TheAlbaniaTime

Kreditimi i ekonomisë u përmirësua në shkurt

2026-03-30 - 11:01

Kreditimi i ekonomisë iu kthye rritjes në muajin shkurt. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, gjatë shkurtit sektori bankar dha 30.3 miliardë lekë kredi të reja. Kjo shumë është 5.7% më e lartë krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar. Megjithatë, për shkak të rënies së janarit, deri tani, bilanci progresiv i dy muajve të parë të vitit, paraqitet në rënie. Në periudhën janar-shkurt, kredia e re për ekonominë ishte 58.6 miliardë lekë, shumë kjo 3.3% më e ulët se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Deri tani, rënia e kredisë në muajt e parë të 2026 i detyrohet segmentit të individëve dhe korporatave publike, ndërsa kredia për ndërmarrjet private paraqitet në rritje. Gjatë periudhës janar-shkurt, kredia e re për individët shënoi vlerën e 18.3 miliardë lekëve, 9% më pak krahasuar me një vit më parë. Duke se kredia për individët po frenon disi, pasi shënoi vlera të reja rekord gjatë vitit të kaluar. Në mesin e vitit 2025, hynë në fuqi edhe disa masa kufizuese direkte të Bankës së Shqipërisë, që tentonin të shtrëngonin pjesërisht standardet e kreditimit për blerjen e banesave nga individët. Gjatë 6-mujorit të dytë 2025, këto masa nuk dhanë ndonjë efekt të rëndësishëm dhe kredia për shtëpi vijoi rritjen. Në dy muajt e parë të këtij viti, vlerat e kredisë duket se janë në rënie të lehtë, por megjithatë do të duhet më shumë kohë për të kuptuar nëse bëhet fjalë për një tendencë të mirëfilltë në këtë drejtim. Edhe kredia për ndërmarrjet publike pësoi rënie në vetëm 300 milionë lekë, rreth 10 herë më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, ecuria e këtij segmenti në përgjithësi përcaktohet nga huamarrjet sporadike të ndërmarrjeve të veçanta, kryesisht ato të sektorit energjetik. Në segmentin e kompanive private, kreditimi ka shfaqur një ecuri pozitive, me 40 miliardë lekë kredi të reja të dhëna gjatë periudhës. Krahasuar me një vit më parë, kredia e re për biznesin është rritur me 7.3%. Gjatë muajit shkurt, edhe vlera totale e portofolit të kredisë, e shprehur si tepricë e pashlyer, iu kthye rritjes, pas frenimit në janar. Portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 946.9 miliardë lekëve, në rritje me më shumë se 7.5 miliardë lekë krahasuar me janarin. Me bazë vjetore, kredia për ekonominë vazhdon të jetë në rritje dyshifrore, me 11.6%. Rritja më e lartë vazhdon të regjistrohet në segmentin e individëve, ku portofoli i kredisë është në rritje vjetore me 17.7%. Ndërkohë, për ndërmarrjet private kredia është në rritje vjetore me 8.7%. Kreditimi i ekonomisë vazhdon të shfaqë ritme të mira, por, megjithatë, tensionet gjeopolitike dhe shqetësimi për një valë të re inflacioniste mund të sjellin sfida në vazhdim. Rritja e inflacionit do të sillte rritje të pashmangshme të normave të interesit dhe do të prekte aftësinë paguese të huamarrësve, duke krijuar premisa për një frenim të kredidhënies dhe keqësim të cilësisë së portofolit ekzistues. Burimi: Banka e Shqipërisë

Share this post: