TheAlbaniaTime

Krijohet Fondi Kombëtar për Artin dhe Kulturën, do financohet nga kursimet e tenderëve e grantet

2026-02-13 - 13:27

Qeveria synon të ngrejë një fond të dedikuar për artin, sportin dhe kulturën. Në një projektligj të nxjerrë për konsultim Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit argumenton se kjo është e nevojshme të bëhet pasi prej vitesh këto fusha nuk kanë instrumente alternative për financimin e projekteve dhe investimeve me interes publik, të cilat nuk mbulohen nga programet ekzistuese buxhetore. “Financimi aktual është i fragmentuar, i kufizuar në kohë dhe në programe të ngurta buxhetore të patrashëgueshme, si dhe shpesh i pamjaftueshëm për të adresuar nevoja emergjente, projekte ndërsektoriale, apo iniciativa me ndikim të gjerë. Sektori i artit, kulturës dhe sportit, vijon të përballet me një sërë problematikash strukturore dhe financiare, të cilat kufizojnë zhvillimin e tij të qëndrueshëm, profesionalizimin e aktorëve në fushat respektive dhe veçanërisht përfshirjen e të rinjve” thuhet në draft ligjin e nxjerrë për konsultim. Por si do të krijohet fondi që do të menaxhohet në këtë rast. Drafti parashikon në nenin 7 disa burime financimi. Kështu së pari Fondi Kombëtar për Artin, Kulturën dhe Sportin financohet nga kursimet financiare të krijuara nga procedurat e prokurimit publik të institucioneve të administratës shtetërore qendrore, të konsoliduara në Buxhetin e Shtetit. Sipas pikës 2 të këtij neni në Fond alokohet 1/3 (një e treta) e kursimeve financiare të konstatuara në nivel qendror në përputhje me ligjin e buxhetit. Kursimet financiare përfshijnë edhe ato të krijuara nga procedurat e prokurimit të përqendruar, të zhvilluara nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP). Së katërti Fondi mund të financohet gjithashtu nga donacione, sponsorizime dhe grante, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Procedura për kalimin e parave do të jetë e tillë ku institucionet e administratës shtetërore qendrore raportojnë çdo 3 muaj pranë ministrisë përgjegjëse për financat kursimet financiare të krijuara nga procedurat e prokurimit publik. Kursimet financiare derdhen në Buxhetin e Shtetit dhe nuk mbahen ose rialokohen nga institucionet përkatëse. Ministria përgjegjëse për financat konsolidon kursimet e raportuara dhe përllogarit shumën përkatëse në masën 1/3 (një e treta), e cila alokohet për Fondin Kombëtar për Artin, Kulturën dhe Sportin.

Share this post: