Kuadri ligjor për gratë në ekonomi: Shqipëria mbetet pas rajonit, çalon te zbatimi
2026-03-12 - 12:35
Shqipëria ka ndërtuar një kuadër ligjor relativisht të fortë për të drejtat ekonomike të grave. Megjithatë, sfida kryesore mbetet zbatimi: shumë nga këto ligje nuk përkthehen gjithmonë në mundësi reale në tregun e punës dhe në aktivitetin ekonomik, duke krijuar një hendek mes asaj që garantohet në letër dhe asaj që ndodh në praktikë. Në raportin “Gratë, Biznesi dhe Ligji 2026”, Shqipëria vlerësohet me 78.10 pikë nga 100 për kornizat ligjore, një rezultat më i lartë se mesatarja globale prej 67 pikësh. Rezultati për kornizat mbështetëse është 60.68 pikë, ndërsa për perceptimet e zbatimit të ligjeve 62.60 pikë, çka sugjeron se mekanizmat institucionalë dhe zbatimi në praktikë mbeten më të dobëta se vetë kuadri ligjor. Në raport me rajonin, Shqipëria renditet pak nën mesataren e rajonit Evropë dhe Azi Qendrore për sa i përket kuadrit ligjor që mbështet pjesëmarrjen ekonomike të grave. Raporti tregon se mesatarja rajonale për indeksin e kornizave ligjore është 80.62 pikë, ndërsa Shqipëria merr 78.10 pikë, duke u pozicionuar disi poshtë këtij niveli. Në të njëjtën kohë, disa ekonomi të rajonit arrijnë rezultate më të larta. Kosova shënon 88.75 pikë, ndërsa Serbia 81.88 pikë, Maqedonia e Veriut ka 83.53 pikë, ndërsa Mali i Zi 84.63 pikë, çka i vendos këto ekonomi disi më lart në indeksin e kuadrit ligjor për pjesëmarrjen ekonomike të grave. Raporti vlerëson gjendjen e pjesëmarrjes ekonomike të grave në 190 ekonomi në 10 fusha kryesore: siguria nga dhuna, liria e lëvizjes, mbrojtja e punësimit, shpërblimi i barabartë për punën, kufizimet që lidhen me martesën dhe shkurorëzimin, benefitet e lehonisë dhe pushimi prindëror, qasja në kujdesin ndaj fëmijëve, ndërmarrësia, pronësia e aseteve dhe siguria në pensionim. Raporti tregon se barazia ekonomike për gratë ende nuk është arritur në asnjë vend të botës. Gratë gëzojnë vetëm rreth dy të tretat e të drejtave ligjore që kanë burrat dhe vetëm 4% e tyre jetojnë në vende afër barazisë së plotë ligjore. Edhe aty ku ekzistojnë ligje për barazi gjinore, zbatimi i dobët dhe mungesa e politikave efektive krijojnë një hendek të madh mes ligjit dhe praktikës.