një fushë veprimi të kufizuar dhe nuk mbulonte në mënyrë të plotë shumë nga veprimtaritë që sot konsiderohen thelbësore në tregun e kripto-aseteve. Ligji ekzistues është miratuar përpara daljes së rregullores MiCA. Projektligji i ri kalon nga një kuadër i fragmentuar në një regjim të plotë, funksional dhe të harmonizuar me standardet e BE-së në përputhje me rregulloren MiCA. Ky është dallimi kryesor, pasi nuk kemi vetëm zgjerim të aktiviteteve të rregulluara, por po ndërtojmë një arkitekturë të re rregullatore që vendos në qendër sigurinë juridike, mbrojtjen e investitorit dhe mbikëqyrjen efektive të tregut. Si i kategorizon projektligji kripto-asetet dhe cilat janë diferencat kryesore në rregullimin e klasave të ndryshme të tyre? Projektligji “Për tregjet e kripto-aseteve” parashikon një regjim të diferencuar rregullator për kategoritë e ndryshme të kripto-aseteve, duke i trajtuar ato sipas natyrës së tyre, funksionit ekonomik dhe nivelit të rrezikut që paraqesin për investitorët, tregun dhe stabilitetin financiar. Kjo do të thotë se projektligji bën një ndarje të qartë midis emetimit të kripto-aseteve që nuk janë stablecoins (tokena që fiksojnë vlerën e tyre pas një valute zyrtare), emetimit të stablecoins dhe ofrimit të shërbimeve të lidhura me kripto-asetet, duke parashikuar për secilën kategori kërkesa të ndryshme për njoftim, autorizim, transparencë, qeverisje dhe mbikëqyrje. Së pari, emetimi i tokenave që nuk janë stablecoins i nënshtrohet një regjimi njoftimi dhe jo një regjimi autorizimi paraprak. Kjo do të thotë që emetuesi ose ofertuesi nuk ka nevojë të marrë një licencë ose autorizim të posaçëm për vetë emetimin, por ka detyrimin të hartojë dhe të njoftojë pranë Autoritetit dokumentin informues të kripto-asetit (whitepaper) i cili përmban të gjithë informacionin e plotë për të siguruar që investitori të bëjë transaksione pasi ka marrë informacion të mjaftueshëm. Së dyti, stablecoins trajtohen me një regjim më të rreptë dhe mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë. Projektligji i ndan ato në tokena të aseteve dhe tokena të parasë elektronike. Për këto kategori parashikohen kërkesa më të forta për autorizim, qeverisje të brendshme, mbrojtjen e klientëve, rezervën e aseteve, ruajtjen e fondeve dhe mekanizmat e shlyerjes, për shkak të lidhjes së tyre më të ngushtë me shërbimet e pagesave dhe synimit për të mbajtur një vlerë të qëndrueshme. Së treti, ofrimi i shërbimeve të lidhura me kripto-asetet i nënshtrohet gjithashtu një regjimi autorizimi nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Projektligji rregullon në mënyrë të posaçme një gamë të gjerë shërbimesh si kujdestarinë dhe administrimin e kripto-aseteve, operimin e një platforme tregtimi, këmbimin e kripto-aseteve, marrjen dhe transmetimin e urdhrave, ekzekutimin e urdhrave, hedhjen në treg të kripto-aseteve, këshillimin, administrimin e portofolit dhe shërbimet e transfertave të kripto-aseteve. Në thelb, kuadri rregullator për kripto-asetet është i përafërt me atë të Direktivës 2014/65/EU “Markets in Financial Instruments” (MIFID II) dhe Direktivës 2009/110/EC “On the taking up, pursuit and prudential supervision of the business of electronic money institutions” (EMD2), dhe u parashtron emetuesve dhe ofruesve të shërbimeve të lidhura me kripto-asetet të njëjtat kërkesa rregullatore sikurse emetuesve ose ofruesve të shërbimeve të lidhura me instrumente financiarë dhe para elektronike. A parashikon projektligji rregullim për mining (gjenerimin) e kripto-aseteve nga subjektet dhe individët? Projektligji nuk parashikon rregullim financiar për veprimtarinë e ‘mining’. Neni 4 e përjashton shprehimisht rastin kur kripto-asetet përfitohen automatikisht si rezultat i mirëmbajtjes së rrjetit DLT ose verifikimit të transaksioneve. Megjithatë, çdo e ardhur e krijuar nga kjo veprimtari i nënshtrohet legjislacionit tatimor për të ardhurat. Si ndahen në projektligj fushat e kompetencës mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës së Shqipërisë? Ndarja e kompetencave mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës së Shqipërisë është ndërtuar mbi natyrën e veprimtarisë dhe nivelin e rrezikut. Në mënyrë të përgjithshme, Autoriteti mbikëqyr emetimin e kripto-aseteve që nuk janë stablecoins dhe autorizon ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve, si për shembull kujdestaria dhe administrimi i kripto-aseteve për llogari të palëve të treta, operimi i një platforme tregtimi për kripto-asetet, këmbimi i kripto-aseteve kundrejt fondeve, marrja dhe transmetimi i urdhrave, këshillimi në lidhje me kripto-asetet, administrimi i portofolit të kripto-aseteve dhe shërbimet e transfertave të kripto-aseteve për llogari të klientëve. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë mbikëqyr ato kategori që lidhen me funksione më të ndjeshme financiare dhe monetare, pra për stablecoins, konkretisht për tokenat e asetit dhe tokenat e parasë elektronike. Kjo do të thotë se Banka e Shqipërisë mbikëqyr dhe autorizon emetimin e këtyre instrumenteve, për shkak se ato kanë potencial më të lartë për të ndikuar në pagesa dhe, në raste të caktuara, edhe në stabilitetin financiar. Në këtë kuptim, projektligji ndjek një logjikë të qartë: aty ku kemi kripto-asete dhe shërbime ndërmjetësimi të ngjashme me ato tregut të investimeve, roli kryesor i takon Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ndërsa aty ku kemi instrumente më pranë parasë elektronike dhe funksioneve monetare, roli kryesor i takon Bankës së Shqipërisë. Megjithëse Shqipëria ishte një nga vendet e para që miratoi një ligj të posaçëm për rregullimin e tregjeve të kripto-aseteve, deri më sot nuk ka pasur subjekte të licencuara për këto shërbime. A ka pasur interes konkret për licencim nga subjekte gjatë këtyre viteve dhe a keni evidentuar aspekte të ligjit që mund të kenë pasur një rol pengues apo frenues? Ashtu si në tregjet ndërkombëtare, zhvillimi i tregut të kripto-aseteve ka kaluar fillimisht një fazë të njohjes dhe kuptimit të kuadrit rregullator, përpara se të nisë procesi i licencimit të operatorëve. Edhe në Shqipëri është vërejtur një nivel relativisht i kufizuar njohjeje nga ana e tregut gjatë fazës fillestare. Me projektligjin e ri në kuadër të përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, synohet krijimi i një kuadri më të qartë dhe të harmonizuar me standardet e BE-së. Në këtë mënyrë, licencimi i operatorëve në këtë sektor do të zhvillohet mbi një bazë ligjore dhe rregullatore më të avancuar, të sigurt dhe të konsoliduar. Si i vlerësoni potencialet e zhvillimit të kripto-aseteve në tregun shqiptar dhe si mund të ndërthuren këto asete me produktet ekzistuese të sektorit financiar? Kripto-asetet mund të kenë potencial zhvillimi në tregun shqiptar, veçanërisht në pagesat ndërkufitare, në mundësi të reja financimi dhe në shërbime financiare të digjitalizuara. Projektligji parashikon që ky zhvillim të mos ndodhë jashtë sektorit financiar ekzistues, por në ndërthurje me të. Qëllimi është që ky treg të zhvillohet në mënyrë të rregulluar dhe në përputhje me mbrojtjen e klientit, integritetin e tregut dhe stabilitetin financiar. Megjithëse në Shqipëri nuk ka institucione financiare të licencuara për tregtimin e kripto-aseteve, është e ditur se ka shumë shqiptarë që investojnë në to. A keni informacion si dhe në çfarë kanalesh bëhet aktualisht investimi në kripto nga shqiptarët? Keni indicie për subjekte që angazhohen në tregtim të kripto-aseteve në mënyrë të palicencuar, në kundërshtim me kërkesat ligjore? Në përputhje me ligjin integral, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka si kompetencë vetëm mbikëqyrjen e subjekteve të licencuara, të cilat ushtrojnë veprimtarinë në një nga tregjet që rregullohen dhe mbikëqyren nga Autoriteti. Ndërkohë monitorimi dhe konstatimi i ushtrimit të veprimtarive financiare pa licencë, është kompetencë e organeve përkatëse ligjzbatuese. Në Shqipëri, aktualisht nuk ka institucione financiare të licencuara për tregtimin e kripto-aseteve, ndërkohë që Autoriteti ka bërë tashmë publike paralajmërime ndaj aktiviteteve të palicencuara dhe platformave me elemente mashtruese, duke theksuar se veprimtari të tilla bien ndesh me legjislacionin në fuqi dhe cenojnë interesat e investitorëve. Megjithatë, identifikimi i çdo subjekti konkret që mund të ushtrojë në mënyrë të paligjshme aktivitet të lidhur me kripto-asetet kërkon verifikim rast pas rasti, bazuar në indicie të dokumentuara dhe në bashkëpunim me autoritetet kompetente. Lexoni edhe: Ligji i ri, Shqipëria “e provon sërish” me kripto-asetet

Share this post: