TheAlbaniaTime

Kryeministri Rama: BE do mbështesë punësimin e të rinjve, 65 mln euro fondi i Garancisë Rinore

2026-02-04 - 11:06

U zhvillua takimi përmbyllës i Thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, një iniciativë që prej 10 vitesh synon të kthejë përvojën profesionale të të rinjve në punësim në administratën publike. Programi u ofron mundësi të rinjve të moshës 21–29 vjeç, të diplomuar në ciklin Bachelor ose Master, për të hedhur hapat e parë drejt një karriere në administratën shtetërore. Gjatë këtij viti, një pjesë e pjesëmarrësve kanë përfituar kontrata njëvjeçare pune, si fazë drejt punësimit të qëndrueshëm. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se Programi Kombëtar i Praktikave të Punës ka mundësuar punësimin përfundimtar të rreth 1,600 të rinjve në administratën e shtetit. Sipas tij, ky program ka shërbyer si një urë lidhëse mes arsimit universitar dhe administratës publike, duke kapërcyer pengesën e mungesës së eksperiencës profesionale për të rinjtë. Kryeministri Rama nënvizoi rëndësinë e meritës në procesin e përzgjedhjes, duke pranuar njëkohësisht se çdo proces vlerësimi mbart edhe elementë subjektivë. Ai u bëri thirrje të rinjve që nuk kanë përfituar kontrata pune të mos dorëzohen dhe të vijojnë përpjekjet e tyre në konkurse dhe mundësi të tjera punësimi. “Duke marrë një jehonë pozitive nga ata që merren me organizimin e këtij programi për përshtypjet tuaja dhe njëkohësisht duke pasur një përshtypje pozitive nga ana e ministrave dhe e drejtuesve të institucioneve për qasjen, për seriozitetin, për dëshirën tuaj për të mësuar, unë jam bërë realisht një besimtar i fortë i këtij programi dhe kini parasysh që ky program ka punësuar në mënyrë përfundimtare në administratën e shtetit rreth 1600 persona. Dhe kjo praktikë ka qenë një urë e ngritur si fillim me universitetin për t’ju dhënë mundësi më të mirëve që të kenë një sallë pritjeje ku aktivisht të vetëofrohen si punonjës të rinj të shtetit dhe nga ana tjetër besoj që tani kemi kapërcyer dhe një ngërç përmes këtij programi, atë ngërçin e eksperiencës që faktikisht i ka penguar në të shkuarën shumë vajza dhe djem që të fitojnë konkurset e shërbimit civil për shkak të mungesës së eksperiencës dhe ishte pak si pula vezën, veza pulën sepse që të hyje në administron publike duhet të kishe eksperiencë, por po të mos hyje në administratën publike s’kishe ku e krijoje eksperiencën dhe në një farë mënyre programi e ka garantuar këtë tranzicion”, pohoi Rama. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama përmendi gjithashtu projektin e Garancisë Rinore, një iniciativë e përbashkët me Komisionin Europian, me vlerë rreth 65 mln euro, që synon të mbështesë të rinjtë përmes trajnimeve, aftësimit profesional dhe mundësive konkrete të punësimit. “Është rreth 65 milion euro në mos gabohem dhe të shikoni sesi mund të angazhoheni me këtë projekt. Dhe e përsëris në ndërkohë që keni kontratat një vjeçare për të nënshkruar që të vazhdoni procesin bëni gjithçka mundeni që të aftësoheni dhe përtej asaj që ju jep ai orari i punës sepse gjithmonë e më shumë burimet njerëzore cilësore do të jenë një domosdoshmëri për të gjithë dhe gjithmonë e më pak influencat e tjera do të mund të ndikojnë në pikën që të mos ju japin burimeve cilësore mundësinë që të jenë kontribute në shoqëri dhe të tjerëve, ju them që vazhdoni bëni përpjekjet tuaja. Ka rrugë të tjera, ka konkurse të tjera. Këtu është dhe drejtorja e përgjithshme e administratës publike dhe ne po bëjmë dhe një tjetër re formatim të legjislacionit për administratën publike për të krijuar më shumë fleksibilitet, për të krijuar më shumë mundësi dhe me bindjen që kjo është rruga dhe me provën që rezultatet e këtij programi të praktikave të punës brenda ministrive, brenda institucioneve kanë qenë shumë inkurajuese ne do vazhdojmë të shtyjmë përpara agjendën e thithjes së burimeve më të mira që dalin nga universiteti, të burimeve më të mira që janë aktive ne shoqëri dhe që i përkasin grupit tuaj shoqëror, të rejave dhe të rinjve”.

Share this post: