TheAlbaniaTime

Licencat e energjisë, ERE gati draft rregulloren, nga reciprociteti te rregullat për operatorët

2026-03-26 - 09:11

Enti Rregullator i Energjisë ka bërë një seri ndryshimesh në rregulloren “Për procedurat dhe afatet për dhënien, modifikimin, transferimin, rinovimin, njohjen dhe heqjen e licencave në sektorin e energjisë” të nxjerra së fundmi për konsultim. Ndryshimet saktësojnë si veprohet në rastet e hyrjes së operatorëve të huaj në treg duke sjellë në vëmendje parimin e reciprocitetit, ndërkohë që forcohen filtrat teknikë dhe financiarë për licencim. Sipas draftit të ri, kompanitë që zotërojnë licenca në vendet e Bashkimit Europian ose në hapësirën e Komunitetit të Energjisë mund të operojnë në Shqipëri pa kaluar një proces të plotë licencimi nga Enti Rregullator i Energjisë. Ky hap nuk është vetëm i Entit por një masë e ndjekur në disa tregje të BE-së për njohjen reciproke të operatorëve, në funksion të integrimit rajonal dhe rritjes së konkurrencës. Ndryshimet synojnë gjithashtu të përshpejtojnë zhvillimin e projekteve energjetike, duke lejuar aplikimet për licencë edhe kur investitorët janë ende në proces sigurimi të lejeve të tjera. Ky fleksibilitet pritet të reduktojë vonesat burokratike. Një tjetër element është ajo për dokumentacionin që kërkohet gjatë proceseve të ndryshme në sektorin e energjisë. Sipas draftit aplikuesit do të duhet të paraqesin prova më të forta për kapacitetin financiar, strukturën organizative dhe përputhshmërinë teknike, ndërsa për projektet në energjinë e rinovueshme shtohen kërkesa specifike për jetëgjatësinë e aseteve dhe progresin e zbatimit. Rregullorja shkon në të njëjtin drejtim që kanë sot praktikat europiane për të shmangur projektet spekulative dhe për të garantuar seriozitetin e investitorëve. Drafti sjell gjithashtu më shumë qartësi në afatet procedurale, duke standardizuar kohën e shqyrtimit për transferimin dhe modifikimin e licencave, si dhe duke forcuar kushtet për rinovim. Ndryshe nga më parë, operatorët do të duhet të paraqesin dokumentacion të plotë edhe në fazën e rinovimit, duke eliminuar praktikat e zgjatjes automatike pa rivlerësim. Në tërësi, ndryshimet pasqyrojnë një balancë mes hapjes së tregut dhe rritjes së mbikëqyrjes rregullatore një qasje që po merr trajtë të konsoliduar kudo në Bashkimin Europian pasi vendet po përpiqen të tërheqin investime në energji, pa komprometuar stabilitetin dhe integritetin e sistemit./ N.Maho

Share this post: