Kryerja e operacioneve pa karta bankare
2026-01-30 - 21:07
Transaksionet financiare po kalojnë një transformim shumë të shpejtë, sjellja e deritanishme për të mbajtur me vete një portofol me karta krediti, debiti dhe para duket se i përket gjithnjë e më shumë së kaluarës. Me aplikimin e pagesave nëpërmjet smartphone-ve, të cilët po shërbejnë si qendra të vërteta kontrolli për jetën tonë financiare, veprimi i zakonshëm i tërheqjes së parave me karta duhet të ndryshojë dhe t’i përgjigjet epokës digjitale. Nga Roland Tashi, ekspert i çështjeve të sigurisë Një valë e re inovacioni teknologjik po ndryshon midis shumë të tjerave, edhe mënyrën e funksionimit të bankomatit duke e plotësuar atë me të gjitha programet e nevojshme për të kryer operacione me vlerat monetare dhe veprime të tjera të shpejta, të sigurta dhe plotësisht digjitale. Duhet theksuar se bankomatet janë instrumentet më efikase në sistemin financiar, ato kanë një shpërndarje shumë të madhe gjeografike në territor, të cilën nuk mund ta arrijnë degët dhe agjencitë e bankave, duke u ardhur në ndihmë klientëve në mënyrë të pandërprerë tashmë jo vetëm me tërheqjen e parave, por edhe për shumë operacione të tjera financiare pa qenë nevoja të vizitojnë njësitë e biznesit bankar. Prej vitesh flitet për një shoqëri cashless, pa përdorimin e parave fizike, por edhe pse largimi i plotë i kartëmonedhave nga tregu është ende larg, nuk mund të mohohet që përdorimi i instrumenteve të pagesës digjitale është në rritje të vazhdueshme. Smartphone, telefoni celular që pothuajse të gjithë e mbajnë gjithmonë me vete, po konsolidohet si instrument alternativ duke integruar funksione pagese që e bëjnë kartën fizike gjithnjë e më pak të domosdoshme, por jo të panevojshme për një pjesë të madhe të përdoruesve. Sistemi i bazuar në kartën fizike, i cili së bashku me bankomatin ka qenë në dekada një arritje e padiskutueshme në sistemin e pagesave si simbol i modernitetit, është e nevojshme të përfshihet në botën e ndikuar nga teknologjia digjitale. Problemet kryesore në përdorimin e kartave bankare, të cilat nuk lidhen me sistemet operative të bankomatit por me pakujdesitë e përdoruesve, përfshijnë: Rrezikun e vjedhjes ose humbjes: humbja/vjedhja e kartës bashkë me PIN favorizon krimin për grabitjen e parave në rast se klienti nuk njofton bankën për bllokimin e saj. Rrezikun e klonimit (skimming): grabitësit mund të instalojnë pajisje në bankomate për të kopjuar të dhënat e shiritit magnetik dhe PIN-in, duke krijuar një kopje të kartës. Konsumimin dhe dëmtimin: një kartë fizike mund të dëmtohet nga mbajtja e pakujdesshme duke e bërë të palexueshme. Harrimin e PIN-it: një situatë e zakonshme që nuk të lejon kryerjen e veprimeve për tërheqjen e parave. Këta faktorë të kombinuar me kërkesën në rritje për shërbime më të shpejta dhe të integruara në ekosistemin digjital, kanë krijuar terrenin ideal për zhvillimin e një gjenerate të re teknologjike për tërheqjen e parave apo kryerjen e pagesave, e aftë të komunikojë drejtpërdrejt me bankomatin pa ndërmjetës fizikë. Teknologjia NFC dhe kodet QR Në qendër të këtij zhvillimi janë dy teknologji kryesore tashmë gjerësisht të përhapura, të aplikuara dhe të njohura për shumicën e përdoruesve, NFC (Near Field Communication) dhe kodet QR (Quick Response). Teknologjia NFC është standardi që lejon komunikimin në distancë të shkurtër, i njëjti që mundëson pagesat contactless me kartë ose smartphone. Kjo teknologji është shumë e njohur gjatë veprimeve që kryejmë me kartë në pajisjet POS në njësitë tregtare. Kodet QR janë barkode dydimensionale të cilët sapo skanohen me kamerën e telefonit, mund të përcjellin informacione ose të fillojnë një veprim, kryerje pagese apo tërheqje parash. Të dyja teknologjitë lejojnë vendosjen e një marrëdhënie të sigurt dhe të menjëhershme midis smartphone/telefonit celular të përdoruesit dhe bankomatit duke eliminuar nevojën për futjen e një karte fizike. Roli i smartphone si portofol digjital Protagonisti i vërtetë i këtij transformimi është smartphone, i cili tashmë nuk vlerësohet thjesht si telefon, por si një qendër personale që ruan identitetin tonë digjital, dokumentet dhe gjithnjë e më shpesh edhe paratë tona. Aplikacionet e mobile banking e kanë shndërruar telefonin në një portofol digjital të plotë, i aftë jo vetëm të tregojë gjendjen e llogarisë, por edhe të kryejë transferta dhe shërbime të tjera. Pikërisht përmes këtyre aplikacioneve, përdoruesi mund të autorizojë një tërheqje në siguri të plotë, duke përdorur sistemet biometrike të autentikimit të pajisjes, si njohja e fytyrës ose gjurma e gishtit për të konfirmuar identitetin. Procesi i tërheqjes cardless është projektuar për të qenë intuitiv dhe i shpejtë. Edhe pse mund të ndryshojë në vartësi të teknologjisë së përdorur (NFC ose kod QR), sekuenca e veprimeve është përgjithësisht si më poshtë: Përdoruesi hap aplikacionin e mobile banking në smartphone. Zgjedh funksionin “tërheqje pa kartë” ose një emërtim të ngjashëm. Vendos shumën që dëshiron të tërheqë dhe konfirmon veprimin. Verifikohet përmes metodës së sigurisë së vendosur në telefon (PIN i aplikacionit, gjurmë gishti ose njohje fytyre). Aplikacioni gjeneron një kod QR për t’u skanuar në ekranin e bankomatit ose aktivizon sensorin NFC të telefonit. Përdoruesi afron smartphone te lexuesi contactless i bankomatit ose skanon kodin QR. Bankomati, pasi verifikon autorizimin, jep shumën e kërkuar. Kjo metodë tërheqjeje është në thelb më e sigurt se sistemi tradicional i bazuar në kartë dhe PIN. Ajo mbështetet në parimet e Strong Customer Authentication (SCA) që kërkon të paktën dy faktorë të pavarur autentikimi; posedimi i smartphone individual, si dhe një e dhënë biometrike ose një kod zhbllokimi. Ky qasje e bën jashtëzakonisht të vështirë për një keqdashës të kryejë një tërheqje edhe në rast vjedhjeje të pajisjes, përveçse nëse njeh kodin e zhbllokimit ose arrin të anashkalojë të dhënat biometrike. Kjo procedurë tashmë e konsoliduar, është adoptuar nga shumë institucione bankare të cilat kanë zhvilluar zgjidhje inovative për t’ua ofruar këtë shërbim klientëve të tyre. Zgjidhjet e ofruara, edhe pse ndajnë të njëjtin objektiv, mund të ndryshojnë për nga teknologjia dhe kufijtë operativë. Këta shembuj tregojnë se prirja digjitale tashmë është e konsoliduar dhe e destinuar të përhapet edhe më tej duke sjellë përfitime sigurie për përdoruesit përfundimtarë. Përparësitë e kësaj metode Përfitimi kryesor mbetet kryerja e veprimeve pa kartë fizike, në këto kushte nuk është e nevojshme të mbash me vete portofolin për të tërhequr para, mjafton vetëm smartphone. Në vend që të vendosësh kartën, të presësh leximin, të shtypësh PIN-in dhe të zgjedhësh opsionet, i gjithë procesi mund të parapërgatitet në aplikacion duke kërkuar vetëm një skanim të shpejtë ose një prekje në bankomat. Nga pikëpamja e sigurisë avantazhet janë të konsiderueshme, tërheqja cardless pothuajse i eliminon rreziqet që lidhen me klonimin fizik të kartës, shumë zgjidhje të bazuara në QR përdorin kode OTP (One-Time Password) që skadojnë pas pak minutash duke i bërë të pavlefshme në rast përgjimi. Kjo teknologji hap edhe skenarë të rinj përdorimi. Për shembull, një prind mund të autorizojë nga distanca një tërheqje për një fëmijë që ka mbetur pa para thjesht duke i dërguar një kod për ta përdorur në bankomat. Në rast humbjeje të portofolit gjatë një udhëtimi, do të ishte sërish e mundur të kesh akses te paratë vetëm përmes smartphone, duke e kthyer një emergjencë të mundshme në një shqetësim të vogël. Kujdes! Duhet kuptuar se nuk është kaq “fushë me lule”, si çdo risi teknologjike që menaxhon të dhëna të ndjeshme dhe para, edhe tërheqja pa kartë sjell sfida të reja dhe kërkon një vlerësim të kujdesshëm të implikimeve për sigurinë bankare në tërësi. Klientët e pakujdesshëm dhe të painformuar për rreziqet e mundshme, do të vazhdojnë të mbeten viktima të përzgjedhura të krimit. Si duhet të mbrohemi Përgjegjësia për sigurinë ndahet gjithmonë midis bankës dhe klientit, për ta përdorur tërheqjen cardless në mënyrë të sigurt është thelbësore të ndiqen disa këshilla praktike. Kryesorja është aplikimi i një bllokimi të sigurt të ekranit në smartphone; kod kompleks, gjurmë gishti ose njohje fytyre. Gjithashtu, përdorimi i fjalëkalimeve unike dhe të forta për aksesin në aplikacionin e mobile banking, verifikimi me dy faktorë, instalimi i aplikacione vetëm nga kompani zyrtare, si dhe përditësimi i sistemin operativ të telefonit, janë faktorë që ndikojnë në rritjen e nivelit të sigurisë. Epoka e alternativave të tërheqjes së parave CASH po avancon, duke reduktuar varësinë nga kartat plastike për të përfituar nga përparësitë dhe sigurinë që ofron epoka digjitale. Bankomati do të mbetet në shërbim të klientit, por ai kërkon përgjegjësi, informim dhe kujdes nga përdoruesit që të vazhdojë të mbetet si deri tani, një instrument i dobishëm për kryerjen e pagesave dhe shërbimeve të tjera edhe pa përdorimin e kartave fizike.