TheAlbaniaTime

Kur marrëdhënia “katandiset” vetëm në “Marrje”

2026-02-27 - 21:14

EDITORIAL / Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon që kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni privat duhet të zbritet nga të ardhurat personale për efekt tatimi. Përjashtimi nga tatimi i kontributeve është i lidhur me pagën minimale mujore, që aktualisht ka arritur në 50 mijë lekë në muaj. Por, zbatimi në praktikë i këtij përjashtimi tatimor nuk ka funksionuar asnjëherë plotësisht. E vetmja mënyrë që përjashtimi i kontributit nga pensioni privat të njihet është nëse kontributi i punëmarrësit zbritet nga paga dhe derdhet direkt nga punëdhënësi. Ndërsa, në rastet kur një kontribuues nuk mund t’i derdhë kontributet nëpërmjet një punëmarrësi (për shembull, profesionistët e lirë) ose kur thjesht dëshiron të kontribuojë vetë nga kursimet e tij, ende nuk ka një mekanizëm që e mundëson përfitimin e kësaj zbritjeje tatimore. Deklarata individuale vjetore e të ardhurave nuk e mundëson ende deklarimin dhe zbritjen e këtyre kontributeve nga baza e tatueshme. Qoftë edhe për individët e punësuar, derdhja e kontributeve në fondet private të pensionit, nëpërmjet punëdhënësit, në praktikë mund të jetë e ndërlikuar, sepse kërkon një angazhim shtesë për strukturat e financës së kompanisë dhe jo gjithmonë kjo gjë mund të merret përsipër prej tyre. Kjo çështje ngelet e pazgjidhur prej vitesh, për shkak të mosrregullimit të procedurave që do ta bënin të mundur zbatimin e këtij detyrimi ligjor. Ky nuk është rasti i vetëm kur të drejtat ligjore të subjekteve nuk zbatohen, pikërisht për shkak të mungesës së akteve nënligjore. Ligjet ngarkojnë institucionet e pushtetit ekzekutiv me hartimin e akteve përkatëse nënligjore për t’i bërë të gjitha parashikimet ligjore të zbatueshme. Por, nuk është e rrallë që këto akte nënligjore të hartohen në shkelje të afateve që përcakton ligji ose, në raste edhe më flagrante, të mos hartohen asnjëherë. Mospërgatitja e këtyre akteve tregon se vetë institucionet ekzekutive nuk kanë një kulturë të respektimit skrupuloz të ligjit. Në vitin 2019, Kuvendi miratoi një ligj për pensionet suplementare të profesioneve të vështira. Ndër të tjera, ky ligj parashikonte detyrimin për derdhjen e kontributeve shtesë në një fond privat pensioni (për punonjësit nën 48 vjeç). Por, për vite të tëra, ky detyrim ligjor ka ngelur i pazbatuar, për shkak të mungesës së procedurave të deklarimit dhe pagesës së këtyre kontributeve, si dhe për mungesën e një institucioni të ngarkuar shprehimisht me ligj për të kërkuar llogari ndaj subjekteve lidhur me zbatimin e këtij detyrimi. Aktualisht në e-Albania apo e-tatime nuk gjen një formular që mund të plotësohet nga të interesuarit. Për punonjësit, prakitikisht kjo përkthehet në kontribute të munguara dhe mospërfitimin e masës së plotë të pensionit shtesë që parashikon ligji. Në fillim të këtij viti, hyri në fuqi edhe ligji për rivlerësimin e pasurive. Megjithëse ligji ka hyrë në fuqi prej gati muaji, procesi nuk ka nisur ende, për shkak të vonesave në hartimin dhe publikimin e akteve nënligjore. Sa e vështirë për qeverinë mund të jetë të përgatitet një udhëzim për procedurat e rivlerësimit të pasurive, që, veç të tjerash, nuk është një proces i ri, por i përsëritur disa herë në 15 vitet e fundit? Shembull tjetër i neglizhencës në raport me detyrimet dhe afatet ligjore janë vonesat në zgjedhjen apo emërimin e drejtuesve të institucioneve të pavarura. Aktualisht, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë është i bllokuar dhe nuk mund të marrë vendime, sepse Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi nuk kanë ndjekur në kohë afatet për zgjedhjen e anëtarëve të rinj. Gjykata Kushtetuese prej vitit 2024 funksionon me një anëtar mangët. Në të shkuarën, rastet e ngjashme janë të shumta. Këta shembuj janë tregues domethënës të nivelit të funksionimit të shtetit ligjor. Në këtë rast, nuk flitet për sfida të natyrës praktike dhe zbatuese, që mund të kenë ndërlikimet e tyre, por thjesht për marrje vendimesh apo hartim procedurash. Por, nëse qeveria dhe Kuvendi që kanë të drejtën dhe detyrimin e iniciativave ligjore dhe hartimit të akteve nënligjore nuk ka seriozitetin për t’i bërë të zbatueshme ligjet që miraton vetë, bëhet e vështirë që kultura e zbatimit të ligjit të përcillet dhe kultivohet te publiku i gjerë. Moszbatimi i ligjeve nga vetë institucionet qeverisëse e dëmton edhe moralisht kulturën e zbatimit të ligjit nga publiku dhe tatimpaguesit. Nëse vetë institucionet qeverisëse i zbatojnë ligjet në mënyrë selektive, në varësi të nevojave apo leverdisë, edhe taksapaguesit do të ndihen moralisht të justifikuar të bëjnë të njëjtën gjë, duke u futur në situatë paligjshmërie që ka ardhur nga moszbatimi i ligjit. A i intereson dikujt kjo?

Share this post: