TheAlbaniaTime

Kroacia vendos test të detyrueshëm të gjuhës kroate për punëtorët e huaj

2026-02-09 - 10:37

Qeveria kroate ka dërguar në procedurë parlamentare ndryshime në Ligjin për të Huajt, duke futur kërkesën e detyrueshme, që punëtorët e huaj të mësojnë gjuhën kroate si kusht për zgjatjen e lejeve të qëndrimit dhe të punës. Sipas ndryshimeve të propozuara, punëtorët e huaj do të duhet të kalojnë një provim të gjuhës kroate në nivelin A1.1 pas një viti qëndrimi në Kroaci, në mënyrë që të rinovojnë lejen e tyre. Ky hap është pjesë e një reforme më të gjerë, që synon përafrimin e legjislacionit kroat me të drejtën e Bashkimit Europian, duke reaguar njëkohësisht më efektivisht ndaj nevojave të tregut të punës dhe duke forcuar mbrojtjen e punëtorëve. Ndryshimet po prezantohen për të harmonizuar ligjin kroat me Direktivën e BE-së për Lejen e Vetme dhe me Paktin për Azilin dhe Emigracionin, i cili vendos rregulla të reja për menaxhimin ee migracionit dhe një sistem të përbashkët azili në gjithë BE-në. Kuadri u jep shteteve anëtare fleksibilitet për të adresuar sfidat e tyre specifike, duke garantuar njëkohësisht mbrojtje për individët në nevojë. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm, Davor Božinović, tha se ndryshimet sjellin gjithashtu mundësinë e kontrolleve të thelluara për shtetasit e vendeve të treta në kufijtë e jashtëm të BE-së, një mekanizëm të pavarur për monitorimin e respektimit të të drejtave themelore, si dhe një procedurë kthimi në kufi për ata, aplikimet për azil të të cilëve refuzohen. Sipas Ministrisë së Brendshme, reformat synojnë të sigurojnë reagim më të shpejtë dhe më efektiv ndaj mungesave në tregun e punës, të reduktojnë barrën administrative, të përmirësojnë efikasitetin e përpunimit të lejeve dhe të ofrojnë mbrojtje më të fortë për punëtorët nga vendet e treta, duke ruajtur standardet e sigurisë dhe duke mbajtur fuqinë ekzistuese të punës së huaj. Janë propozuar ndryshime të rëndësishme për të përmirësuar mobilitetin në punë për punëtorët e huaj. Ata tani do të lejohen të ndryshojnë profesion brenda të njëjtit punëdhënës në të gjitha profesionet, jo vetëm në ato të klasifikuara si me mungesë fuqie punëtore, me kusht që të kalojnë testin e tregut të punës. Punëtorët e huaj do të mund të ndryshojnë gjithashtu punëdhënës pas gjashtë muajsh te punëdhënësi i parë, pa pasur nevojë për një leje të re qëndrimi dhe pune. Megjithatë, lejet e lëshuara për profesionet me mungesë fuqie punëtore do të kenë kufizime territoriale: punëtorët nuk do të lejohen më të punojnë në zonat e administratës policore ku profesioni nuk konsiderohet me mungesë ose ku nuk është kryer testi i tregut të punës. Afati për lëshimin e lejeve të qëndrimit dhe të punës do të zgjatet në 90 ditë. Periudha e papunësisë e lejuar gjatë vlefshmërisë së lejes do të rritet në tre muaj, ose në gjashtë muaj për punëtorët që kanë pasur leje për më shumë se dy vjet. Lehtësime administrative parashikohen edhe për lejet e punës sezonale. Në vend që të lëshohen për deri në një vit, ato tani do të jenë të vlefshme për tre vjet kur lëshohen për të njëjtin punëtor dhe të njëjtin punëdhënës në të njëjtin profesion. Punëtorët sezonalë do të lejohen të punojnë deri në 90 ditë për çdo vit kalendarik ose deri në nëntë muaj në vit. Lejet e qëndrimit të përkohshëm për studentët do të zgjaten nga një vit në tre vjet. Kërkesa më të rrepta për punëdhënësit Punëdhënësit që konstatohet se kanë kryer parregullsi dhe vendosen në të ashtuquajturën “listë e zezë” do të ndalohen të marrin leje të reja pune për një vit pas vendimit të inspektimit. Përgjegjësia për njoftimin e administratave policore për përfundimin e punësimit do të kalojë nga punëtori i huaj te punëdhënësi, i cili duhet ta raportojë elektronikisht përmes sistemit e-Građani. Punëtorët e huaj duhet të njoftojnë Shërbimin Kroat të Punësimit (HZZ) brenda pesë ditëve nga përfundimi i kontratës. Refuzimi i një pune të ofruar nga HZZ do të çojë në humbjen e lejes. Afati për regjistrimin e vendbanimit të një punëtori të huaj do të zgjatet nga tre në 15 ditë. Punëdhënësve gjithashtu do t’u kërkohet të mos kenë një llogari bankare të bllokuar për më shumë se 30 ditë dhe do të duhet të dëshmojnë hyrje transaksionesh gjatë 12 muajve të fundit, në vend të gjashtë muajve. Kërkohet përqindje më e lartë e punëtorëve vendas Për të marrë një opinion pozitiv nga Shërbimi Kroat i Punësimit për punësimin e punëtorëve të huaj, punëdhënësit duhet të plotësojnë raporte më të rrepta. Të paktën 10 për qind e punonjësve duhet të jenë shtetas kroatë ose shtetas të vendeve anëtare të BE-së, ZEE-së ose Zvicrës, të punësuar me kohë të plotë, në raport me numrin e shtetasve të vendeve të treta të punësuar. Ligji gjithashtu sqaron kompetencat e Inspektoratit Shtetëror për mbikëqyrjen e akomodimit të ofruar për punëtorët sezonalë. Më pak leje të lëshuara Pas ndryshimeve të mëparshme në ligj, Kroacia ka regjistruar tashmë një rënie të lehtë të numrit të lejeve të qëndrimit dhe të punës të lëshuara. Në nëntë muajt e parë të vitit 2025 u lëshuan 136,194 leje, krahasuar me 158,837 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Qeveria thotë se reformat e fundit synojnë të gjejnë një ekuilibër midis kërkesës ekonomike, integrimit shoqëror dhe sigurisë juridike, duke pozicionuar Kroacinë brenda kuadrit në zhvillim të emigracionit Europian. / Croatia Week

Share this post: